"Jeta shëtit nëpër ëndrra"....poezi nga Iliriana Sulkuqi


"JETA SHËTIT NËPËR ËNDRRA"

Iliriana Sulkuqi boton vëllimin e ri poetik në afro 300 faqe me titull "Jeta shëtit nëpër ëndrra". Është kënaqësi të kesh një libër të tillë në dorë, një botë me mendime e emocione të thella, për njerëzit, natyrën, dashurinë, fëmijët e lulet, vendlindjen e gjithçka që e rrethon në jetën e saj në mes të dy dashurive të mëdha, Shqipërisë dhe Amerikës.

Pantheon Info
18 gusht 2016



Ne perkujtimin e kolegut shkrimtar BETIM MUÇO, Filadelfia

Perkujtimorja u organizua ne Filadelfia nga shoqata Bijt e Shqipes.
Presidiumi qe e drejtoi Mbledhjen perkujtimote per Betim Muçon
Poetja Iliriana Sulkuqi duke folur per kolegun shkrimtar Betim Muco

Intervistë me poeten Iliriana Sulkuqi ( Kësulkuqja)



 “NJË SHPORTË SA QIELLI – ME DASHURI...”

- Intervistë me poeten Iliriana Sulkuqi ( Kësulkuqja) 
 
Aty nga fundi i viteve '70 , në një rreth miqësor, do të më jepej rasti për herë të parë, fizikisht , të takoj poeten dhe shkrimtaren Iliriana Sulkuqi. Ishte e veshur ushtarake e ndodhej mes nje grupi ushtarakësh me grada të larta si, Arif Hasko, Vehip Fejzulla,...por qe kjo vajzë simpatike e hijshme me uniformë,me flokët e gjata mbi supe, i kishte bërë " zap" gjeneralët, duke ju recituar vargjet e saj poetike që sapo kishte krijuar. Ekspresiviteti i vargut të saj poetik, plot dashuri , ndjenjë e mirësi, më bëri që gjatë gjithë jetës sime ta ndiqja,këtë talent të lindur vetëm për poezi, në gazetën "Zëri i Rinisë", Drita ", revista "Shqiptarja ..."...si dhe në organe të tjera letrare të shtypit shqiptar. Por bota është e vogël ! Ja ku unë përsëri takohem me këtë urtësi e mençuri, madhështi për nga krijimmtaria e saj, këtu në USA.Ajo nuk ndalet! Vargu dhe pena e saj krijuese vërshon vrullshëm ,kudo, në listat virtuale, shtypin shqiptar në Diasporë , Shqipëri ,Kosovë e kudo në botë! Meraku i vetëm i poetes , shkrimtares , është :Dhuro sa më shumë dashuri, tek të gjithë njerëzit pa dallim feje,race apo ideje! Meraku i saj janë fëmijët e lindur në tokën e huaj, për brezin e ardhshëm shqiptar në Diasporë ,USA, e kudo ku ka komunitet shqiptar në botë dhe mesazhi që transmeton kjo poete , shkrimtare , nënë , gjyshe: Mësojuni fëmijëve gjuhën e Mëmëdheut , gjuhën shqipe ,trashëgoni të ta,traditën, zakonet e vlerat më të mira kombëtare dhe IDENTITETIN tonë KOMBËTAR! Duke lexuar intervistën e Lili -t (Sa më pëlqen ta thërras me këtë emër!), ju do të befasoheni ,nga forca dhe e vërteta e fjalës së saj, nga " vrapimi" i saj për të krijuar, nga virtyti i mirësisë dhe i dashurisë (me plot bindje do ta quaja Binomi Poet-Njeri), që e karakterizon këtë perlë të letrave shqipe! 


-Kam shumë kohë që kam dashur të realizoj një intervistë me ju. I jeni përgjigjur me heshtje. Përse ?

-Ke të drejtë Monda, kur thua se disi jam shmangur, por pa të keq. Intervista është portreti i dyfishtë, ose më saktë, një portret me dy personazhe. Prandaj, unë me "heshtjen" time kam patur dhe merakun, që të justifikoja "fjalën" time para jush dhe lexuesit. Duhet të flasësh kur diç ke për të thënë. Edhe kur pi një kafe me një shoqe apo shok duhet të shkëmbesh informacion, aq më tepër në një bashkëbisedim publik siç është intervista.... Pastaj, për të qenë e sinqertë, a do të të them të vërtetën e vërtetë që më dhemb në shpirt? Të tilla intervista, me postime pyetjesh dhe me postime përgjigjesh, për mua janë hipokrizi. Vetëm se i bëjmë qejfin vetes dhe njera-tjetrës apo njeri - tjetrit. Por këto janë kushtet e sotme.. Tjetër, kujt i shërbejnë? I bëjmë për njeri -tjetrin? Kjo s'ka kuptim. I bëjmë për brezin pas nesh, d.m.th, për fëmijët tanë? Edhe kjo s'ka asnjë vlerë. Ku janë, ku i kemi? Ku kanë kohë ata të lexojnë "bëmat" tona... Ata, ende vrapojnë, sa nga një shtet në tjetrin, sa nga një "fshesë", në tjetrën. Sa nga një shkollë në tjetrën... Harrojnë edhe gjuhën e mëmës, harrojnë edhe ata që i kanë lindur... Mirë, ata që kanë prindërit, gjyshër apo gjyshe pranë, diçka mësojnë ... Po pastaj... çfarë do të lexojnë? Sa të rinj lexojnë gazetën shqiptare, këtu në Amerikë, sa të tjerë qoftë edhe në Shqipëri apo nëpër shtete të tjerë mërguar...? Ndoshta vetëm për ndonjë lajm mërgimi, punësimi, shkollimi, biznesi... dhe këtu mbaron gjuha. Fillon artikulimi i saj drejt mbijetesës, drejt së panjohurës, duke hedhur pas shpine të njohurat e trashëguara... Ka edhe shumë arsye të tjera...

-Jeni një krijuese shumë prodhimtare, ç'mund të na thoni për botimet tuaja të fundit?

-Shkruaj. Pa shkruar nuk mund të rri. Por jo çdo gjë e shkruar ka vlerat e botimit. Këtu është "udhëkryqi" midis poetit dhe lexuesit. Krijimtaria është e poetit (shkrimtarit), sa nuk i janë venë kapakët librit dhe ISBN-ja e Shtëpisë Botuese. Pastaj bëhet pronë e lexuesit. Kështu ndodh edhe me ato krijime që hidhen për lexuesin në faqet e internetit. Pra, për botimet e mia le të flasë lexuesi im.

-Ju jeni një emër i dëgjuar. Ne ju lexojmë vazhdimisht, në shtypin shqiptar në Shqipëri e Diasporë, edhe pas ardhjes në SHBA. Çfarë ka sjellë në krijimtarinë tuaj ky ndryshim gjeografik?

-Njeriu në gjithë jetën ka vetëm një Atdhe, ose Mëmëdhe, që mua më duket më intime si fjalë. Njeriu mund të lëvizë në të gjithë kontinentet e rruzullit, mbase dhe në Hënë, por Atdheun nuk e tjetërson dot. Dhe kush thotë se "... m'u bë Atdhe i Dytë", mashtron veten dhe atë që e lexon apo e dëgjon. Kam lexuar një mikun tim-poet, i ikur dhe ai jashtë Shqipërisë. Kur e pyetën nga je? U përgjigj: Nga vendi më i bukur në botë!" Sikur Dantja të kishte shkruar vetëm për Parajsën, nuk do të ishte e pavdekshme "Komedia Hyjnore". Duhej dhe Ferri, që t'i jepte vlerë e kuptim. Dhe kjo ndjenjë e Mëmëdheut të mirë e të bukur nis nga Gjiri i Nënës, nga Vendlindja, porta, rrugicat e deri në bulevardet e qytetit, në malin e Krastës, në ujin e Shkumbinit, në... Pra, Atdheu është si Atomi në një Molekulë-jete. Edhe krijimtaria aty nis dhe... aty mbaron. Ardhja ime në SHBA, më ka pasuruar me ndjesitë pranë familjes, me aromën e dy nipërve dhe mbesës, aq të dashur e të domosdoshëm për mua... Pastaj dhe ngopjet e syrit me pamje të tjera. Të qenit këtu i ka dhenë vlera të tjera Dashurisë dhe Mallit, pa të cilat nuk punon dot "Shpirti i Poetit".

