“NJË SHPORTË SA QIELLI – ME DASHURI...”
- Intervistë me poeten Iliriana Sulkuqi (
Kësulkuqja)
Aty nga fundi i viteve '70 , në një rreth miqësor, do të më jepej rasti për
herë të parë, fizikisht , të takoj poeten dhe shkrimtaren Iliriana Sulkuqi.
Ishte e veshur ushtarake e ndodhej mes nje grupi ushtarakësh me grada të larta
si, Arif Hasko, Vehip Fejzulla,...por qe kjo vajzë simpatike e hijshme me
uniformë,me flokët e gjata mbi supe, i kishte bërë " zap" gjeneralët,
duke ju recituar vargjet e saj poetike që sapo kishte krijuar. Ekspresiviteti i
vargut të saj poetik, plot dashuri , ndjenjë e mirësi, më bëri që gjatë gjithë
jetës sime ta ndiqja,këtë talent të lindur vetëm për poezi, në gazetën
"Zëri i Rinisë", Drita ", revista "Shqiptarja
..."...si dhe në organe të tjera letrare të shtypit shqiptar. Por bota
është e vogël ! Ja ku unë përsëri takohem me këtë urtësi e mençuri, madhështi
për nga krijimmtaria e saj, këtu në USA.Ajo nuk ndalet! Vargu dhe pena e saj
krijuese vërshon vrullshëm ,kudo, në listat virtuale, shtypin shqiptar në
Diasporë , Shqipëri ,Kosovë e kudo në botë! Meraku i vetëm i poetes , shkrimtares
, është :Dhuro sa më shumë dashuri, tek të gjithë njerëzit pa dallim feje,race
apo ideje! Meraku i saj janë fëmijët e lindur në tokën e huaj, për brezin e ardhshëm
shqiptar në Diasporë ,USA, e kudo ku ka komunitet shqiptar në botë dhe mesazhi
që transmeton kjo poete , shkrimtare , nënë , gjyshe: Mësojuni fëmijëve gjuhën
e Mëmëdheut , gjuhën shqipe ,trashëgoni të ta,traditën, zakonet e vlerat më të
mira kombëtare dhe IDENTITETIN tonë KOMBËTAR! Duke lexuar intervistën e Lili -t (Sa më pëlqen ta thërras me këtë emër!), ju
do të befasoheni ,nga forca dhe e vërteta e fjalës së saj, nga "
vrapimi" i saj për të krijuar, nga virtyti i mirësisë dhe i dashurisë (me
plot bindje do ta quaja Binomi Poet-Njeri), që e karakterizon këtë perlë të
letrave shqipe!
-Kam shumë kohë që kam dashur të realizoj një intervistë me ju. I jeni
përgjigjur me heshtje. Përse ?
-Ke të drejtë Monda, kur thua se disi jam shmangur, por pa të keq. Intervista
është portreti i dyfishtë, ose më saktë, një portret me dy personazhe. Prandaj,
unë me "heshtjen" time kam patur dhe merakun, që të justifikoja
"fjalën" time para jush dhe lexuesit. Duhet të flasësh kur diç ke për
të thënë. Edhe kur pi një kafe me një shoqe apo shok duhet të shkëmbesh
informacion, aq më tepër në një bashkëbisedim publik siç është intervista.... Pastaj,
për të qenë e sinqertë, a do të të them të vërtetën e vërtetë që më dhemb në
shpirt? Të tilla intervista, me postime pyetjesh dhe me postime përgjigjesh,
për mua janë hipokrizi. Vetëm se i bëjmë qejfin vetes dhe njera-tjetrës apo
njeri - tjetrit. Por këto janë kushtet e sotme.. Tjetër, kujt i shërbejnë? I
bëjmë për njeri -tjetrin? Kjo s'ka kuptim. I bëjmë për brezin pas nesh, d.m.th,
për fëmijët tanë? Edhe kjo s'ka asnjë vlerë. Ku janë, ku i kemi? Ku kanë kohë
ata të lexojnë "bëmat" tona... Ata, ende vrapojnë, sa nga një shtet
në tjetrin, sa nga një "fshesë", në tjetrën. Sa nga një shkollë në
tjetrën... Harrojnë edhe gjuhën e mëmës, harrojnë edhe ata që i kanë lindur...
Mirë, ata që kanë prindërit, gjyshër apo gjyshe pranë, diçka mësojnë ... Po
pastaj... çfarë do të lexojnë? Sa të rinj lexojnë gazetën shqiptare, këtu në
Amerikë, sa të tjerë qoftë edhe në Shqipëri apo nëpër shtete të tjerë
mërguar...? Ndoshta vetëm për ndonjë lajm mërgimi, punësimi, shkollimi, biznesi...
dhe këtu mbaron gjuha. Fillon artikulimi i saj drejt mbijetesës, drejt së
panjohurës, duke hedhur pas shpine të njohurat e trashëguara... Ka edhe shumë
arsye të tjera...
-Jeni një krijuese shumë prodhimtare, ç'mund të na thoni për botimet tuaja të
fundit?
-Shkruaj. Pa shkruar nuk mund të rri. Por jo çdo gjë e shkruar ka vlerat e
botimit. Këtu është "udhëkryqi" midis poetit dhe lexuesit.
Krijimtaria është e poetit (shkrimtarit), sa nuk i janë venë kapakët librit dhe
ISBN-ja e Shtëpisë Botuese. Pastaj bëhet pronë e lexuesit. Kështu ndodh edhe me
ato krijime që hidhen për lexuesin në faqet e internetit. Pra, për botimet e
mia le të flasë lexuesi im.
