PAS TIRANES -"LIRIKË SHPIRTI" NË TEATRIN "SKAMPA" TË ELBASANIT


PAS TIRANES - "LIRIKË SHPIRTI" NË TEATRIN "SKAMPA" TË ELBASANIT

Në qytetin e bukur të Elbasanit me 18 tetor 2013 u organizua shfaqja e filmit dokumentar "Lirikë shpirti" kushtuar bijës së këtij qyteti, poetes shqiptaro-amerikane Iliriana Sulkuqi. Në sallën e shfaqjeve të teatrit "Skampa" pasi u prezantuan autorët e filmit prej poetit elbasanas Fatmir Musai; skenaristen Angjelina Xhara, operatorin Ilia Terpini- Mjeshtër i Madh, regjisorin Kolec Traboini dhe Artisten e Popullit Margarita Xhepa, që ka lexuar poezite e filmit, u fol për krijimtarine poetike të Iliriana Sulkuqit që lidh poetikisht Elbasanin dhe New Yorkun tej e përtej oqeanit Atlantik. Në shfaqje ishin të pranishëm mjaft artdashës, admirues të poezisë si dhe krijues elbasanas në mes të cilëve piktori Xhemal Lufta, violinisti Zeqir Sulkuqi, ndodhej gjithashtu dhe Artistja e Popullit Tinka Kurti, përkthyesi elbasanas Bardhul Toda e tjerë.
Bashkë me filmin "Lirikë Shpirti" u shfaqën dhe etydet poetike kushtuar Migjenit (1911-1938) dhe poetes Zhaneta Ogranaja( 1938-2013) që është ndarë nga jete kohët e fundit.
Pas shfaqjes u organizua një koktej.



Në foto grupi realizues i filmit: operatori Ilia Terpini- Mjeshtër i Madh, skenaristja Angjelina Xhara, poetja Iliriana Sulkuqi, aktorja Margarita Xhepa -Artiste e Popullit dhe regjisori Kolec Traboini



“Lirikë shpirti”, një dokumentar për poeteshën shqiptare nga SHBA



Nga Prof. Murat Gecaj

1.
Jemi mësuar që, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytetin Tiranë, të marrim pjesë në veprimtari përuruese për libra ose ekspozita pikture. Po, kësaj here, ishte diçka tjetër, e veçantë. Vërtet të ftuarit do të mblidheshin në një veprimtari për krijimtarinë poetike të koleges e mikes, Ilirjana Sulkuqi, me banim në Amerikë, por organizimi ishte i një natyre jo të zakonshme.
Kur salla kryesore ishte mbushur plot me të ftuar, poetë, shkrimtarë, publicistë e studiues, punonjës të arsimit e kulturës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, përpara dolën një grup kolegësh. Ata ishin organizatorët dhe realizuesit e një dokumentari të bukur, me titullin e zgjedhur “Lirikë shpirti”, kushtuar jetës dhe krijimtarisë së gjerë e të bukur poetike të Ilirjana Sulkuqit.
Nuk zgjati shumë salla ra heshtje. I pari e çeli veprimtarinë regjisori i dokumentarit, Kolec Traboini. Pas atij, sigurisht shkurt, folën publicisti Albert Zholi, skenaristja Angjelina Xhara dhe kameramani Ilia Terpini-“Mjeshtër i Madh”. Ndërsa vetë Iliirjana i falënderoi nga zemra realizuesit e këtij dokumentari dhe pjesëmarrësit në këtë veprimtari.
Të pranishmit e ndoqën me kurreshtje dokumtarin, i cili nisi të shfaqej në ekran. Ai përmbante filmime nga jeta e Ilirjana Sulkuqit dhe recitime të disa poezive më të zgjdhura të saj, nga aktorja e njohur Margarita Xhepa.Tematika e tyre ishte e larmishme dhe i kushtoheshin mallit për vendlindjen, nënës, Kosovës, mërgimit etj.
Pasi të pranishmit e duartrokitën nxehtësisht këtë dokumentar, për ata u dhanë në ekran pjesë filmike, kushtuar jetës e krijimtarisë së poetes së persekutuar dhe tanimë të ndjerë, Zhaneta Ogranaja, si dhe ato me temë: “Migjeni, si Krisht”, realizuar nga K.Traboini.
Por, në mbyllje, interesin e veçantë të të pranishmëve e tërhoqi dokumentari kushtuar historikut të krijimit dhe veprimtarisë atdhetare të Shoqërisë “Vatra”, me organin e saj “Dielli”, në Boston të Amerikës dhe sidomos për ndihmesën e dhënë nga Fan Noli, Faik Konica etj.