-Ju kaluat një periudhë të gjatë në Greqi, me çfarë mbresash vjen Iliriana që andej dhe diçka rreth aktivititetit e krijimtarisë suaj atje.

-Greqia për poetin është thesar. E lakmuar në të gjitha kohët. Greqia ka statujat e Perëndive dhe shtatoret e filozofëve të lashtësisë, ka diellin, detin, gjelbërimin, ka rreth 2000 ishuj. Më i madhi është Kreta, ku edhe unë kam jetuar. Por unë nuk vajta turiste për t'u frymëzuar si Gëtja, apo Gorki... Unë isha emigrante, që doja të jetoja duke mbijetuar. Dhe, në këtë mbijetim, frymëzimi ishte i pranishëm.
Sa bukur e kemi ne fjalën "Frymëzim"! Ka në rrënjë fjalën "Frymë", domethënë të zihet fryma. M'u zu edhe mua fryma në Kretë dhe shkruajta poezi e tregime, që nuk më pëlqejnë vetëm mua. Disa prej tyre, do t'ia rijap lexuesit edhe tek libri i ri që kam në proces botimi... Të jetosh në Kretën e Kanzanxaqit të madh, është fat, edhe kur je i pafat! Edhe pse punoja për bukën e gojës, një javë shkundje ullinjsh ia bëra hallall Kanzanxaqit. I vajta deri te varri, shumë larg nga vendqendrimi im, me një kurorë lulesh të freskëta, thuajse të gjitha ngjyrat e trëndafilave. Sa varr i thjeshtë. Vetëm një kryq dhe mbishkrimi, epitaf i lënë prej tij: "Sot dhe përgjithmonë...". Sikur të kisha mundësi, do të kisha mbledhur lule malesh e fushash e do ta kisha thurrur vetë kurorën... Do t'i shkonte më shumë këtij varri...

-Ndryshimi midis dy mërgimeve?

-Emëruesi ka të njëjtin emër-mërgim. Numëruesi ndryshon si nata me ditën. Nëse në Greqi, edhe pse punova familiarisht për shumë kohë, edhe pse kisha miqësi me familje greke (të cilat i ruaj edhe sot), prapë racizmi dhe "fshesa e hekurt" e politikës greke janë të pashembullta në kohën e sotme, aq më tepër nga një shtet që pretendon se është fillesa e Botës dhe vetë kultura ...
Ndërsa Amerika, tjetër gjë, edhe pse dua të iki një orë e më parë prej këndej... Ama, për këtë, nuk ma ka fajin Amerika, e cila më ka pajisur me të gjitha dokumentet legale dhe sigurimet sociale, që pas një jave të ardhjes këtu; që jam e lirë të lëviz ku të më çojë edhe ëndrra, që gati 120 kombe, të racave dhe të ngjyrave të ndryshme-punojnë së bashku dhe respektojnë njeri-tjetrin pa asnjë dallim...

- Poezia juaj është e arrirë dhe e vlerësuar nga kritikët . Çfarë mund t'ju ofroni krijuesve në përgjithësi nga përvoja juaj?

-Sot, dhe fjala "sot" mban gati dy dekada brenda, kritika e specializuar ka heshtur. Apo nuk qëndron më si "institucion". Është zëvendësuar nga "mendimi i shokëve". Kjo ka të mirën dhe të keqen e vetë. Mendimi shoqëror ka sinqeritetin dhe vërtetësinë brenda, por mund të ndodhë dhe e kundërta. Sot, brenda ditës, bëhesh poet, pa ditur se ç'është poezia. Ose dhe e kundërta, harrohesh po nuk "trokiti" kush në dyert e krijimtarisë tënde. Sa për përvojën? Nuk ka shkollë. Çdo krijues ka përvojën e vet, që ndryshon nga e tjetrit. Përvoja është si e ndjej unë jetën-botë, si e shoh unë botën-jetë,... si puna e numërave të syzave, dikush i ka 0, 75, dikush i ka, 2.5 dhe unë...(e kam treguar numrin në një poezi). Veç ka një të vërtetë të përbashkët: Të jemi të vërtetë në krijimtari. Poeti s'duhet të gënjejë kurrë... Poeti është si Profetët... (flas për ata që s'gënjejnë)...

- Keni qenë ushtarake në Shqipëri, kur filloi poezia të trokasë në shpirtin tuaj? Çfarë ndikimi ka patur në krijimtari jeta ushtarake?

-Kam qenë me fat që kam qenë ushtarake. Këto fjalë do të thoshja edhe po të kisha një profesion tjetër. Por të qenit ushtarake më ka dhënë një "Botë" tjetër që nuk e kanë pasur të tjerët. Privimet që më ka krijuar jeta ushtarake (për femrën janë më të mëdha) kanë bërë që unë sot jam Iliriana, siç jam! Si mund të isha nuk e di. Letërsia botërore ka shumë shembuj të poetëve ushtarakë, ku model është Lermontovi, por dhe unë kam pasur shokë e shoqe në ushtri që mund të quhemi "Familja e Poetëve me Uniformë" si:, Lirim Deda, Ibrahim Gani, Thanas (Nase) Jani Julia Naçi (Gjika), Lida Rrapo (Grazhdani), Merita Caci, Sotir Lashova, Nevruz Shehu, Kujtim Halili (i ndjeri), Bashkim Çepele, Hysni Milloshi, Thanas Tane, Apostol Duka, Roland Musta, Bashkim Kozeli, Fuat Çeliku, Fluturak Germenji, Mina Qirici, Afrim Himaj, Luan Malaj, Bardhyl Gosnishti, Kasem Saliasi, Riza Lahi, Kujtim Boriçi, Milianov Kallupi, Fation Pajo, Thanas Mustaqi, ....

-Ju keni një revistë për fëmijë të titulluar "Kësulkuqja". Ç'mund të na tregoni për të?

-"Kësulkuqja" ime ka një ndryshim. Erdhi me mua në SHBA, fle me mua në "ninulla fëmijësh", zgjohet me "vogëlushët" e gjyshe Ilirianës... Është "Kësulëkuqja", tashti "Pelegrine" nëpër botë... Ndoshta do të "trokasë" edhe te "Bota e gruas shqiptare". Aty, ka shumë nëna dhe gjyshe. "Ajo" do t'i lutej që kur të shkruajnë për të rritur, mos harrojnë të shkruajnë e t'i "postojnë" vjershat, tregimet, përrallat për fëmijët. Apo jo, "teta" Drenusha? Edhe ju "tetat" dhe gjyshet e tjera...

- Reportazhet janë po aq të bukur si edhe poezia. Cila është gjinia juaj më e preferuar?

-Reportazhi është gjini e publicistikës, ku shprehesh lirshëm. Reportazhi ka ngjarjen, mendimin e mençur, personazhet, mjedisin ku veprohet... Pra, është një gjini që ngjason më tepër me tregimin. Poezia është "e shenjtë". Një krahasim: Në një vazo lulesh është vazoja, dheu, plehu, krimbat e dheut, pika e ujit, rrezja e diellit, rrënjët e lules, trupi i lules, gjethet e lules,... dhe çelja e lules, që është vetë lulja. Qoftë lule-thane, lule-pjeshke apo bajame, lule-ftoi apo manushaqe,... (nuk them për trëndafilin, se ai të josh dhe me gjembat) për mua, ajo është poezia. Dhe këtë dua më tepër!

- Kush janë rrënjët e origjinës së Ilirianës?