-Ju jeni një emër i dëgjuar. Ne ju lexojmë vazhdimisht, në shtypin shqiptar në
Shqipëri e Diasporë, edhe pas ardhjes në SHBA. Çfarë ka sjellë në krijimtarinë
tuaj ky ndryshim gjeografik?
-Njeriu në gjithë jetën ka vetëm një Atdhe, ose Mëmëdhe, që mua më duket më
intime si fjalë. Njeriu mund të lëvizë në të gjithë kontinentet e rruzullit,
mbase dhe në Hënë, por Atdheun nuk e tjetërson dot. Dhe kush thotë se "...
m'u bë Atdhe i Dytë", mashtron veten dhe atë që e lexon apo e dëgjon. Kam
lexuar një mikun tim-poet, i ikur dhe ai jashtë Shqipërisë. Kur e pyetën nga
je? U përgjigj: Nga vendi më i bukur në botë!" Sikur Dantja të kishte
shkruar vetëm për Parajsën, nuk do të ishte e pavdekshme "Komedia
Hyjnore". Duhej dhe Ferri, që t'i jepte vlerë e kuptim. Dhe kjo ndjenjë e
Mëmëdheut të mirë e të bukur nis nga Gjiri i Nënës, nga Vendlindja, porta,
rrugicat e deri në bulevardet e qytetit, në malin e Krastës, në ujin e
Shkumbinit, në... Pra, Atdheu është si Atomi në një Molekulë-jete. Edhe
krijimtaria aty nis dhe... aty mbaron. Ardhja ime në SHBA, më ka pasuruar me
ndjesitë pranë familjes, me aromën e dy nipërve dhe mbesës, aq të dashur e të
domosdoshëm për mua... Pastaj dhe ngopjet e syrit me pamje të tjera. Të qenit
këtu i ka dhenë vlera të tjera Dashurisë dhe Mallit, pa të cilat nuk punon dot
"Shpirti i Poetit".
-Ju kaluat një periudhë të gjatë në Greqi, me çfarë mbresash vjen Iliriana që
andej dhe diçka rreth aktivititetit e krijimtarisë suaj atje.
-Greqia për poetin është thesar. E lakmuar në të gjitha kohët. Greqia ka
statujat e Perëndive dhe shtatoret e filozofëve të lashtësisë, ka diellin,
detin, gjelbërimin, ka rreth 2000 ishuj. Më i madhi është Kreta, ku edhe unë
kam jetuar. Por unë nuk vajta turiste për t'u frymëzuar si Gëtja, apo Gorki...
Unë isha emigrante, që doja të jetoja duke mbijetuar. Dhe, në këtë mbijetim,
frymëzimi ishte i pranishëm.
Sa bukur e kemi ne fjalën "Frymëzim"! Ka në rrënjë fjalën
"Frymë", domethënë të zihet fryma. M'u zu edhe mua fryma në Kretë dhe
shkruajta poezi e tregime, që nuk më pëlqejnë vetëm mua. Disa prej tyre, do
t'ia rijap lexuesit edhe tek libri i ri që kam në proces botimi... Të jetosh në
Kretën e Kanzanxaqit të madh, është fat, edhe kur je i pafat! Edhe pse punoja
për bukën e gojës, një javë shkundje ullinjsh ia bëra hallall Kanzanxaqit. I
vajta deri te varri, shumë larg nga vendqendrimi im, me një kurorë lulesh të
freskëta, thuajse të gjitha ngjyrat e trëndafilave. Sa varr i thjeshtë. Vetëm
një kryq dhe mbishkrimi, epitaf i lënë prej tij: "Sot dhe
përgjithmonë...". Sikur të kisha mundësi, do të kisha mbledhur lule malesh
e fushash e do ta kisha thurrur vetë kurorën... Do t'i shkonte më shumë këtij
varri...
-Ndryshimi midis dy mërgimeve?
-Emëruesi ka të njëjtin emër-mërgim. Numëruesi ndryshon si nata me ditën. Nëse
në Greqi, edhe pse punova familiarisht për shumë kohë, edhe pse kisha miqësi me
familje greke (të cilat i ruaj edhe sot), prapë racizmi dhe "fshesa e
hekurt" e politikës greke janë të pashembullta në kohën e sotme, aq më
tepër nga një shtet që pretendon se është fillesa e Botës dhe vetë kultura ...
Ndërsa Amerika, tjetër gjë, edhe pse dua të iki një orë e më parë prej
këndej... Ama, për këtë, nuk ma ka fajin Amerika, e cila më ka pajisur me të
gjitha dokumentet legale dhe sigurimet sociale, që pas një jave të ardhjes
këtu; që jam e lirë të lëviz ku të më çojë edhe ëndrra, që gati 120 kombe, të
racave dhe të ngjyrave të ndryshme-punojnë së bashku dhe respektojnë
njeri-tjetrin pa asnjë dallim...
- Poezia juaj është e arrirë dhe e vlerësuar nga kritikët . Çfarë mund t'ju
ofroni krijuesve në përgjithësi nga përvoja juaj?