2.

Ndoshta, nuk është e nevojshme të ndalemi këtu gjerësisht në jetën dhe krijimtarinë letrare të Ilirjana Sulkuqit. E them këtë gjë, pasi atë e gjejmë të pasqyruar në disa qendra Interneti e në shtyp, për atë flet skedari i Bibliotekës Kombëtare etj. Megjithatë, dëshiroj të rikujtoj se kjo bijë e njohur e Elbasanit, pas mbarimiut të studimeve për gjuhë-letërsi, punoi ca kohë gazetare në Tiranë dhe që nga viti 2004, është vendosur familjarisht në Nju Jork.
Krijimtarinë e ka filluar që në bankat e shkollës. Frtyt I kësaj pune janë mbi 10 libra poetikë të botuar, duke nisur që nga viti 1974. Ndër ta, dëshiroj të përmendi këtu dy vëllime me shumë autorë, të përgatitur nga Ilirjana, kushtuar nënave, me titullin “Karvan dashurie”. Për disa nga libra e saj, është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe disa libra të saj janë përkthyer në gjuhë të huaja. Bën pjesë në disa shoqata të ndryshme të shkrimtarëve e publicistëve dhe drejton revistën letrare-artistike “Pelgrini”, me shkrime kryesisht të emigrantëve shqiptarë.
…Rikthimin përmes një dokumentari të veçantë, e Ilirjana Sulkuqit, kësaj poetje të dashurisë e dhimbjes njerëzore, në mjediset e krijuesve kryeqytetas, ajo e meriton plotësisht. Njëkohësisht, ishte dhe diçka emocionuese, si për atë vetë dhe pjesëmarrësit e shumtë në veprimtarinë, që përmendëm më lart.
Me këtë rast, i urojmë asaj: shëndet të plotë, arritje të reja në krijimtarinë letrare, begati, gëzime dhe lumturi në familje!

Tiranë, 11 tetor 2013
Botuar ne gazeten ILLYRIA New York

Grupi realizues i filmit dokumentar bashke me poeten Dije Dibra e bashekshortin e saj ne lokalin kafene-librari prane teatrit "Skampa" Elbasan 18 tetor 2013.

Intervistë: Iliriana Sulkuqi







Flet poetja e njohur Iliriana Sulkuqi:
Një ditë dua të vdes në tokën e të parëve të mi