-Devolli dhe Elbasani, ose anasjelltas...

-Po citoj diçka, nxjerrë nga parathënia e vëllimit tuaj: "(F) Shihemi në sy":
"...Të udhëtosh në jetën e kësaj femre (një jetë që do ta lakmonin shumëkush prej shkrimtarëve për ta pasur subjekt të prozës së tyre, e kësaj shoqe-madheje, e kësaj gjyshe-fëmije, e kësaj ëndërr-zgjimi dhe bukuri-plage, e kësaj mall-pritjeje, është njësoj si të shkosh përtej, sikur të hysh brenda mrekullisë dhe të ndodhesh si hy mes hyjnive. Nga ai shtat i bukur vajze, para të cilit turpërohej edhe fustani me vellon e nusërisë, tashmë ka mbetur një trup që thua se tallet përditë e për çast me gravitetin dhe, kur ia do puna, mund të fluturojë si hareja më e natyrshme ose mund të peshojë sa gjithë tragjeditë e kësaj bote. Vazhdimisht në lëvizje… së bashku me sinqeritetin e fjalës së saj. Ku i merr energjitë?!…Me këtë pyetje të befasishme ti ke trokitur pikërisht në portën e përtejshmërisë, atje, tek mrekullia...". Pra, Ilirianë,cilat janë lëvizjet e tua më mbresëlënëse. A kanë ndikuar në krijimtarinë tënde? Diçka për udhëtimin tuaj në Teksas, ku ju ishit ftuar para disa ditëve... Dhe vërtetë, ku i gjeni energjitë tuaja...?

-Që kur "mora këmbët" siç thonë, nuk ecja por vrapoja..(nuk lija dy gurë bashkë). Dalëngadalë fillova të "vrapoja" me këmbë, me mendje, me zemër... Më vonë, jeta ushtarake e bëri "profesion" vrapimin. Por nuk është kjo e gjitha, në të gjitha stinët e jetës njeriu gjen llojet e "vrapimit", duke bërë stafetë me veten dhe me fëmijët, me miqtë e shokët... Është "vrapim" i pashpallur, i padukur, por shumë i domosdoshëm. Jeta për njeriun është e duhet të jetë lëvizje. Për poetin lëvizja është më tepër se lëvizje. As dy vjet plot (1786-1788) nuk iu deshën gjeniut-Gëte, që të ikte nga Vajmari, drejt Italisë dhe shkruajti veprat aq të bukura "Elegji Romane" dhe "Epigramet Veneciane". Ndryshon mjedisi, ndryshon dhe njeriu. Unë nuk kam shkruar "Elegji" e "Epigrame", por disa poezi, mbresa, tregime etj. I kam shkruar pikërisht nga jetimet e përjetimet e lëvizjeve të mia. Poezia dhe proza ime nuk janë thjesht fantazi, por një realitet i prekshëm dhe i ndjeshëm, sigurisht, i ngritur në art, aq sa ka arritur pena ime ta bëjë. Jam munduar që lëvizjet e mia, qoftë të detyruara apo spontane-të jenë deduktive, prej nga kanë dalë mesazhet që i kam dhënë nëpërmjet krijimeve... Nëse, kur isha e vogël, nuk lija "dy gurë bashkë", tani, lëvizja ka tjetër kuptim. Sot dëshiroj dhe përpiqem që jo vetëm "dy gurë", por të gjithë "gurët" e çmuar, t'i bëj bashkë... Po ndalem pak , tek udhëtimi, prej të cilit sapo jam kthyer - Teksas (Dallas), reportazhin për të cilin e kam titulluar. "Kësulkuqja në Botën e çudirave...".  Pa dashur të sjell detajet dhe përshtypjet e plota, doja të theksoja diçka specifike për këtë udhëtim, pasi kjo bisedë është kryesisht në kuadrin e forumit "Bota e Gruas Shqiptare". Pikërisht e veçanta qëndron tek personazhi kryesor i këtij reportazhi, e cila u bë shkak i realizimit të njërës prej ëndrrave të mia të para shumë viteve dhe që nuk e mendoja se do ta realizoja ndonjëherë, kaq befas dhe kaq mrekullisht. Znj. Media Vraniqi dhe vajza e saj Vanesa, të cilat i takova në Nju Jork në Qershorin e kaluar, në promovimin e librit tonë të përbashkët "Nënës". Aty lindi idea dhe dëshira e një ftese udhëtimi, sidomos nga Vanesa, e cila më përkëdhelte me fjalën e dashur, siç më thërrasin binjakët e vajzës, gjyshe. Ky udhëtim, u realizua në shtator! Kur të lexoni reportazhin do e kuptoni pse flet "Kësulkuqja" për botën e çudirave, por këtu ka vend ajo, realja, bota e madhe e Prizrenases së Teksasit, e cila më ka mahnitur me forcën dhe energjinë, me pjekurinë dhe zemërgjerësinë, me ngrohtësinë motrore dhe bujarinë. E tillë është Media e tillë dhe e bija dhe jo vetëm ajo, por edhe fëmijët e tjerë si yje, Vepra dhe Vendimi si dhe bashkëshorti i denjë i saj, z.Mustafë, patritot i mirënjohur në qarqet e gjera shqiptare. Ja pra, e dashur, Mondë, çfarë mrekullie dhe pasurie shpirtërore të japin lëvizjet, sidomos, kur ato shkojnë në drejtim të dashurisë njerëzore... Edhe
բse nuk ke fuqi, merr energji edhe për vite të tjera jete.

-Çasti më i vështirë?

-Nuk e di a do të kem të tjera, për t'i krahasuar me ato që kanë shkuar dhe që mundohem t'i harroj.

-Po më i lumtur?

-Është në arkivën e shpirtit tim dhe nuk mund ta rrëfej. Kam frikë nga lumturitë..

-Cila është dashuria më e madhe për Ilirianën?

-Vetë Dashuria, kur ajo është e tillë.

-Po urrejtja?

-Thuhet se po nuk di të urresh, nuk di as të dashurosh. Unë nuk jam plotësisht dakort me këtë përcaktim...

- A ka në jetën tënde ndonjë ngjarje që ia shihni apo ndjeni gjurmët ende?-

-Sigurisht që ka, ashtu si tek të gjithë. Mundohem të mos m'i shohë as gjysma tjetër e vetes. Megjithatë: -Dita e dasmës (pa dasmë); një piano e lënë gati në kulmin e karrierës sime dhe një kitarë e thyer, për të mos i rënë më kurrë..., thinjat, që si në legjendë, m'u shfaqën brenda 12 orëve; çasti, kur ndahesha me fëmijët në aeroportin e Rinasit, në drejtim të një klinike të huaj për kurim. Befas, veshi më zuri fjalët:"... gjynah, e shkreta, nuk e di që s'ka për t'u kthyer më..."

-Çfar të kënaq më shumë?

-Kur luaj me fëmijët; kur ma pëlqejnë atë që kam gatuar; kur shkruaj një poezi që ende më pëlqen, pas dhjetë herëve të lexuar; kur flas dhe marr mesazhe nga miq që më duan dhe më respektojnë. U jam borxh gjithë jetën, të gjithëve.

-Çfarë të shqetëson?

-Largësia me njerëzit, sidomos me krijuesit, sidomos me poetët, si me ata që janë në Shqipëri, në vendlindjen time, ashtu edhe ata që janë këtu, në Amerikë, apo nëpër shtete e kontinente të tjerë...

-Cilët autorë të ndjekin në muzë?

-Janë shumë jashtë dhe brenda vendit tim, shkrimtarë e poetë, të ikur dhe në jetë, por të përjetshëm... Për hir të respektit të veprës së tyre po përmend disa: Çehov, Cvajg, Remark, Simonov, Anna Ahmatova, Bërns, Alen Boskie, Pavlo Neruda (e veçoj), Pol Elyar, Agolli, Reshpja, ...

-Cilën ëndërr nuk keni realizuar?