-Sot, dhe fjala "sot" mban gati dy dekada brenda, kritika e
specializuar ka heshtur. Apo nuk qëndron më si "institucion". Është
zëvendësuar nga "mendimi i shokëve". Kjo ka të mirën dhe të keqen e
vetë. Mendimi shoqëror ka sinqeritetin dhe vërtetësinë brenda, por mund të
ndodhë dhe e kundërta. Sot, brenda ditës, bëhesh poet, pa ditur se ç'është
poezia. Ose dhe e kundërta, harrohesh po nuk "trokiti" kush në dyert
e krijimtarisë tënde. Sa për përvojën? Nuk ka shkollë. Çdo krijues ka përvojën
e vet, që ndryshon nga e tjetrit. Përvoja është si e ndjej unë jetën-botë, si e
shoh unë botën-jetë,... si puna e numërave të syzave, dikush i ka 0, 75, dikush
i ka, 2.5 dhe unë...(e kam treguar numrin në një poezi). Veç ka një të vërtetë
të përbashkët: Të jemi të vërtetë në krijimtari. Poeti s'duhet të gënjejë
kurrë... Poeti është si Profetët... (flas për ata që s'gënjejnë)...
- Keni qenë ushtarake në Shqipëri, kur filloi poezia të trokasë në shpirtin
tuaj? Çfarë ndikimi ka patur në krijimtari jeta ushtarake?
-Kam qenë me fat që kam qenë ushtarake. Këto fjalë do të thoshja edhe po të
kisha një profesion tjetër. Por të qenit ushtarake më ka dhënë një
"Botë" tjetër që nuk e kanë pasur të tjerët. Privimet që më ka
krijuar jeta ushtarake (për femrën janë më të mëdha) kanë bërë që unë sot jam
Iliriana, siç jam! Si mund të isha nuk e di. Letërsia botërore ka shumë shembuj
të poetëve ushtarakë, ku model është Lermontovi, por dhe unë kam pasur shokë e
shoqe në ushtri që mund të quhemi "Familja e Poetëve me Uniformë"
si:, Lirim Deda, Ibrahim Gani, Thanas (Nase) Jani Julia Naçi (Gjika), Lida
Rrapo (Grazhdani), Merita Caci, Sotir Lashova, Nevruz Shehu, Kujtim Halili (i
ndjeri), Bashkim Çepele, Hysni Milloshi, Thanas Tane, Apostol Duka, Roland
Musta, Bashkim Kozeli, Fuat Çeliku, Fluturak Germenji, Mina Qirici, Afrim
Himaj, Luan Malaj, Bardhyl Gosnishti, Kasem Saliasi, Riza Lahi, Kujtim Boriçi,
Milianov Kallupi, Fation Pajo, Thanas Mustaqi, ....
-Ju keni një revistë për fëmijë të titulluar "Kësulkuqja". Ç'mund të
na tregoni për të?
-"Kësulkuqja" ime ka një ndryshim. Erdhi me mua në SHBA, fle me mua
në "ninulla fëmijësh", zgjohet me "vogëlushët" e gjyshe
Ilirianës... Është "Kësulëkuqja", tashti "Pelegrine" nëpër
botë... Ndoshta do të "trokasë" edhe te "Bota e gruas shqiptare".
Aty, ka shumë nëna dhe gjyshe. "Ajo" do t'i lutej që kur të shkruajnë
për të rritur, mos harrojnë të shkruajnë e t'i "postojnë" vjershat,
tregimet, përrallat për fëmijët. Apo jo, "teta" Drenusha? Edhe ju
"tetat" dhe gjyshet e tjera...
- Reportazhet janë po aq të bukur si edhe poezia. Cila është gjinia juaj më e preferuar?
-Reportazhi është gjini e publicistikës, ku shprehesh lirshëm. Reportazhi ka
ngjarjen, mendimin e mençur, personazhet, mjedisin ku veprohet... Pra, është
një gjini që ngjason më tepër me tregimin. Poezia është "e shenjtë".
Një krahasim: Në një vazo lulesh është vazoja, dheu, plehu, krimbat e dheut,
pika e ujit, rrezja e diellit, rrënjët e lules, trupi i lules, gjethet e
lules,... dhe çelja e lules, që është vetë lulja. Qoftë lule-thane,
lule-pjeshke apo bajame, lule-ftoi apo manushaqe,... (nuk them për trëndafilin,
se ai të josh dhe me gjembat) për mua, ajo është poezia. Dhe këtë dua më tepër!
- Kush janë rrënjët e origjinës së Ilirianës?
-Devolli dhe Elbasani, ose anasjelltas...
-Po citoj diçka, nxjerrë nga parathënia e vëllimit tuaj: "(F) Shihemi në
sy":
"...Të
udhëtosh në jetën e kësaj femre (një jetë që do ta lakmonin shumëkush prej
shkrimtarëve për ta pasur subjekt të prozës së tyre, e kësaj shoqe-madheje, e
kësaj gjyshe-fëmije, e kësaj ëndërr-zgjimi dhe bukuri-plage, e kësaj
mall-pritjeje, është njësoj si të shkosh përtej, sikur të hysh brenda
mrekullisë dhe të ndodhesh si hy mes hyjnive. Nga ai shtat i bukur vajze, para
të cilit turpërohej edhe fustani me vellon e nusërisë, tashmë ka mbetur një
trup që thua se tallet përditë e për çast me gravitetin dhe, kur ia do puna,
mund të fluturojë si hareja më e natyrshme ose mund të peshojë sa gjithë
tragjeditë e kësaj bote. Vazhdimisht në lëvizje… së bashku me sinqeritetin e
fjalës së saj. Ku i merr energjitë?!…Me këtë pyetje të befasishme ti ke trokitur
pikërisht në portën e përtejshmërisë, atje, tek mrekullia...". Pra,
Ilirianë,cilat janë lëvizjet e tua më mbresëlënëse. A kanë ndikuar në
krijimtarinë tënde? Diçka për udhëtimin tuaj në Teksas, ku ju ishit ftuar para
disa ditëve... Dhe vërtetë, ku i gjeni energjitë tuaja...?