Dëshirës për të realizuar një intervistë me ju i jeni përgjigjur me heshtje. Përse?
Mund të jetë kështu, por pa të keq. Intervista është portreti i dyfishtë ose më saktë, një portret me dy personazhe. Prandaj, unë me “heshtjen” time kam patur dhe merakun që të justifikoja “fjalën” time para jush dhe lexuesit. Duhet të flasësh kur diç ke për të thënë. Edhe kur pi një kafe me një shoqe apo shok duhet të shkëmbesh informacion, aq më tepër në një bashkëbisedim publik, siç është intervista... Pastaj, për të qenë e sinqertë, dua të them se të tilla intervista, me postime pyetjesh dhe me postime përgjigjesh shpesh më duken hipokrizi. Vetëm se i bëjmë qejfin vetes dhe njëra-tjetrës apo njëri-tjetrit. Kujt i shërbejnë? I bëjmë për njeri -tjetrin? Kjo s’ka kuptim. I bëjmë për brezin pas nesh, d.m.th, për fëmijët tanë? Edhe kjo s’ka asnjë vlerë. Ku janë, ku i kemi? Ku kanë kohë ata të lexojnë “bëmat” tona. Ata ende vrapojnë, sa nga një shtet në tjetrin, sa nga një “fshesë”, në tjetrën, sa nga një shkollë në tjetrën... Po harrojnë edhe gjuhën e mëmës, po harrojnë edhe ata që i kanë lindur. Eh, kjo është vuajtja jonë, që nuk di se kur do të shuhet një ditë…
Jeni një krijuese e njohur në Shqipëri, ç’mund të na thoni për botimet tuaja të fundit?
Shkruaj. Pa shkruar nuk mund të rri. Por jo çdo gjë e shkruar ka vlerat e botimit. Këtu është “udhëkryqi” midis poetit dhe lexuesit. Krijimtaria është e poetit sa nuk i janë vënë kapakët librit dhe ISBN-ja e Shtëpisë Botuese. Pastaj bëhet pronë e lexuesit. Kështu ndodh edhe me ato krijime, që hidhen për lexuesin në faqet e internetit. Kohët e fundit kam përgatitur një përmbledhje të re me poezi dhe shpresoj ta promovoj në Tiranë, tani në tetor, në muajin e letërsisë…
Domethënë, do të shkoni në Shqipëri?
Me shpresë te Zoti dhe te zemra ime që më rreh plot mall për vendin tim të shtrenjtë, nga mezi i tetorit do të jem në Tiranë…
Ju tashmë jetoni në Amerikë. Çfarë ka sjellë në krijimtarinë tuaj ky ndryshim gjeografik?
Njeriu në gjithë jetën ka vetëm një Atdhe. Njeriu mund të lëvizë në të gjithë kontinentet e rruzullit, mbase dhe në Hënë, por Atdheun nuk e tjetërson dot. Dhe kush thotë se “... m’u bë atdhe i dytë”, mashtron veten dhe atë që e lexon apo e dëgjon. Kam lexuar një mikun tim, poet, i ikur dhe ai jashtë Shqipërisë. Kur e pyetën nga je, u përgjigj: “Nga vendi më i bukur në botë”!. Sikur Dantja të kishte shkruar vetëm për Parajsën, nuk do të ishte e pavdekshme “Komedia Hyjnore”. Duhej dhe Ferri që t’i jepte vlerë e kuptim. Dhe kjo ndjenjë e Atdheut të bukur nis nga gjiri i nënës, nga vendlindja, porta, rrugicat e deri në bulevardet e qytetit, në malin e Krastës, në ujin e Shkumbinit, në... Edhe krijimtaria aty nis dhe... aty mbaron. Ardhja ime në SHBA, ashtu si dhe qëndrimi për disa vite në Greqi, në Kretën e të madhit Kanzanxaqi, nuk besoj se kanë sjellë ndonjë ndryshim të madh në muzën time krijuese. Por ardhja këtu në Amerikë më ka pasuruar me ndjesitë pranë familjes, me aromën e dy nipërve dhe mbesës, aq të dashur e të domosdoshëm për mua...
Pra, keni jetuar edhe në Greqi, diçka për ndryshimin midis dy mërgimeve?
Emëruesi ka të njëjtin emër: mërgim. Numëruesi ndryshon si nata me ditën. Nëse në Greqi, edhe pse punova familiarisht për shumë kohë, edhe pse kisha miqësi me familje greke (të cilat i ruaj edhe sot), prapë racizmi dhe “fshesa e hekurt” e atyre viteve ishin të pashembullta për kohën e sotme, aq më tepër nga një shtet që është fillesa e Botës dhe vetë kultura e saj... Ndërsa Amerika është tjetër gjë, edhe pse dua të iki një orë e më parë prej këndej... Ama, për këtë, nuk ma ka fajin Amerika, e cila më ka pajisur me të gjitha dokumentet legale dhe sigurimet sociale, që pas një jave të ardhjes këtu; që jam e lirë të lëviz ku të më çojë ëndrra, që gati 120 kombe, të racave dhe të ngjyrave të ndryshme punojnë së bashku dhe respektojnë njeri-tjetrin pa asnjë dallim...
Ju keni qenë ushtarake në Shqipëri. Çfarë ndikimi ka patur në krijimtari jeta ushtarake?
Po unë kam kryer studimet në Shkollën e Lartë të Oficerëve dhe kam shërbyer për gati 25 vjet si oficere e Ushtrisë shqiptare. Dhe dëshiroj të ritheksoj se kam qenë me fat që zgjodha këtë rrugë në jetën time, domethënë që i shërbeva atdheut tim si ushtarake. Ndofta këto fjalë do t’i thosha edhe po të kisha patur një profesion tjetër. Por të qenit ushtarake më ka dhënë “një shpirt dhe një botë” tjetër që nuk e kanë pasur të tjerët. Privimet që më ka krijuar jeta ushtarake, (natyrisht për femrën ato janë më të mëdha) kanë bërë që unë sot jam Iliriana, siç jam! Sesi mund të isha pa këtë jetë, nuk e di. Në formimin tim si poete dhe krijuese letrare padyshim që jeta ushtarake ka qenë determinuese. Këtë nuk e them aspak për nostalgji të viteve që kanë shkuar, por vërtet jeta ushtarake është e veçantë.