-Aty ku mbaron ëndrra mbaron dhe jeta. Pas ëndrrës vrapon njeriu dhe nuk e zë dot kurrë...

-Po atë që nuk doni ta kujtoni?

-Ëndrrën e vrarë, ëndrrën e mashtruar, ëndrrën e fjetur... Por edhe pse nuk do ato janë brenda trurit, brenda kujtesës së jetës dhe njeriu gdhihet me 'to, fle për t'u gdhirë përsëri... Njeriu ka vetëm kujtesë, nuk ka harresë...

-Po atë që nuk doni ta prekni?

-Dhimbjen. Dhimbjen as nuk e ftojmë, as nuk e përzejmë dot. Ajo vjen e paftuar është bashkëudhëtare e pashmangshme me jetën e secilit... Puna është mos i biem në gjunjë e të na mbysë loti. Nuk jam dakord me shprehjen: "Nga dhimbje të mëdha dalin vepra të mëdha". Mos paçim kurrë vepra të tilla dhe nuk ia uroj asnjë krijuesi të tilla vepra... 

-"Sikur të isha djalë!" Këtë libër të Haki Stërmillit sikur ta afronim në vite dhe shkrimtari t'ju kishte Juve "personazhin" kryesor, do e pranonit?

-Kam një kujtim të bukur, si ushtarake. Marshoja me studentët mbi një javë, me ata marshimet e gjata. Një natë e kaluam te Kasollja, në Prodan, ku ka jetuar Haki Stërmilli dhe ka shkruar romanin "Sikur të isha djalë!" Na ndrinin urat e zjarrit. Aty një kolegu im më tha: "Iliriana sikur të ishe ti, personazh i romanit të Stërmillit, do të doje të ishe "djalë"? "Nuk do ta ndërroja, mbase jam më mirë kështu?!"-fola, pa u shpjeguar. Ndoshta do të isha e para, që në atë kasolle, të meditoja për romanin e H. Stërmillit, por ndjehesha e sigurtë në gjininë time. E doja veten, siç më kishte lindur nëna, e doja nënën dhe doja t'i ngjaja...
Pra, kam rënë në "mirëkuptim" me veten për të qenë "personazhi" femër, në të gjitha etapat e jetës. Dhe nuk do e ndërroja.. Kulmi, apo qendra e jetës së një femre është "të qenurit Nënë". Edhe pse kohët e kanë shtypur më tepër femrën, përsëri ajo ka qenë dhe është në rolin e vetë më të patjetërsueshëm. Le të flasin mençuria e popujve dhe gjenitë më mirë: "Nëna, ju e keni në dorë shpëtimin e botës!" thotë Tolstoi. (Le të bëj edhe unë, detyrën time për këtë!). " Zoti nuk mund të jetë gjithkund prandaj bëri nënat"... (le të jem edhe unë një krijesë për të bërë "punët e Zotit"). "Grua do të thotë udhëheqëse shpirtërore!" (le të jem dhe unë sadopak e tillë!)... "Një nënë fal kurdoherë, për këtë ka ardhur në botë"- thotë Aleksandër Dyma. (Le të bëj dhe unë aktin e faljes, për të qenë më të mirë e më të dashur njerëzit)."Për gruan dhe tokën le kokën" - thotë poeti ynë Dritëro Agolli, duke e shenjtëruar rolin e gruas... (Le të jem dhe unë një varg i asaj poezie)... "Për nënë dua të kisha një shqiptare"-shkruan anëtaria e Akademisë Franceze, shkrimtaria Marguerite Yorcenar. (Nuk ka koment kjo thënie!) Dhe le ta mbyll me një thënie të kandidates për presidente të SHBA-ve, Hillary Klinton: "Të drejtat e gruas janë të drejtat e njeriut!"... Ç'mund të them unë më shumë?! Ja pse nuk e ndërroj të qenit grua! 

-Keni shumë miq këndej e andej kontinentit, të hershëm e të rinj, cili është sekreti i këtyre lidhjeve të qëndrueshme?

-Nuk ka asnjë "sekret". Është Dashuria, më universalja fjalë e bukur, pa motivin e së cilës nuk mund të bëjmë as edhe një hap, nuk mund të kapërdijmë as edhe një kafshatë bukë, apo një gllënkë ujë. Që të duash të tjerët apo të të duan-është më e thjeshta që mund të bëjmë, pa paguar as një cent. Ta duam njëri-tjetrin, me të mirat dhe me të metat (gabimet) njerëzore; të njohim, pranojmë dhe të respektojmë vlerat e njëri-tjetrit. T'i "fshijmë" lotin, pa e pyetur "pse qan" dhe, kur ka nevojë për dikë , ta kuptojmë pa na e thënë dhe në çast t'i ndodhemi pranë (edhe duke qenë larg), me një fjalë , me ...ç'mund të jetë më e duhur sipas mundësisë. Dhe, kjo ka rëndësi , asnjëherë të mos ia përmendësh (ka një shprehje populli, nga më të vyerat: "Kur e jep njëra dorë, nuk duhet ta dijë dora tjetër"); t'i kuptosh dhe të të besojnë se, kur ke kohë i merr (apo të marrin), në telefon edhe disa herë në ditë. Kur nuk mundesh ti apo ata (ato), nuk duhet të dyshohet tek dashuria, miqësia... Kur heshtja vonon, shqetësimi nuk është dyshim për dashurinë, por për gjendjen shëndetësore apo probleme të tjera...
Kur erdha këtu, në Amerikë (detyruar nga detyra prej gjysheje), qaja me vete në çdo sekondë të njëzetekatërorëshit. Telefoni rrinte non-stop në veshin tim (në orët, kur latantët-binjakë të vajzës, më shumë flinin se ishin zgjuar), në drejtim të të gjitha hapësirave që mbulonte shpirti im, nga shtëpiza e vendlindjes, deri nëpër shtete e kontinente ku ishte i fluturuar...
Sot, nuk kam mundësi ta mbaj telefonin në vesh. Ma rrëmbejnë vogëlushët e "rritur". Por, edhe pse nuk mund të jem në "linjë" me 'ta jetoj më shumë se kurrë pranë tyre. Mendoja se do t'i humbja miqtë e jetës sime. Ndoshta do të mendonin se më "rrëmbeu" Amerika... Gabova. Më njihnin më mirë ata mua se unë veten time. Çdo ditë dhe në çdo orë të saj, më marrin në telefon, më dërgojnë një mesazh, më postojnë libra të sapo dalë në librari, apo pa dalë ende në "treg". Pra, më japin motivin e shenjtë të të jetuarit, edhe pse në largësi humbëtire...

-A ka emra të përveçëm?

-Të gjithë kanë emrat e tyre të përveçëm. Janë shumë t'i përmend. Janë nga të gjitha fushat, poetë , shkrimtarë, gazetarë, këngëtarë, piktorë e aktorë, ushtarakë, mësues(mesuesit e mi dhe të fëmijëve që nga fillorja...), shoqet dhe shokët e mi, që nga klasa e parë fillore, të tjerë nga jeta në ushtri...,komshinj...; shumë e shumë të tjerë në Shkup, Tetovë, Strugë, Kumanovë, Kërçovë, Gostivar.., në Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Vushtri, ...Ulqin... Secili (secila) ka emrin në kujtesën e zemrës sime...

-Ju kanë kushtuar poezi miq poetë, të cilët i kanë postuar në forume apo botuar nëpër organe të ndryshme të shtypit... Po citoj vargje nga disa prej tyre...

Kësulëkuqes

... s'ka plakje për ty, mikja ime e fëmijërisë
mpleksur tërë jetën me ëndrra pyjesh
me panja e bredha e dhelpra që fshihen
e të ndjekin tinëzisht nëpër lirishtat e botës...
... (Kolec Traboini - Boston)

Urim, Ilirianës 
Sot është e Diel, 9. 9. 2007.