-Që kur "mora këmbët" siç thonë, nuk ecja por vrapoja..(nuk lija dy
gurë bashkë). Dalëngadalë fillova të "vrapoja" me këmbë, me mendje,
me zemër... Më vonë, jeta ushtarake e bëri "profesion" vrapimin. Por
nuk është kjo e gjitha, në të gjitha stinët e jetës njeriu gjen llojet e
"vrapimit", duke bërë stafetë me veten dhe me fëmijët, me miqtë e
shokët... Është "vrapim" i pashpallur, i padukur, por shumë i
domosdoshëm. Jeta për njeriun është e duhet të jetë lëvizje. Për poetin lëvizja
është më tepër se lëvizje. As dy vjet plot (1786-1788) nuk iu deshën
gjeniut-Gëte, që të ikte nga Vajmari, drejt Italisë dhe shkruajti veprat aq të
bukura "Elegji Romane" dhe "Epigramet Veneciane". Ndryshon
mjedisi, ndryshon dhe njeriu. Unë nuk kam shkruar "Elegji" e
"Epigrame", por disa poezi, mbresa, tregime etj. I kam shkruar
pikërisht nga jetimet e përjetimet e lëvizjeve të mia. Poezia dhe proza ime nuk
janë thjesht fantazi, por një realitet i prekshëm dhe i ndjeshëm, sigurisht, i
ngritur në art, aq sa ka arritur pena ime ta bëjë. Jam munduar që lëvizjet e
mia, qoftë të detyruara apo spontane-të jenë deduktive, prej nga kanë dalë
mesazhet që i kam dhënë nëpërmjet krijimeve... Nëse, kur isha e vogël, nuk lija
"dy gurë bashkë", tani, lëvizja ka tjetër kuptim. Sot dëshiroj dhe
përpiqem që jo vetëm "dy gurë", por të gjithë "gurët" e
çmuar, t'i bëj bashkë... Po ndalem pak , tek udhëtimi, prej të cilit sapo jam
kthyer - Teksas (Dallas), reportazhin për të cilin e kam titulluar.
"Kësulkuqja në Botën e çudirave...". Pa dashur të sjell detajet
dhe përshtypjet e plota, doja të theksoja diçka specifike për këtë udhëtim,
pasi kjo bisedë është kryesisht në kuadrin e forumit "Bota e Gruas
Shqiptare". Pikërisht e veçanta qëndron tek personazhi kryesor i këtij reportazhi,
e cila u bë shkak i realizimit të njërës prej ëndrrave të mia të para shumë
viteve dhe që nuk e mendoja se do ta realizoja ndonjëherë, kaq befas dhe kaq
mrekullisht. Znj. Media Vraniqi dhe vajza e saj Vanesa, të cilat i takova në
Nju Jork në Qershorin e kaluar, në promovimin e librit tonë të përbashkët
"Nënës". Aty lindi idea dhe dëshira e një ftese udhëtimi, sidomos nga
Vanesa, e cila më përkëdhelte me fjalën e dashur, siç më thërrasin binjakët e
vajzës, gjyshe. Ky udhëtim, u realizua në shtator! Kur të lexoni reportazhin do
e kuptoni pse flet "Kësulkuqja" për botën e çudirave, por këtu ka
vend ajo, realja, bota e madhe e Prizrenases së Teksasit, e cila më ka mahnitur
me forcën dhe energjinë, me pjekurinë dhe zemërgjerësinë, me ngrohtësinë motrore
dhe bujarinë. E tillë është Media e tillë dhe e bija dhe jo vetëm ajo, por edhe
fëmijët e tjerë si yje, Vepra dhe Vendimi si dhe bashkëshorti i denjë i saj,
z.Mustafë, patritot i mirënjohur në qarqet e gjera shqiptare. Ja pra, e dashur,
Mondë, çfarë mrekullie dhe pasurie shpirtërore të japin lëvizjet, sidomos, kur
ato shkojnë në drejtim të dashurisë njerëzore... Edhe բse nuk ke fuqi, merr energji edhe për
vite të tjera jete.
-Çasti më i vështirë?
-Nuk e di a do të kem të tjera, për t'i krahasuar me ato që kanë shkuar dhe që
mundohem t'i harroj.
-Po më i lumtur?
-Është në arkivën e shpirtit tim dhe nuk mund ta rrëfej. Kam frikë nga
lumturitë..
-Cila është dashuria më e madhe për Ilirianën?
-Vetë Dashuria, kur ajo është e tillë.
-Po urrejtja?
-Thuhet se po nuk di të urresh, nuk di as të dashurosh. Unë nuk jam plotësisht
dakort me këtë përcaktim...
- A ka në jetën tënde ndonjë ngjarje që ia shihni apo ndjeni gjurmët ende?-
-Sigurisht që ka, ashtu si tek të gjithë. Mundohem të mos m'i shohë as gjysma
tjetër e vetes. Megjithatë: -Dita e dasmës (pa dasmë); një piano e lënë gati në
kulmin e karrierës sime dhe një kitarë e thyer, për të mos i rënë më kurrë...,
thinjat, që si në legjendë, m'u shfaqën brenda 12 orëve; çasti, kur ndahesha me
fëmijët në aeroportin e Rinasit, në drejtim të një klinike të huaj për kurim.
Befas, veshi më zuri fjalët:"... gjynah, e shkreta, nuk e di që s'ka për
t'u kthyer më..."
-Çfar të kënaq më shumë?