Jeta në ushtri është si në një familje të madhe, ku dashuria, respekti dhe shpirti i solidaritetit janë të shkrirë me njëri-tjetrin. Keni dëgjuar kur thonë: “shoqëria ushtarake nuk harrohet”, “e kam shok të ushtrisë” etj. Dhe unë kam pasur shokë e shoqe të panumërta në ushtri, por miqtë më të mirë kanë qenë dhe mbetën krijuesit ushtarakë, që unë kam dëshirë t’i quaj “Familja e Poetëve dhe Shkrimtarëve me Uniformë”. Janë shumë, por në pamundësi që t’i përmend të gjithë po kujtoj: Lirim Deda, Ibrahim Gani, Thanas Jani; shoqet e mia të shtrenjta Julia Naçi, Lida Grazhdani, Merita Caci; po vazhdoj me Sotir Lashova, Nevruz Shehu, i ndjeri Kujtim Halili, Bashkim Çepele, Hysni Milloshi, Thanas Tane, Apostol Duka, Roland Musta, Bashkim Kozeli, Fuat Çeliku, Fluturak Germenji, Mina Qirici, Milianov Kallupi, Luan Malaj, Arben Duka, Muharrem Dardha, Afrim Imaj, Bardhyl Gosnishti, Kujtim Boriçi, Fation Pajo, Riza Lahi, Kasem Saliasi…
Dhe të gjithë këta ushtarakë?
Ka dhe shumë të tjerë, por të më falin që s’po jua përmend emrin, thjesht për efekt vendi, sepse dashuria dhe malli për ta është i njëjtë. Sidomos kur je larg tyre siç jam unë, kur ke vite e vite që shumë prej tyre nuk i ke takuar, malli i kalon kufijtë njerëzor. Një pjesë e madhe e tyre tashmë janë larguar nga Forcat e Armatosuara. Mosha ka bërë punën e vet, por edhe reformat që më shumë se këdo përfshin këtë strukturë. Por gjithsesei në shpirt të gjithë ne do të mbetemi ushtarakë të përjetshëm të atdheut tonë. Jam e lumtur se me shumë prej tyre do të takohem shumë shpejt në Tiranë …
Si shpjegohet që kaq shumë krijues ushtarakë?
Dëgjo, unë mund të të jap shumë shpjegime për kët fakt krejt të vërtetë, por përsëri druaj se nuk do të më besosh. E thashë më sipër, jeta ushtarake është një jetë e vështirë dhe një jetë e tillë të bën jo vetëm shumë të fortë, por edhe shpirtin ta zbut, edhe ëndrrat t’i shumëfishon… Që të më besosh, të rekomandoj të rilexosh poezitë e poeti të madh rus Lermontovit, që ka qenë oficer…
Cilët autorë të ndjekin në muzë...?
Janë shumë jashtë dhe brenda vendit tim, shkrimtarë e poetë, të ikur dhe në jetë, por të përjetshëm... Për hir të respektit të veprës së tyre po përmend disa: Çehov, Cvajg, Remark, Simonov, Anna Ahmatova, Bërns, Alen Boskie, Pablo Neruda (e veçoj), Pol Elyar, Agolli, Reshpja.
Po ta afronim në vite “Sikur të isha djalë!” të Haki Stërmillit dhe shkrimtari t’ju kishte “personazhin” kryesor, do e pranonit?
Po më sjell në mendje një kujtim të bukur, si ushtarake. Kur shërbeja si oficere në ish-Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, marshoja me studentët mbi një javë. Një natë e kaluam te kasollja, në Prodan, ku ka jetuar Haki Stërmilli dhe ka shkruar romanin “Sikur të isha djalë!” Ishte një natë e ftohtë dhe fytyrat tona na i ndrisnin urat e zjarrit. Aty një kolegu im më tha: “Iliriana, sikur të ishe ti personazh i romanit të Stërmillit, do të doje të ishe “djalë”? Pa u shpjeguar gjatë, mbaj mend se i thashë: “Nuk do ta ndërroja, mbase jam më mirë kështu?!”. Ndoshta në ato kushte dhe në atë kasolle, duke medituar për romanin e Stërmillit, mund edhe të të lindnin dyzime rreth pyetjes që më bëri kolegu im i mirë, por ndjehesha e sigurtë në gjininë time. E doja veten, siç më kishte lindur nëna, e doja nënën dhe doja t’i ngjaja...Pra, kam rënë në “mirëkuptim” me veten për të qenë “personazhi” femër, në të gjitha etapat e jetës. Dhe nuk do e ndërroja. Edhe pse kohët e kanë shtypur më tepër femrën, përsëri ajo ka qenë dhe është në rolin e vetë më të patjetërsueshëm. “Nëna, ju e keni në dorë shpëtimin e botës!”, thotë Tolstoi. Le të bëj edhe unë, detyrën time për këtë!. ”Për gruan dhe tokën le kokën”, thotë poeti ynë Dritëro Agolli, duke e shenjtëruar rolin e gruas... Le të jem dhe unë një varg i asaj poezie...
Dhe së fundi, a do kthehet Iliriana ndonjë ditë përfundimisht në Atdhe!
Unë s’jam e ikur nga Atdheu. Aty kam njerëz, kam shokë e shoqe, kam fëmijërinë, rininë, jetën... Kam nënën mbi të gjitha dhe varrin e babait. Kam Atdheun, me një fjalë. “Atdheu fillon nga zemra”, shkruante para disa vjetësh një poet tepelenas. I jap të drejtë poetit. Trupërisht jam në Atdhe, së shpejti do të vete në Tiranë dhe në Elbasan, sërish do të kthehem në Amerikë te nipërit e mi të mrekullueshëm…Dhe një ditë dua të vdes në tokën e të parëve të mi.
Përgatiti për botim: Muharrem Dardha