E Diel ka qenë edhe para
gjysmë shekulli e ca...
E diel do të jetë edhe pas
gjysmë shekulli e ca...
Në gjithë Ditë Lindjet e Tua!...
Dhe Dielli do të ketë diell...
Dhe deti do te ketë dallgë...
Dhe mali do të ketë erë...
Dhe fëmijët do të dijnë të qeshin...
Dhe nënat do të kenë mall...
Dhe Njeriu do të ketë emër...
Si Poezia jote.
(Nase Jani.... Athinë)

Ilirianës, në vend të portretit

Një fluturz e buku
Më çiku nën vetull.
Më qeshi si kukull
Dhe më foli heshtur…
Një dritëz universi
Nën vetull më çiku
Aizbergët m'i ndezi
Vullkanet m'i fiku
(Demir Gjergji -Tiranë)

Kthjellët…
-poetes I.Sulkuqi-

E tejdukshme krejt:
Me kocka të holla zogu…-
Lot borziloku.
(Qazim Shemaj -Tiranë) 

Si të kam njohur dikur..
-poeteshës Iliriana Sulkuqi-

Si të kam njohur dikur...
Je dhe sot
Një princeshë e pagjumë
Që të bukurës,
Bukurisht i flet
Jo më kot.
(Fation Pajo - Çikago)

…Si e keni ndjerë veten kur i keni lexuar...?

-Si në ëndërr. Mrekullisht mirë. Pse, a nuk do të ndjehej çdokush kështu? Kjo më bën të besoj se do të jetoj për t'i larë këto borxhe ... Se nuk ka jetë tjetër. Këtu lahemi dhe lyhemi. Lyhemi dhe lahemi. Paguajmë ose na paguajnë. Askush nuk ikën nga kjo botë pa larë borxhet e bukur dhe të shëmtuar... Faleminderit, shpirtërisht, miqve të mi poetë për dhuratën kaq humane, siç është Kushtimi Poetik.

-Janë shprehur për ju "… Do të kërkoja që Sulkuqi dhe të tjerë poetë në mërgim të vendosen në antologjitë që botohen nga shteti dhe në librat e shkollës dhe të përmenden sidomos autorët që jetojnë në mërgim që kanë pasuri shpirtërore e vlera shumë më tepër se disa që jetojnë këtu dhe ende me miq zenë vend nëpër libra shkollore. A është e mundur që poezitë e këtyre të jenë edhe pikë referimi për ato dhjetëra universitete shqiptare ku studiohet për letërsinë shqipe?

-Shteti sillet indiferent ndaj njeriut. Si për shumë pjesë të jetës, që nuk i siguron dot normalitetin (drita, ujë, rrugë, spitale, paisje spitalore, shkolla, antingujimin, punësimin, etj. etj.) edhe për letërsinë dhe mbarëvajtjen e saj. Kush ta përzgjedhë të bukurën dhe letërsinë me vlerë? Më tepër harrohet, apo nuk njihet vlera dhe hyjnë nëpër antologji ata që duken, që "kapin nga xhaketa", apo lenë xhaketën me gjithë xhepa. Janë bërë disa Antologji nga botues, me "të përzgjedhurit" e tyre. Tekstet shkollorë, që nga gjimnazet e deri në universitete, mbajnë brenda më tepër "letërsi hatëri". Kjo është një e keqe e madhe, që s'dihet kur do të ndreqet në të mirë të përfaqësimit të letërsisë shqiptare dhe të pasurimit të kulturës shqiptare.

-Ç'mendime keni për femrën krijuese dhe intelektuale në Diasporë?

-Është gjë e mirë që Femra të ketë organizmat e veta të bashkimit, ku të dalin vlerat e femrës deri tek virtyti. Por nuk e konceptoj dot emërtimin "krijuese femra e meshkuj" Unë mund të bëj një libër duke i dhënë poezisë "gjininë" mashkullore. Siç mund të bëjë dhe një poet në gjininë tonë. Në Greqi është "Mali i Shenjtë" me manastire, kisha, priftërinj e murgjër. Venë vizitorë nga gjithë bota, por vetëm meshkujt. Thuhet se vetëm Shën Mëria ka shkelur në atë Mal. Pse? "Unë duke lexuar "Krishti u ngjall përsëri" të Kanzanxaqit, kam shkuar në atë Mal të Shenjtë. Për Shpirtërat s'ka doganë dhe policë-ndalimi... Shpirti poetik nuk njeh gjini.

-Ka shumë shoqata shkrimtarësh si në SHBA, apo në vende të tjerë të Europës, ku jetojnë krijues shqiptarë, si ju duken këto bashkime?

-Letërsia bëhet vetëm, është punë individuale, por ka nevojë edhe për "tavolina" shokësh e miqsh... Konti i letërsisë ruse Leon Tolstoi mblidhte shkrimtarët e kohës, që nga Turgenievi e deri tek Çehovi që ishte më i ri dhe lexonin tregimet, apo fragmente romanesh nga njëri-tjetri. "Ja kështu shkruhet tregimi!"- thoshte Turgenievi për novelat e Çehovit. E harronte gjeninë e vetë mjeshtri i letrave, se duhej harruar. Këtë rol duhet të luajnë edhe "tavolinat", shoqatat, apo Klubet e shkrimtarëve të ikur nga Shqipëria. Më pëlqen kjo fjala "Klub" si Klubi "Petëf " ( kam pasur fatin të marr pjesë në një mbrëmje poetike. Recitova "Atdhe"të Petëf-it, shqip dhe hungarisht, duke i rënë edhe pianos, me një pjesë nga Shophen. Kjo ka ndodhur më 1989, një natë para operacionit, në Budapest), apo ata të Parisit etj. Jam njohur me veprimtarinë e Klubit të Shkrimtarëve "Drita" në Athinë, që ka edhe një Revistë Letrare me emrin "Pelegrin", ku bashkon krijues të ikur nga Shqipëria, kudo qofshin ata. Bën Antologji e organizon konkurse me krijues edhe jashtë Greqisë... Vetë liria e të shkruarit i jep edhe liri gjeografike poetit apo shkrimtarit. Siç ka ky Klub anëtarë deri këtu në Amerikë edhe bashkimet e tjera të poetëve mund të kapërcejnë "kufijtë"... Pra, çdonjëri mund të bëjë zgjedhjen e vetë, ku ndjehet më mirë, larg fallciteteve letrare e mendjemadhësive vulgare... "Shokët (shoqet) i zgjedh, motrën e vëllanë nuk e zgjedh dot.", thotë mençuria popullore...

-Ju jeni anëtare e Forumit Bota e Gruas Shqiptare, forum të cilit ju i keni dhuruar shumë si me krijimtari ashtu edhe me komunikim që në ditën e anëtarësimit. Ç'mendim keni për këtë Forum dhe a keni ndonjë sugjerim për organizimin apo pasqyrimin e krijimtarisë në blogun revistë të tij?

-Faleminderit që çmoni kontributin tim modest në këtë forum special.Them modest se nuk kam dhënë shumë. Por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se pavarësisht nga kontributet individuale në këtë forum, si në krijimtari apo komunikime të ndryshme, diskutime dhe përshëndetje, kjo bashkësi e jona ka një të vërtetë të madhe. Një miqësi dhe një harmoni që na jep frymëzim dhe motivim, na qetëson dhe na jep forca. Një bashkësi intelektuale dhe krijuese. Një bashkësi nënash dhe motrash që gjejnë veten dhe ripërtërihen nga komunikimi dhe mbështetja shpirtërore. Një oaz qetësie dhe besimi reciprok. Ne që jemi të shpërndara nëpër skajet e globit gjejmë këtu njëra-tjetrën, ndajmë hallet e shqetësimet, mbështesim, frymëzojmë e frymëzohemi dhe krijojmë. Mësojmë për njëra-tjetrën, rritemi e piqemi shpirtërisht dhe artistikisht. Fakti i realizimit të librit "Nënës", përmes një grupimi të tillë specifik, flet më shumë se sa mund të flasë Kësulkuqja!
Por, megjithëse krijuesja e këtij forumi, të cilën e adhuroj, për organizimin, fantazinë kreative, për inteligjencën, shkathtësinë dhe dashamirësinë, Merita Bajraktari McCormack dhe ju moderatoret, Monda, Aida , meritoni fjalët më të mira e të sinqerta dhe përkedhelje mbas shpatullave, për punën e madhe që keni bërë e bëni, si me grupin, si me revistën letrare në internet, mendoj se ka vend për një sugjerim,meqe jam edhe pak "më e moshuar" në vite dhe krijimtari.Mendoj se duhet t'i hapet vend një rubrike për fëmijët shqiptarë në emigracion.