-Kur luaj me fëmijët; kur ma pëlqejnë atë që kam gatuar; kur shkruaj një poezi
që ende më pëlqen, pas dhjetë herëve të lexuar; kur flas dhe marr mesazhe nga
miq që më duan dhe më respektojnë. U jam borxh gjithë jetën, të gjithëve.
-Çfarë të shqetëson?
-Largësia me njerëzit, sidomos me krijuesit, sidomos me poetët, si me ata që
janë në Shqipëri, në vendlindjen time, ashtu edhe ata që janë këtu, në Amerikë,
apo nëpër shtete e kontinente të tjerë...
-Cilët autorë të ndjekin në muzë?
-Janë shumë jashtë dhe brenda vendit tim, shkrimtarë e poetë, të ikur dhe në
jetë, por të përjetshëm... Për hir të respektit të veprës së tyre po përmend
disa: Çehov, Cvajg, Remark, Simonov, Anna Ahmatova, Bërns, Alen Boskie, Pavlo
Neruda (e veçoj), Pol Elyar, Agolli, Reshpja, ...
-Cilën ëndërr nuk keni realizuar?
-Aty ku mbaron ëndrra mbaron dhe jeta. Pas ëndrrës vrapon njeriu dhe nuk e zë
dot kurrë...
-Po atë që nuk doni ta kujtoni?
-Ëndrrën e vrarë, ëndrrën e mashtruar, ëndrrën e fjetur... Por edhe pse nuk do
ato janë brenda trurit, brenda kujtesës së jetës dhe njeriu gdhihet me 'to, fle
për t'u gdhirë përsëri... Njeriu ka vetëm kujtesë, nuk ka harresë...
-Po atë që nuk doni ta prekni?
-Dhimbjen. Dhimbjen as nuk e ftojmë, as nuk e përzejmë dot. Ajo vjen e paftuar
është bashkëudhëtare e pashmangshme me jetën e secilit... Puna është mos i biem
në gjunjë e të na mbysë loti. Nuk jam dakord me shprehjen: "Nga dhimbje të
mëdha dalin vepra të mëdha". Mos paçim kurrë vepra të tilla dhe nuk ia
uroj asnjë krijuesi të tilla vepra...
-"Sikur të isha djalë!" Këtë libër të Haki Stërmillit sikur ta afronim
në vite dhe shkrimtari t'ju kishte Juve "personazhin" kryesor, do e
pranonit?
-Kam një kujtim të bukur, si ushtarake. Marshoja me studentët mbi një javë, me
ata marshimet e gjata. Një natë e kaluam te Kasollja, në Prodan, ku ka jetuar
Haki Stërmilli dhe ka shkruar romanin "Sikur të isha djalë!" Na
ndrinin urat e zjarrit. Aty një kolegu im më tha: "Iliriana sikur të ishe
ti, personazh i romanit të Stërmillit, do të doje të ishe "djalë"?
"Nuk do ta ndërroja, mbase jam më mirë kështu?!"-fola, pa u shpjeguar.
Ndoshta do të isha e para, që në atë kasolle, të meditoja për romanin e H.
Stërmillit, por ndjehesha e sigurtë në gjininë time. E doja veten, siç më
kishte lindur nëna, e doja nënën dhe doja t'i ngjaja...
Pra, kam rënë në "mirëkuptim" me veten për të qenë
"personazhi" femër, në të gjitha etapat e jetës. Dhe nuk do e
ndërroja.. Kulmi, apo qendra e jetës së një femre është "të qenurit
Nënë". Edhe pse kohët e kanë shtypur më tepër femrën, përsëri ajo ka qenë
dhe është në rolin e vetë më të patjetërsueshëm. Le të flasin mençuria e
popujve dhe gjenitë më mirë: "Nëna, ju e keni në dorë shpëtimin e
botës!" thotë Tolstoi. (Le të bëj edhe unë, detyrën time për këtë!).
" Zoti nuk mund të jetë gjithkund prandaj bëri nënat"... (le të jem
edhe unë një krijesë për të bërë "punët e Zotit"). "Grua do të
thotë udhëheqëse shpirtërore!" (le të jem dhe unë sadopak e tillë!)...
"Një nënë fal kurdoherë, për këtë ka ardhur në botë"- thotë
Aleksandër Dyma. (Le të bëj dhe unë aktin e faljes, për të qenë më të mirë e më
të dashur njerëzit)."Për gruan dhe tokën le kokën" - thotë poeti ynë
Dritëro Agolli, duke e shenjtëruar rolin e gruas... (Le të jem dhe unë një varg
i asaj poezie)... "Për nënë dua të kisha një shqiptare"-shkruan
anëtaria e Akademisë Franceze, shkrimtaria Marguerite Yorcenar. (Nuk ka koment
kjo thënie!) Dhe le ta mbyll me një thënie të kandidates për presidente të
SHBA-ve, Hillary Klinton: "Të drejtat e gruas janë të drejtat e
njeriut!"... Ç'mund të them unë më shumë?! Ja pse nuk e ndërroj të qenit
grua!
-Keni shumë miq këndej e andej kontinentit, të hershëm e të rinj, cili është
sekreti i këtyre lidhjeve të qëndrueshme?