Miqve krijues ne Elbasan : Urim

Miqve krijues ne Elbasan :
Urim

Në vend të ardhjes


Dua botën ta bëj të bukurT’ia lyej flokët me KënåMe ngjyrë puthjesh t’ia lyej buzëtTa përkëdhel si foshnje t’parë...Dua botën ta shoh të bukur,më shumë se ëndërrmë shumë se përrallë... !

Të dashurit e shpirti tim të malluar,
Këto pak vargje, nuk janë vetëm të miat, janë të secilit prej jush që, me përkushtimin tuaj, mundoheni të ribëni një « botë » të Bukur.
Më vjen keq që nuk ndodhem sot midis jush, aq më tepër kur jeni më shumë, kur jeni edhe me Gramshin, me krijuesit e tij që, gjithsesi, freskohen e frymëzohen edhe nga rrjedha e « Devollit », lumë, në të cilin, babai im devolli, lau e shpëlau orët e fëmijërisë së jetimtë e të uritur.
Më vjen të « fluturoj » nga inati që s’kam mundësi të jem pranë jush, pranë Astritit, Besimit, Pozaetit, Hekuranit...,të cilët më janë ndodhur në ditëlindjen e librave, edhe pse rruga e tyre Gramsh-Elbasan, ishte më e vështirë dhe kushtonte më shtrenjtë se Nju Jork-Shqipëri...
Më vjen të vdes, që nuk jam atje ku dua të jem, pranë « babë » Vehapit, Hyjniut, profesorit tim Xhemalit , pranë Beatriçes, Novit, Ahmetit, Kujtimit, Mihalit, Dhimos, Fatmirit, Andonit, Janaqit, Ilirit(Mborja), Marjanës, Feritit, Lidës, Rakipit, Flamurit, Bashllarit (N.), Shuaipit, .... dhe Ilir Borodanit, i cili , edhe vargut tonë më të shëmtuar, i dha frymë drejt dëgjuesit.
Të adhuruar mike dhe miq të vendlindjes sime !
Unë, mbase nuk kam para për kozmetikë, të « zhduk » rrudhat dhe mpakjen time, por kam shumë e shumë për libra. Aq më shumë, kur ato krijohen nga ju.
Të qenurit mike dhe gjyshe janë bukuri origjinale dhe e përjetshme, bukuri që do ta kishte zili edhe vetë « miss » Bukuria .
Në urimin tim (pasi menjeherë u vunë në dijeni të veprimtarisë suaj), bashkohen për ju : Fatmir Terziu(Londër), i cili nuk rresht së shkruari, midis të tjerave, për të gjithë ata(ato) që i janë kurorë kulture qytetit të tij dhe qytetit tonë-Elbasan ; Nexhip Ejupi (Miçigan), « psherëtima » dhe dehja poetike, mungesa e një gote të mbushur me « ballë-kazani » ; Aleko Likaj(Bordo-Francë), shkrimtari për fëmijë e të rritur, gazetari që shkruajti për aktorin e Hoollivudit, Majkëll Dagllas, kur erdhi në Gramsh ; Aida Dismondy(Hoxholli),Detroit – vajza elbasanase me njohuri universale dhe krenari e qytetit tonë., Fatmir Lopari, Ylli Haruni, Ilir Çomo, Astrit Çerma, Demir Zena,...por edhe nga miqtë tuaj të nderit , Dilaver Baxhaku, Nase Jani, Kolec Traboini,
Po shtoj edhe një urim, një urim që ju vjen nga Filadelfia, nga « Bijtë e Shqipes », Shoqata Atdhetare Kulturore më me emër dhe më e vërteta nga shumë pseudo shoqata shqiptare, këtu në Amerikë.... Midis të tjerave , atje ka një bibliotekë me emrin « Anastas Dodi », emër që është i barasvlefshëm me Kristoforidh, Xhuvan, Shuteriq...etj.,
Në atë bibliotekë, shumë nga ju, miqtë e mi, jeni të pranishëm me veprat tuaja krijuese. Por, edhe të gjithë të tjerët, së shpejti , do të jenë.
Ashtu si « Normalja » e qytetit tonë, që shpërndau në të gjitha trojet shqiptare Diturinë, ashtu edhe librat tuaj do të shkojnë kudo që ka lexues shqiptarë dhe studiues për Shqipërinë..
Urime keni edhe nga shumë elbasanas me banim në Filadelfia, si Ardian Cani, Bashkim Bërdufi, Eleunora Kazazi,......
.....................................
Më në fund, edhe për ty, « dollibashin « e kësaj veprimtarie, Astrit Kosturi, urime !
Urime pë librin e Ri,!. Urime, o mik i të gjithëve, që di të japësh e të japësh me sasi e cilësi, edhe në fushën e letrave, edhe nga « xhepi » i një « bizesmeni » të vogël, edhe shumë dashuri, nga shpirti yt i paqtë.
Faleminderit Milianovit që di t’i përkushtohet miqve krijues !
Faleminderit , të gjithë krijuesve që mblidhen rreth Milianov Kallupit, rreth njeri-tjetrit, për njeri-tjetrin dhe për veten e tyre.
Faleminderit , mikja ime , njëherësh redaktore e librit të Astritit, Fatime Kulli, që fjalët e mia të mërguara i more mbi shpinën tënde për t’i « shkarkuar » tek « Çesma e Kalasë », tek « Rrapi i Bezistanit » , tek Sofra e shkrimtareve dhe e poetëve « Kritoforidhi »- atje ku u linda, u rrita dhe linda fëmijën e parë, atje ku qava, qesha dhe përsëri po e qaj nga malli.
O, njerëzit e mi, që dini të shkruani dhe të të flisni me shpirtin e vetë Zotit, i thoni Elbasanit se ne, të ikurit e pafajshëm, kudo që kemi shkelur nëpër botë, Atë, të Bukurën e Dhèut –Vendlindje, e kemi marrë me vete. Asaj(vendlindjes), i mbetet vetëm (pa u shpenzuar), të bëhet –KUJTESE.
Duke ju kërkuar ndjesë për mungesën dhe për kohën që ju mora po përfundoj , të lenë përgjysmë fjalën time të stërzgjatur prej dashurie.
Ju uroj një fundvit, ku të festoni :
- Harresën e dhimbjeve !
- Kujtesën për dashuritë njerëzore!
- Të Ardhmen e dëshirave dhe të ëndrrave tuaja !
- Sa më shumë Ditëlindje librash !
Juve , miqtë e mi të shpirtit dhe të mallit, ju që i bëni Dritë vetes dhe të Ardhmes, ju uroj edhe njëmijëherë, nga kontinenti i largët –Gëzuar !
Gjithmonë pranë jush-Iliriana