-Çfarë po shkruan Iliriana?

-Mendoj tregime e shkruaj poezi... Kështu ndodh me krijuesit. Dhe kur mendon dhe shkruan nga ato gjinitë e mëdha, si novela apo romani, poezia të shfaqet befas.

- Si një poeteshë me përvojë, ç'farë mesazhi kini për talentet e rinj, për inkurajimin e tyre në zhanrin e poezisë?

-Veç një gjë i them vetes që ta dëgjojnë dhe të rinjtë. Gjithë jetën e mendoj veten "Letrare e Re". Njeriu nuk është si e mendon veten, por si e mendojnë dhe e vlerësojnë të tjerët...

-Sa citova me lart, profesioni i juaj është ushtarake. Një pyetje paksa delikate: Si ju duken përpjekjet e politikës ndërkombëtare, asaj shqiptare e kosovare e në Diasporë për çështjen e Kosovës e në përgjithësi për çështjen kombëtare shqiptare?


-Të qenit ushtarake nuk ka ndonjë të veçantë për këtë pyetje, se ushtria tashti ka dalë nga "kornizat" për "Mbrojtjen e Atdheut". Atdheu sot (për ne) "mbrohet" më tepër nga politika ndërkombëtare dhe strukturat ndërkombëtare. Sa aktive janë ato sot s'kanë qenë kurrë në historinë e të qenit Shqipëri apo Komb Shqiptar. Edhe lëvizja e emigrantëve, nëpër shtetet e Europës dhe SHBA, kanë bërë që "Bota" të na e dijë emrin, pastaj të na kushtojë vëmendje më të madhe. Intelektualët shqiptarë nëpër botë dhe veças njerëzit e letrave, të artit e të kulturës, janë bërë "ndërgjegja" e kombit... Shoqatat, veprimtaritë, kanë shërbyer për njohjen dhe integrimin tonë aty ku na shpuri "fati". Sa për politikën dhe diplomacinë? Ajo është e kontrolluar, e udhëzuar, e rekomanduar dhe shpesh e vonuar... Kur hapet ndonjë "dritare" duhet shfrytëzuar. Po e humbe? E humbe. Kosova sot është "Emër i përvetshëm" në politikën botërore dhe në njohjen qytetare. Pastaj vjen dhe Shqipëria... I vaftë mbarë Kosovës, në Fitoren e Pavarsisë se i ka munguar në shekuj dhe e ka ushqyer me gjak "Pemën e lirisë"! I vaftë mbarë dhe Shqipërisë! Asgjë nuk mund të parashikohet. Se, më tepër ndodh e pamundura sesa e mundura. Kështu ndodh, duam apo s'duam ne...

-A do kthehet Iliriana ndonjë ditë në Atdhe!

-Unë s'jam e ikur nga Atdheu. Aty kam njerëz, kam shokë e shoqe, kam fëmijërinë, rininë, jetën... Kam nënën mbi të gjitha dhe varrin e babait... kam Atdheun, me një fjalë. "Atdheu fillon nga zemra", shkruante para disa vjetësh një poet tepelenas. I jap të drejtë Poetit. Dhe trupërisht vete në Atdhe, dua të vete dhe do të vete...

-Si një njeri i letrave shqipe, cili është mesazhi i juaj, për krijuesit në Diasporë, në veçanti për femrën krijuese, për ruajtjen e vlerave dhe identitetit kombëtar?

-Femra lind njeriun, por kur lind dhe poezinë apo bën letërsi, është dy herë krijuese... Dhe kur është jashtë vendlindjes, është krijuese më e dashur e më e dhembshur. Vlerat kombëtare ruhen duke krijuar dhe ruhen duke ruajtur simbolet e jetës e të kombit. Tre janë simbolet, sipas meje: Emri-Shqipëri, Flamuri-kuq e zi, Gjuha-shqipe. Ruajtja më e madhe dhe më me vlerë është gjuha shqipe. Të mos e harrojmë vetë, t'jua mësojmë fëmijëve, nipërve e mbesave. Ky është shërbimi më i madh që i bëjmë familjes, fisit, historisë së kombit...

Intervisten e realizoi:  
Raimonda MOISIU

PAS TIRANES -"LIRIKË SHPIRTI" NË TEATRIN "SKAMPA" TË ELBASANIT


PAS TIRANES - "LIRIKË SHPIRTI" NË TEATRIN "SKAMPA" TË ELBASANIT

Në qytetin e bukur të Elbasanit me 18 tetor 2013 u organizua shfaqja e filmit dokumentar "Lirikë shpirti" kushtuar bijës së këtij qyteti, poetes shqiptaro-amerikane Iliriana Sulkuqi. Në sallën e shfaqjeve të teatrit "Skampa" pasi u prezantuan autorët e filmit prej poetit elbasanas Fatmir Musai; skenaristen Angjelina Xhara, operatorin Ilia Terpini- Mjeshtër i Madh, regjisorin Kolec Traboini dhe Artisten e Popullit Margarita Xhepa, që ka lexuar poezite e filmit, u fol për krijimtarine poetike të Iliriana Sulkuqit që lidh poetikisht Elbasanin dhe New Yorkun tej e përtej oqeanit Atlantik. Në shfaqje ishin të pranishëm mjaft artdashës, admirues të poezisë si dhe krijues elbasanas në mes të cilëve piktori Xhemal Lufta, violinisti Zeqir Sulkuqi, ndodhej gjithashtu dhe Artistja e Popullit Tinka Kurti, përkthyesi elbasanas Bardhul Toda e tjerë.
Bashkë me filmin "Lirikë Shpirti" u shfaqën dhe etydet poetike kushtuar Migjenit (1911-1938) dhe poetes Zhaneta Ogranaja( 1938-2013) që është ndarë nga jete kohët e fundit.
Pas shfaqjes u organizua një koktej.



Në foto grupi realizues i filmit: operatori Ilia Terpini- Mjeshtër i Madh, skenaristja Angjelina Xhara, poetja Iliriana Sulkuqi, aktorja Margarita Xhepa -Artiste e Popullit dhe regjisori Kolec Traboini