-Nuk ka asnjë "sekret". Është Dashuria, më universalja fjalë e bukur,
pa motivin e së cilës nuk mund të bëjmë as edhe një hap, nuk mund të kapërdijmë
as edhe një kafshatë bukë, apo një gllënkë ujë. Që të duash të tjerët apo të të
duan-është më e thjeshta që mund të bëjmë, pa paguar as një cent. Ta duam
njëri-tjetrin, me të mirat dhe me të metat (gabimet) njerëzore; të njohim,
pranojmë dhe të respektojmë vlerat e njëri-tjetrit. T'i "fshijmë"
lotin, pa e pyetur "pse qan" dhe, kur ka nevojë për dikë , ta
kuptojmë pa na e thënë dhe në çast t'i ndodhemi pranë (edhe duke qenë larg), me
një fjalë , me ...ç'mund të jetë më e duhur sipas mundësisë. Dhe, kjo ka
rëndësi , asnjëherë të mos ia përmendësh (ka një shprehje populli, nga më të
vyerat: "Kur e jep njëra dorë, nuk duhet ta dijë dora tjetër"); t'i
kuptosh dhe të të besojnë se, kur ke kohë i merr (apo të marrin), në telefon
edhe disa herë në ditë. Kur nuk mundesh ti apo ata (ato), nuk duhet të dyshohet
tek dashuria, miqësia... Kur heshtja vonon, shqetësimi nuk është dyshim për
dashurinë, por për gjendjen shëndetësore apo probleme të tjera...
Kur erdha këtu, në Amerikë (detyruar nga detyra prej gjysheje), qaja me vete në
çdo sekondë të njëzetekatërorëshit. Telefoni rrinte non-stop në veshin tim (në
orët, kur latantët-binjakë të vajzës, më shumë flinin se ishin zgjuar), në
drejtim të të gjitha hapësirave që mbulonte shpirti im, nga shtëpiza e
vendlindjes, deri nëpër shtete e kontinente ku ishte i fluturuar...
Sot, nuk kam mundësi ta mbaj telefonin në vesh. Ma rrëmbejnë vogëlushët e
"rritur". Por, edhe pse nuk mund të jem në "linjë" me 'ta
jetoj më shumë se kurrë pranë tyre. Mendoja se do t'i humbja miqtë e jetës
sime. Ndoshta do të mendonin se më "rrëmbeu" Amerika... Gabova. Më
njihnin më mirë ata mua se unë veten time. Çdo ditë dhe në çdo orë të saj, më
marrin në telefon, më dërgojnë një mesazh, më postojnë libra të sapo dalë në
librari, apo pa dalë ende në "treg". Pra, më japin motivin e shenjtë
të të jetuarit, edhe pse në largësi humbëtire...
-A ka emra të përveçëm?
-Të gjithë kanë emrat e tyre të përveçëm. Janë shumë t'i përmend. Janë nga të
gjitha fushat, poetë , shkrimtarë, gazetarë, këngëtarë, piktorë e aktorë,
ushtarakë, mësues(mesuesit e mi dhe të fëmijëve që nga fillorja...), shoqet dhe
shokët e mi, që nga klasa e parë fillore, të tjerë nga jeta në
ushtri...,komshinj...; shumë e shumë të tjerë në Shkup, Tetovë, Strugë,
Kumanovë, Kërçovë, Gostivar.., në Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Vushtri,
...Ulqin... Secili (secila) ka emrin në kujtesën e zemrës sime...
-Ju kanë kushtuar poezi miq poetë, të cilët i kanë postuar në forume apo botuar
nëpër organe të ndryshme të shtypit... Po citoj vargje nga disa prej tyre...
Kësulëkuqes
... s'ka plakje për ty, mikja ime e fëmijërisë
mpleksur
tërë jetën me ëndrra pyjesh
me panja
e bredha e dhelpra që fshihen
e të
ndjekin tinëzisht nëpër lirishtat e botës...
...
(Kolec Traboini - Boston)
Urim, Ilirianës
Sot është
e Diel, 9. 9. 2007.
E Diel ka qenë edhe para
gjysmë
shekulli e ca...
E diel do
të jetë edhe pas
gjysmë
shekulli e ca...
Në gjithë
Ditë Lindjet e Tua!...
Dhe
Dielli do të ketë diell...
Dhe deti
do te ketë dallgë...
Dhe mali
do të ketë erë...
Dhe fëmijët
do të dijnë të qeshin...
Dhe nënat
do të kenë mall...
Dhe
Njeriu do të ketë emër...
Si Poezia
jote.
(Nase
Jani.... Athinë)
Ilirianës, në vend të portretit
Një fluturz e buku
Më çiku
nën vetull.
Më qeshi
si kukull
Dhe më
foli heshtur…
Një
dritëz universi
Nën
vetull më çiku
Aizbergët
m'i ndezi
Vullkanet
m'i fiku
(Demir
Gjergji -Tiranë)
Kthjellët…
-poetes I.Sulkuqi-
E
tejdukshme krejt:
Me kocka
të holla zogu…-
Lot
borziloku.
(Qazim
Shemaj -Tiranë)
Si të kam njohur dikur..
-poeteshës Iliriana Sulkuqi-
Si të kam njohur dikur...
Je dhe
sot
Një
princeshë e pagjumë
Që të
bukurës,
Bukurisht
i flet
Jo më
kot.
(Fation
Pajo - Çikago)
…Si e keni ndjerë veten kur i keni lexuar...?
-Si në ëndërr. Mrekullisht mirë. Pse, a nuk do të ndjehej çdokush kështu? Kjo
më bën të besoj se do të jetoj për t'i larë këto borxhe ... Se nuk ka jetë
tjetër. Këtu lahemi dhe lyhemi. Lyhemi dhe lahemi. Paguajmë ose na paguajnë.
Askush nuk ikën nga kjo botë pa larë borxhet e bukur dhe të shëmtuar...
Faleminderit, shpirtërisht, miqve të mi poetë për dhuratën kaq humane, siç
është Kushtimi Poetik.