Brooklyn, 20 dhjetor 2008
Ne diten e krijimit te Shoqates Kristoforidhi ne Perrenjas, Diten e Poezise, me pjesmarrjen e poeteve nga Elbasani, Korça, Lushnja, Berati, Tirana e tjere.
Fotot nga Dilaver BAXHAKU

Cikli poetik i korrikut 2008




Pa pyetje –pa përgjigje
Iliriana, dt.:sot, korrik, 2oo8 Brooklyn
Po plas!...

Po plas, po plas,
përse nuk shpika
rrota gjigande sa Dashuria...
Si një bujkrobe do e tërhiqja
gjithë Amerikën tek Vendlindja...
Po plas, plas që askund s'jam-
as ku kam lindur,
as ku do vdes...
Që s'bëra dot një varg të malltë
dhe pse me rrokjen fjeta jashtë.
Po plas, po plas,
kujt t'i rrëfehem
që m'troket ikja n’ rrëz' të veshit,
as bardh, as zi s’më mbeti vargu,

një oqean m’ ndau nga Deti...
Po plas...po plas…
Që dhe një dorë-
shtatë breza nerv,
shtatë malle varg,
një firmë s’e hedh as për shkronjë,
një firmë s’e hedh as për një varr…
Po plas….Po plas
si në legjendë:
« ...Plasnë si poçe me verë... »

...ndaj syhapur...
malli qenka dhe i bukur..
edhe pse të than si eshkë…
Jeta vetë na qenka –mall
Ndaj syhapur çdokush vdes.

i thashë lotit…

Një ditë pa dritë, një natë pa hënë,
Lotin intim ma shanë e vranë…
I pata thënë lotit tim-
përballë botës mos i dil…
Është kohë e keqe, një Zot e di,
do të të thajnë pa dalë mirë…
Nuk më dëgjoi, nuk më dëgjoi…
Si djal’ plangprishës
pa mua shkoi…
Një ditë , ah, ditë, pa mbushur ditën,
kthehet sërish lodhur e tretur…
Lutet e lutet mardhur e ngrirë
përmbi qerpik nga pritja djegur…
I kisha thënë, i pata thanë:-
S’i duhet botës një lot që qan…

Më thirre?...