“Lirikë shpirti”, një dokumentar për poeteshën shqiptare nga SHBA



Nga Prof. Murat Gecaj

1.
Jemi mësuar që, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytetin Tiranë, të marrim pjesë në veprimtari përuruese për libra ose ekspozita pikture. Po, kësaj here, ishte diçka tjetër, e veçantë. Vërtet të ftuarit do të mblidheshin në një veprimtari për krijimtarinë poetike të koleges e mikes, Ilirjana Sulkuqi, me banim në Amerikë, por organizimi ishte i një natyre jo të zakonshme.
Kur salla kryesore ishte mbushur plot me të ftuar, poetë, shkrimtarë, publicistë e studiues, punonjës të arsimit e kulturës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, përpara dolën një grup kolegësh. Ata ishin organizatorët dhe realizuesit e një dokumentari të bukur, me titullin e zgjedhur “Lirikë shpirti”, kushtuar jetës dhe krijimtarisë së gjerë e të bukur poetike të Ilirjana Sulkuqit.
Nuk zgjati shumë salla ra heshtje. I pari e çeli veprimtarinë regjisori i dokumentarit, Kolec Traboini. Pas atij, sigurisht shkurt, folën publicisti Albert Zholi, skenaristja Angjelina Xhara dhe kameramani Ilia Terpini-“Mjeshtër i Madh”. Ndërsa vetë Iliirjana i falënderoi nga zemra realizuesit e këtij dokumentari dhe pjesëmarrësit në këtë veprimtari.
Të pranishmit e ndoqën me kurreshtje dokumtarin, i cili nisi të shfaqej në ekran. Ai përmbante filmime nga jeta e Ilirjana Sulkuqit dhe recitime të disa poezive më të zgjdhura të saj, nga aktorja e njohur Margarita Xhepa.Tematika e tyre ishte e larmishme dhe i kushtoheshin mallit për vendlindjen, nënës, Kosovës, mërgimit etj.
Pasi të pranishmit e duartrokitën nxehtësisht këtë dokumentar, për ata u dhanë në ekran pjesë filmike, kushtuar jetës e krijimtarisë së poetes së persekutuar dhe tanimë të ndjerë, Zhaneta Ogranaja, si dhe ato me temë: “Migjeni, si Krisht”, realizuar nga K.Traboini.
Por, në mbyllje, interesin e veçantë të të pranishmëve e tërhoqi dokumentari kushtuar historikut të krijimit dhe veprimtarisë atdhetare të Shoqërisë “Vatra”, me organin e saj “Dielli”, në Boston të Amerikës dhe sidomos për ndihmesën e dhënë nga Fan Noli, Faik Konica etj.

2.

Ndoshta, nuk është e nevojshme të ndalemi këtu gjerësisht në jetën dhe krijimtarinë letrare të Ilirjana Sulkuqit. E them këtë gjë, pasi atë e gjejmë të pasqyruar në disa qendra Interneti e në shtyp, për atë flet skedari i Bibliotekës Kombëtare etj. Megjithatë, dëshiroj të rikujtoj se kjo bijë e njohur e Elbasanit, pas mbarimiut të studimeve për gjuhë-letërsi, punoi ca kohë gazetare në Tiranë dhe që nga viti 2004, është vendosur familjarisht në Nju Jork.
Krijimtarinë e ka filluar që në bankat e shkollës. Frtyt I kësaj pune janë mbi 10 libra poetikë të botuar, duke nisur që nga viti 1974. Ndër ta, dëshiroj të përmendi këtu dy vëllime me shumë autorë, të përgatitur nga Ilirjana, kushtuar nënave, me titullin “Karvan dashurie”. Për disa nga libra e saj, është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe disa libra të saj janë përkthyer në gjuhë të huaja. Bën pjesë në disa shoqata të ndryshme të shkrimtarëve e publicistëve dhe drejton revistën letrare-artistike “Pelgrini”, me shkrime kryesisht të emigrantëve shqiptarë.
…Rikthimin përmes një dokumentari të veçantë, e Ilirjana Sulkuqit, kësaj poetje të dashurisë e dhimbjes njerëzore, në mjediset e krijuesve kryeqytetas, ajo e meriton plotësisht. Njëkohësisht, ishte dhe diçka emocionuese, si për atë vetë dhe pjesëmarrësit e shumtë në veprimtarinë, që përmendëm më lart.
Me këtë rast, i urojmë asaj: shëndet të plotë, arritje të reja në krijimtarinë letrare, begati, gëzime dhe lumturi në familje!

Tiranë, 11 tetor 2013
Botuar ne gazeten ILLYRIA New York

Grupi realizues i filmit dokumentar bashke me poeten Dije Dibra e bashekshortin e saj ne lokalin kafene-librari prane teatrit "Skampa" Elbasan 18 tetor 2013.

Intervistë: Iliriana Sulkuqi







Flet poetja e njohur Iliriana Sulkuqi:
Një ditë dua të vdes në tokën e të parëve të mi