-Janë shprehur për ju "… Do të kërkoja që Sulkuqi dhe të tjerë poetë në
mërgim të vendosen në antologjitë që botohen nga shteti dhe në librat e shkollës
dhe të përmenden sidomos autorët që jetojnë në mërgim që kanë pasuri
shpirtërore e vlera shumë më tepër se disa që jetojnë këtu dhe ende me miq zenë
vend nëpër libra shkollore. A është e mundur që poezitë e këtyre të jenë edhe
pikë referimi për ato dhjetëra universitete shqiptare ku studiohet për
letërsinë shqipe?
-Shteti sillet indiferent ndaj njeriut. Si për shumë pjesë të jetës, që nuk i
siguron dot normalitetin (drita, ujë, rrugë, spitale, paisje spitalore,
shkolla, antingujimin, punësimin, etj. etj.) edhe për letërsinë dhe
mbarëvajtjen e saj. Kush ta përzgjedhë të bukurën dhe letërsinë me vlerë? Më
tepër harrohet, apo nuk njihet vlera dhe hyjnë nëpër antologji ata që duken, që
"kapin nga xhaketa", apo lenë xhaketën me gjithë xhepa. Janë bërë disa
Antologji nga botues, me "të përzgjedhurit" e tyre. Tekstet
shkollorë, që nga gjimnazet e deri në universitete, mbajnë brenda më tepër
"letërsi hatëri". Kjo është një e keqe e madhe, që s'dihet kur do të
ndreqet në të mirë të përfaqësimit të letërsisë shqiptare dhe të pasurimit të
kulturës shqiptare.
-Ç'mendime keni për femrën krijuese dhe intelektuale në Diasporë?
-Është gjë e mirë që Femra të ketë organizmat e veta të bashkimit, ku të dalin
vlerat e femrës deri tek virtyti. Por nuk e konceptoj dot emërtimin
"krijuese femra e meshkuj" Unë mund të bëj një libër duke i dhënë
poezisë "gjininë" mashkullore. Siç mund të bëjë dhe një poet në
gjininë tonë. Në Greqi është "Mali i Shenjtë" me manastire, kisha,
priftërinj e murgjër. Venë vizitorë nga gjithë bota, por vetëm meshkujt. Thuhet
se vetëm Shën Mëria ka shkelur në atë Mal. Pse? "Unë duke lexuar
"Krishti u ngjall përsëri" të Kanzanxaqit, kam shkuar në atë Mal të
Shenjtë. Për Shpirtërat s'ka doganë dhe policë-ndalimi... Shpirti poetik nuk njeh
gjini.
-Ka shumë shoqata shkrimtarësh si në SHBA, apo në vende të tjerë të Europës, ku
jetojnë krijues shqiptarë, si ju duken këto bashkime?
-Letërsia bëhet vetëm, është punë individuale, por ka nevojë edhe për
"tavolina" shokësh e miqsh... Konti i letërsisë ruse Leon Tolstoi
mblidhte shkrimtarët e kohës, që nga Turgenievi e deri tek Çehovi që ishte më i
ri dhe lexonin tregimet, apo fragmente romanesh nga njëri-tjetri. "Ja
kështu shkruhet tregimi!"- thoshte Turgenievi për novelat e Çehovit. E
harronte gjeninë e vetë mjeshtri i letrave, se duhej harruar. Këtë rol duhet të
luajnë edhe "tavolinat", shoqatat, apo Klubet e shkrimtarëve të ikur
nga Shqipëria. Më pëlqen kjo fjala "Klub" si Klubi "Petëf "
( kam pasur fatin të marr pjesë në një mbrëmje poetike. Recitova "Atdhe"të
Petëf-it, shqip dhe hungarisht, duke i rënë edhe pianos, me një pjesë nga
Shophen. Kjo ka ndodhur më 1989, një natë para operacionit, në Budapest), apo
ata të Parisit etj. Jam njohur me veprimtarinë e Klubit të Shkrimtarëve
"Drita" në Athinë, që ka edhe një Revistë Letrare me emrin
"Pelegrin", ku bashkon krijues të ikur nga Shqipëria, kudo qofshin
ata. Bën Antologji e organizon konkurse me krijues edhe jashtë Greqisë... Vetë
liria e të shkruarit i jep edhe liri gjeografike poetit apo shkrimtarit. Siç ka
ky Klub anëtarë deri këtu në Amerikë edhe bashkimet e tjera të poetëve mund të
kapërcejnë "kufijtë"... Pra, çdonjëri mund të bëjë zgjedhjen e vetë,
ku ndjehet më mirë, larg fallciteteve letrare e mendjemadhësive vulgare...
"Shokët (shoqet) i zgjedh, motrën e vëllanë nuk e zgjedh dot.", thotë
mençuria popullore...
-Ju jeni anëtare e Forumit Bota e Gruas Shqiptare, forum të cilit ju i keni
dhuruar shumë si me krijimtari ashtu edhe me komunikim që në ditën e
anëtarësimit. Ç'mendim keni për këtë Forum dhe a keni ndonjë sugjerim për
organizimin apo pasqyrimin e krijimtarisë në blogun revistë të tij?