…ja, erdha.
Sa të kaloj mbi njëmijë vjeshtëzat e mia,
Sapo t’ua mbledh gjethet e zverdhura,
Sapo t’ua shtroj tryezën “Hapy Birthday”
Në larg-ikjen time…
Erdha!

Analiza e komente për poezinë e I. Sulkuqit:


Anton Çefa për I.Sulkuqi

Poezia e Iliriana Sulkuqit dhe disa konsiderata për poezinë erotike në letërsinë tonë të traditës

(Orvatje për një sprovë)

Në esenë e tij të njohur "Tradita dhe talenti individual", Th. Eliot theksonte: "Asnjë poet, asnjë artist i cilitdo art, vetëm nuk e ka kuptimin e plotë. Rëndësia e tij, të çmuarit e tij, është të çmuarit e marrëdhënies së tij me poetët dhe artistët e vdekur." 1).Është e nevojshme dhe e domosdoshme për shkencën letrare të inkuadrojë në gjirin e letërsisë kombëtare shkrimtarët e talentuar, që t'i kuptojë më mirë ata, të përcaktojë në njëfarë mënyre rrënjët e artit të tyre dhe, sidomos, të nxjerrë në pah risitë me të cilat ata e begatojnë më tej sofrën e letërsisë kombëtare.
Në këtë këndvështrim, ky shkrim synon të analizojë poezinë erotike të poeteshës së talentuar Iliriana Sulkuqi.
Kritikja e njohur lerare, Klara Kodra ka shkruar: "një damar floriri ekziston në poezinë e Ilirianës" 2). Mendoj se ky damar, më së tepërmi, shkëlqen në motivet erotike, kryesisht në përcaktimin e objektit krijues dhe në trajtimin e tij artistik shikuar nga një vizion femëror, çka është jashtëzakonisht e rëndësishme për letërsinë tonë, sepse një vizion i tillë, për kushtet sociale dhe shkallën e emancipimit shoqëror e shpirtëror të popullit tonë, në përgjithësi, dhe, në veçanti, të femrës, ka ardhur i vonë, disi rryeshëm dhe i tërhequr. Më tepër se kudo, në këtë vizion femëror shquajnë origjinaliteti motivor dhe risitë stilistike të kësaj poeteshe.
Termi poezi e dashurisë, në shkencën tonë letrare, në një kuptim të gjerë, përfshin përveç poezisë erotike edhe poezinë e dashurisë për atdheun, për vendlindjen, poezinë e dashurisë me tematikë sociale, universale, refleksive, etj. Lirika erotike, nga ana e saj, është zhvilluar në hulli të ndryshme si lirikë erotike e pastër, platonike, refleksive, sensuale, etj. Erotikën pornografike, licensioze, letërsia shqipe e traditës nuk e ka miratuar, edhe kur është shfaqur ajo.
Në letërsinë arbëreshe të traditës, si tek De Rada dhe Dara, poezia e dashurisë dhe, në mënyrë të veçantë, ajo degëz gjithnjë e blertë e me freski të përjetshme, poezia erotike, nuk është kultivuar si poezi e veçantë, por topikë të këtij rrafshi poetik, të fuqishëm e me bukuri të rrallë artistike, gjejmë plot në veprat e tyre. Thjesht, poezi erotike ka shkruar vetëm Serembe.
Lirika erotike në letërsinë shqipe zë fill me ciklin poetik "Bukuria" të Naimit, kryevepra e tij dhe një nga perlat më të bukura të poezisë shqipe të dashurisë. E kanë pasuar, duke përmendur më të fuqishmit në realizimin artistik, Lasgushi, Migjeni, Gaspër Pali, Camaj dhe poetë të tjerë bashkëkohës, që nuk mungojnë.
Sulkuqi, si në jetë edhe në art: "Mbi rrugën e gabimeve të mia, rrita veten, / bëra gruan, / bëra nënën, / trajtëzova femrën.” Ndërsa, mbi bazën e një disponimi të ndërgjegjshëm në rrugën e vështirë të artit poetik, ajo "trajtëzoi" një poezi femërore me vlera artistike të larta. Kjo poeteshë zgjëroi dimensionet e poezisë së dashurisë në hapësira poetike pak ose aspak të njohura më parë në letërsinë tonë. Në rrethin tematik motivor, ky polaritet krijues dimensional i saj përkap motivet e dashurisë në hulli poetike të tilla si humanizmi, universalizmi, atdhetarizmi dhe kryesisht erotizmi.
Si edhe poeti ynë i madh i dashurisë, Lasgushi, Sulkuqi dashurinë e ka frymëzim të përhershëm e të pashtershëm. Për atë, dashuria është “ëndrra që mbetet e zgjuar tërë jetën”.
Dhe dashuria, dashuria / me një ëndërr të pafjalë,
Të rrëmben nga frymë e fundit, / të risjell në këngë prapë.