Dëshirës për të realizuar një intervistë me ju i jeni përgjigjur me heshtje. Përse?
Mund të jetë kështu, por pa të keq. Intervista është portreti i dyfishtë ose më saktë, një portret me dy personazhe. Prandaj, unë me “heshtjen” time kam patur dhe merakun që të justifikoja “fjalën” time para jush dhe lexuesit. Duhet të flasësh kur diç ke për të thënë. Edhe kur pi një kafe me një shoqe apo shok duhet të shkëmbesh informacion, aq më tepër në një bashkëbisedim publik, siç është intervista... Pastaj, për të qenë e sinqertë, dua të them se të tilla intervista, me postime pyetjesh dhe me postime përgjigjesh shpesh më duken hipokrizi. Vetëm se i bëjmë qejfin vetes dhe njëra-tjetrës apo njëri-tjetrit. Kujt i shërbejnë? I bëjmë për njeri -tjetrin? Kjo s’ka kuptim. I bëjmë për brezin pas nesh, d.m.th, për fëmijët tanë? Edhe kjo s’ka asnjë vlerë. Ku janë, ku i kemi? Ku kanë kohë ata të lexojnë “bëmat” tona. Ata ende vrapojnë, sa nga një shtet në tjetrin, sa nga një “fshesë”, në tjetrën, sa nga një shkollë në tjetrën... Po harrojnë edhe gjuhën e mëmës, po harrojnë edhe ata që i kanë lindur. Eh, kjo është vuajtja jonë, që nuk di se kur do të shuhet një ditë…
Jeni një krijuese e njohur në Shqipëri, ç’mund të na thoni për botimet tuaja të fundit?
Shkruaj. Pa shkruar nuk mund të rri. Por jo çdo gjë e shkruar ka vlerat e botimit. Këtu është “udhëkryqi” midis poetit dhe lexuesit. Krijimtaria është e poetit sa nuk i janë vënë kapakët librit dhe ISBN-ja e Shtëpisë Botuese. Pastaj bëhet pronë e lexuesit. Kështu ndodh edhe me ato krijime, që hidhen për lexuesin në faqet e internetit. Kohët e fundit kam përgatitur një përmbledhje të re me poezi dhe shpresoj ta promovoj në Tiranë, tani në tetor, në muajin e letërsisë…
Domethënë, do të shkoni në Shqipëri?
Me shpresë te Zoti dhe te zemra ime që më rreh plot mall për vendin tim të shtrenjtë, nga mezi i tetorit do të jem në Tiranë…
Ju tashmë jetoni në Amerikë. Çfarë ka sjellë në krijimtarinë tuaj ky ndryshim gjeografik?
Njeriu në gjithë jetën ka vetëm një Atdhe. Njeriu mund të lëvizë në të gjithë kontinentet e rruzullit, mbase dhe në Hënë, por Atdheun nuk e tjetërson dot. Dhe kush thotë se “... m’u bë atdhe i dytë”, mashtron veten dhe atë që e lexon apo e dëgjon. Kam lexuar një mikun tim, poet, i ikur dhe ai jashtë Shqipërisë. Kur e pyetën nga je, u përgjigj: “Nga vendi më i bukur në botë”!. Sikur Dantja të kishte shkruar vetëm për Parajsën, nuk do të ishte e pavdekshme “Komedia Hyjnore”. Duhej dhe Ferri që t’i jepte vlerë e kuptim. Dhe kjo ndjenjë e Atdheut të bukur nis nga gjiri i nënës, nga vendlindja, porta, rrugicat e deri në bulevardet e qytetit, në malin e Krastës, në ujin e Shkumbinit, në... Edhe krijimtaria aty nis dhe... aty mbaron. Ardhja ime në SHBA, ashtu si dhe qëndrimi për disa vite në Greqi, në Kretën e të madhit Kanzanxaqi, nuk besoj se kanë sjellë ndonjë ndryshim të madh në muzën time krijuese. Por ardhja këtu në Amerikë më ka pasuruar me ndjesitë pranë familjes, me aromën e dy nipërve dhe mbesës, aq të dashur e të domosdoshëm për mua...
Pra, keni jetuar edhe në Greqi, diçka për ndryshimin midis dy mërgimeve?
Emëruesi ka të njëjtin emër: mërgim. Numëruesi ndryshon si nata me ditën. Nëse në Greqi, edhe pse punova familiarisht për shumë kohë, edhe pse kisha miqësi me familje greke (të cilat i ruaj edhe sot), prapë racizmi dhe “fshesa e hekurt” e atyre viteve ishin të pashembullta për kohën e sotme, aq më tepër nga një shtet që është fillesa e Botës dhe vetë kultura e saj... Ndërsa Amerika është tjetër gjë, edhe pse dua të iki një orë e më parë prej këndej... Ama, për këtë, nuk ma ka fajin Amerika, e cila më ka pajisur me të gjitha dokumentet legale dhe sigurimet sociale, që pas një jave të ardhjes këtu; që jam e lirë të lëviz ku të më çojë ëndrra, që gati 120 kombe, të racave dhe të ngjyrave të ndryshme punojnë së bashku dhe respektojnë njeri-tjetrin pa asnjë dallim...
Ju keni qenë ushtarake në Shqipëri. Çfarë ndikimi ka patur në krijimtari jeta ushtarake?
Po unë kam kryer studimet në Shkollën e Lartë të Oficerëve dhe kam shërbyer për gati 25 vjet si oficere e Ushtrisë shqiptare. Dhe dëshiroj të ritheksoj se kam qenë me fat që zgjodha këtë rrugë në jetën time, domethënë që i shërbeva atdheut tim si ushtarake. Ndofta këto fjalë do t’i thosha edhe po të kisha patur një profesion tjetër. Por të qenit ushtarake më ka dhënë “një shpirt dhe një botë” tjetër që nuk e kanë pasur të tjerët. Privimet që më ka krijuar jeta ushtarake, (natyrisht për femrën ato janë më të mëdha) kanë bërë që unë sot jam Iliriana, siç jam! Sesi mund të isha pa këtë jetë, nuk e di. Në formimin tim si poete dhe krijuese letrare padyshim që jeta ushtarake ka qenë determinuese. Këtë nuk e them aspak për nostalgji të viteve që kanë shkuar, por vërtet jeta ushtarake është e veçantë.
Jeta në ushtri është si në një familje të madhe, ku dashuria, respekti dhe shpirti i solidaritetit janë të shkrirë me njëri-tjetrin. Keni dëgjuar kur thonë: “shoqëria ushtarake nuk harrohet”, “e kam shok të ushtrisë” etj. Dhe unë kam pasur shokë e shoqe të panumërta në ushtri, por miqtë më të mirë kanë qenë dhe mbetën krijuesit ushtarakë, që unë kam dëshirë t’i quaj “Familja e Poetëve dhe Shkrimtarëve me Uniformë”. Janë shumë, por në pamundësi që t’i përmend të gjithë po kujtoj: Lirim Deda, Ibrahim Gani, Thanas Jani; shoqet e mia të shtrenjta Julia Naçi, Lida Grazhdani, Merita Caci; po vazhdoj me Sotir Lashova, Nevruz Shehu, i ndjeri Kujtim Halili, Bashkim Çepele, Hysni Milloshi, Thanas Tane, Apostol Duka, Roland Musta, Bashkim Kozeli, Fuat Çeliku, Fluturak Germenji, Mina Qirici, Milianov Kallupi, Luan Malaj, Arben Duka, Muharrem Dardha, Afrim Imaj, Bardhyl Gosnishti, Kujtim Boriçi, Fation Pajo, Riza Lahi, Kasem Saliasi…
Dhe të gjithë këta ushtarakë?
Ka dhe shumë të tjerë, por të më falin që s’po jua përmend emrin, thjesht për efekt vendi, sepse dashuria dhe malli për ta është i njëjtë. Sidomos kur je larg tyre siç jam unë, kur ke vite e vite që shumë prej tyre nuk i ke takuar, malli i kalon kufijtë njerëzor. Një pjesë e madhe e tyre tashmë janë larguar nga Forcat e Armatosuara. Mosha ka bërë punën e vet, por edhe reformat që më shumë se këdo përfshin këtë strukturë. Por gjithsesei në shpirt të gjithë ne do të mbetemi ushtarakë të përjetshëm të atdheut tonë. Jam e lumtur se me shumë prej tyre do të takohem shumë shpejt në Tiranë …
Si shpjegohet që kaq shumë krijues ushtarakë?
Dëgjo, unë mund të të jap shumë shpjegime për kët fakt krejt të vërtetë, por përsëri druaj se nuk do të më besosh. E thashë më sipër, jeta ushtarake është një jetë e vështirë dhe një jetë e tillë të bën jo vetëm shumë të fortë, por edhe shpirtin ta zbut, edhe ëndrrat t’i shumëfishon… Që të më besosh, të rekomandoj të rilexosh poezitë e poeti të madh rus Lermontovit, që ka qenë oficer…
Cilët autorë të ndjekin në muzë...?
Janë shumë jashtë dhe brenda vendit tim, shkrimtarë e poetë, të ikur dhe në jetë, por të përjetshëm... Për hir të respektit të veprës së tyre po përmend disa: Çehov, Cvajg, Remark, Simonov, Anna Ahmatova, Bërns, Alen Boskie, Pablo Neruda (e veçoj), Pol Elyar, Agolli, Reshpja.
Po ta afronim në vite “Sikur të isha djalë!” të Haki Stërmillit dhe shkrimtari t’ju kishte “personazhin” kryesor, do e pranonit?
Po më sjell në mendje një kujtim të bukur, si ushtarake. Kur shërbeja si oficere në ish-Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, marshoja me studentët mbi një javë. Një natë e kaluam te kasollja, në Prodan, ku ka jetuar Haki Stërmilli dhe ka shkruar romanin “Sikur të isha djalë!” Ishte një natë e ftohtë dhe fytyrat tona na i ndrisnin urat e zjarrit. Aty një kolegu im më tha: “Iliriana, sikur të ishe ti personazh i romanit të Stërmillit, do të doje të ishe “djalë”? Pa u shpjeguar gjatë, mbaj mend se i thashë: “Nuk do ta ndërroja, mbase jam më mirë kështu?!”. Ndoshta në ato kushte dhe në atë kasolle, duke medituar për romanin e Stërmillit, mund edhe të të lindnin dyzime rreth pyetjes që më bëri kolegu im i mirë, por ndjehesha e sigurtë në gjininë time. E doja veten, siç më kishte lindur nëna, e doja nënën dhe doja t’i ngjaja...Pra, kam rënë në “mirëkuptim” me veten për të qenë “personazhi” femër, në të gjitha etapat e jetës. Dhe nuk do e ndërroja. Edhe pse kohët e kanë shtypur më tepër femrën, përsëri ajo ka qenë dhe është në rolin e vetë më të patjetërsueshëm. “Nëna, ju e keni në dorë shpëtimin e botës!”, thotë Tolstoi. Le të bëj edhe unë, detyrën time për këtë!. ”Për gruan dhe tokën le kokën”, thotë poeti ynë Dritëro Agolli, duke e shenjtëruar rolin e gruas... Le të jem dhe unë një varg i asaj poezie...
Dhe së fundi, a do kthehet Iliriana ndonjë ditë përfundimisht në Atdhe!
Unë s’jam e ikur nga Atdheu. Aty kam njerëz, kam shokë e shoqe, kam fëmijërinë, rininë, jetën... Kam nënën mbi të gjitha dhe varrin e babait. Kam Atdheun, me një fjalë. “Atdheu fillon nga zemra”, shkruante para disa vjetësh një poet tepelenas. I jap të drejtë poetit. Trupërisht jam në Atdhe, së shpejti do të vete në Tiranë dhe në Elbasan, sërish do të kthehem në Amerikë te nipërit e mi të mrekullueshëm…Dhe një ditë dua të vdes në tokën e të parëve të mi.
Përgatiti për botim: Muharrem Dardha