-Faleminderit që çmoni kontributin tim modest në këtë forum special.Them modest
se nuk kam dhënë shumë. Por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se
pavarësisht nga kontributet individuale në këtë forum, si në krijimtari apo
komunikime të ndryshme, diskutime dhe përshëndetje, kjo bashkësi e jona ka një
të vërtetë të madhe. Një miqësi dhe një harmoni që na jep frymëzim dhe motivim,
na qetëson dhe na jep forca. Një bashkësi intelektuale dhe krijuese. Një
bashkësi nënash dhe motrash që gjejnë veten dhe ripërtërihen nga komunikimi dhe
mbështetja shpirtërore. Një oaz qetësie dhe besimi reciprok. Ne që jemi të
shpërndara nëpër skajet e globit gjejmë këtu njëra-tjetrën, ndajmë hallet e
shqetësimet, mbështesim, frymëzojmë e frymëzohemi dhe krijojmë. Mësojmë për
njëra-tjetrën, rritemi e piqemi shpirtërisht dhe artistikisht. Fakti i
realizimit të librit "Nënës", përmes një grupimi të tillë specifik,
flet më shumë se sa mund të flasë Kësulkuqja!
Por, megjithëse krijuesja e këtij forumi, të cilën e adhuroj, për organizimin,
fantazinë kreative, për inteligjencën, shkathtësinë dhe dashamirësinë, Merita
Bajraktari McCormack dhe ju moderatoret, Monda, Aida , meritoni fjalët më të mira
e të sinqerta dhe përkedhelje mbas shpatullave, për punën e madhe që keni bërë
e bëni, si me grupin, si me revistën letrare në internet, mendoj se ka vend për
një sugjerim,meqe jam edhe pak "më e moshuar" në vite dhe
krijimtari.Mendoj se duhet t'i hapet vend një rubrike për fëmijët shqiptarë në
emigracion.
-Çfarë po shkruan Iliriana?
-Mendoj tregime e shkruaj poezi... Kështu ndodh me krijuesit. Dhe kur mendon
dhe shkruan nga ato gjinitë e mëdha, si novela apo romani, poezia të shfaqet
befas.
- Si një poeteshë me përvojë, ç'farë mesazhi kini për talentet e rinj, për
inkurajimin e tyre në zhanrin e poezisë?
-Veç një gjë i them vetes që ta dëgjojnë dhe të rinjtë. Gjithë jetën e mendoj
veten "Letrare e Re". Njeriu nuk është si e mendon veten, por si e
mendojnë dhe e vlerësojnë të tjerët...
-Sa citova me lart, profesioni i juaj është ushtarake. Një pyetje paksa
delikate: Si ju duken përpjekjet e politikës ndërkombëtare, asaj shqiptare e
kosovare e në Diasporë për çështjen e Kosovës e në përgjithësi për çështjen
kombëtare shqiptare?
-Të qenit ushtarake nuk ka ndonjë të veçantë për këtë pyetje, se ushtria tashti
ka dalë nga "kornizat" për "Mbrojtjen e Atdheut". Atdheu
sot (për ne) "mbrohet" më tepër nga politika ndërkombëtare dhe
strukturat ndërkombëtare. Sa aktive janë ato sot s'kanë qenë kurrë në historinë
e të qenit Shqipëri apo Komb Shqiptar. Edhe lëvizja e emigrantëve, nëpër
shtetet e Europës dhe SHBA, kanë bërë që "Bota" të na e dijë emrin,
pastaj të na kushtojë vëmendje më të madhe. Intelektualët shqiptarë nëpër botë
dhe veças njerëzit e letrave, të artit e të kulturës, janë bërë
"ndërgjegja" e kombit... Shoqatat, veprimtaritë, kanë shërbyer për
njohjen dhe integrimin tonë aty ku na shpuri "fati". Sa për politikën
dhe diplomacinë? Ajo është e kontrolluar, e udhëzuar, e rekomanduar dhe shpesh
e vonuar... Kur hapet ndonjë "dritare" duhet shfrytëzuar. Po e humbe?
E humbe. Kosova sot është "Emër i përvetshëm" në politikën botërore
dhe në njohjen qytetare. Pastaj vjen dhe Shqipëria... I vaftë mbarë Kosovës, në
Fitoren e Pavarsisë se i ka munguar në shekuj dhe e ka ushqyer me gjak
"Pemën e lirisë"! I vaftë mbarë dhe Shqipërisë! Asgjë nuk mund të
parashikohet. Se, më tepër ndodh e pamundura sesa e mundura. Kështu ndodh, duam
apo s'duam ne...
-A do kthehet Iliriana ndonjë ditë në Atdhe!
-Unë s'jam e ikur nga Atdheu. Aty kam njerëz, kam shokë e shoqe, kam
fëmijërinë, rininë, jetën... Kam nënën mbi të gjitha dhe varrin e babait... kam
Atdheun, me një fjalë. "Atdheu fillon nga zemra", shkruante para disa
vjetësh një poet tepelenas. I jap të drejtë Poetit. Dhe trupërisht vete në
Atdhe, dua të vete dhe do të vete...
-Si një njeri i letrave shqipe, cili është mesazhi i juaj, për krijuesit në
Diasporë, në veçanti për femrën krijuese, për ruajtjen e vlerave dhe identitetit
kombëtar?
-Femra lind njeriun, por kur lind dhe poezinë apo bën letërsi, është dy herë
krijuese... Dhe kur është jashtë vendlindjes, është krijuese më e dashur e më e
dhembshur. Vlerat kombëtare ruhen duke krijuar dhe ruhen duke ruajtur simbolet
e jetës e të kombit. Tre janë simbolet, sipas meje: Emri-Shqipëri, Flamuri-kuq
e zi, Gjuha-shqipe. Ruajtja më e madhe dhe më me vlerë është gjuha shqipe. Të
mos e harrojmë vetë, t'jua mësojmë fëmijëve, nipërve e mbesave. Ky është
shërbimi më i madh që i bëjmë familjes, fisit, historisë së kombit...
Intervisten e realizoi: Raimonda MOISIU