Kjo sepse, siç është shprehur kritiku ynë i njohur Ali Aliu, “dashuria është një etje asnjëherë e shuar, një etje e zhuritur . . .”, “është emocion përherë dhe rishtaz i freskët dhe i përtërirë, emocion që prore fillon nga e para, përkatësisht si përjetim i papërsëritur kurrë njësoj, është ‘lojë e shpirtit.” 3).
Dashuria është kryemotivi i poezisë së saj, është motivi që e sjell dhe e risjell gjithnjë tek vargu. Në një poezi kushtuar Robert Bernsit, ajo shkruan:

Sikur të ishe ende gjallë
Ti, Robert Bernsi i dollisë,
Me ty, një ditë, do dring-ja gotën,
Veç me dolli të dashurisë.

Duke u nisur nga realiteti jetësor konkret, që në këtë rast është admirimi i poeteshës për poezinë erotike të Bernsit dhe njëfarë përfytyrimi për jetën e tij, në këto vargje është njëmendësuar një realitet artistik i gjallë e komunikues me lexuesin i vlerësimit të jetës dhe të veprës artistike të shkrimtarit të madh anglez, në mënyrë të veçantë, të lirikës së tij erotike, dhe i vetë dashurisë si ndjenjë e fuqishme njerëzore.
Në njërën nga poezitë më të realizuara artistikisht – në poezinë kushtuar Eseninit – që zë vend në rrethin më të ngushtë të poezive më të bukura të kësaj poeteshe, është shprehur përhershmëria e frymëzimit nga dashuria si dhe është pohuar ndikimi i pashmangshëm i “poetëve të vdekur”, siç e ka thënë Th. Eliot.

Ku më gjete,
Që më zhveshe,
Gjer në palcë të trupit tim?

Me ty puthem,
Qaj me vete ,
Unë jetime, ti jetim . . .

Të rrembeva
Një beriozë,
Për inat, më zhvirgjërove . . .

Kjo është poezia, me katër topikët e saj: zhveshja, dashuria, rrëmbimi i beriozës dhe zhvirgjërimi. E kursyer deri ku nuk shkon më përtej, kjo poezi në secilën prej këtyre fjalëve ndryn nga një simbolikë me fuqi e bukuri artistike të rrallë. Vargjet e fundit: “Nëse ti / je vagabond, / nuk të bëhem vagabonde”, janë mish i huaj që e dëmton poezinë, një jehonë e vjershërimit deklarativ të realizmit socialist.
* * *
Si në poezinë erotike të fillimeve të traditës sonë letrare, poetesha jonë ekzalton të dashurin dhe vetë ndjenjën e fuqishme të dashurisë, fuqinë e madhe të saj, deri në shkallëzimin më të skajshëm, që është pranimi me dëshirë, kënaqësi dhe qetësi shpirtërore i vdekjes. Në një poezi të shkurtër prej tetë vargjesh, njëri prej të cilëve përsëritet dy herë, thuhet: “Për ty / gjallë hyj në varr . . . " (“Mos harro").
Është ky trajtësim që zë fill që nga "Bukuria" e Naimit, poemthi që zë kryet e vendit në sofrën erotike: “E mora vdekjen në sy, / Do të vdes, të vdes për ty.” Poeti ynë i Rilindjes e himnizon gruan, e bën Perëndi dhe, kështu, të veshur me atribute hyjnore, i nënshtrohet. Poetesha jonë është gati të pranojë një nënshtrim tokësor; ajo i drejtohet të dashurit: “Më fal, udhëtar i pagjumë! / qenkam robinjë e fatit tënd.”
Dashuria përjetohet si një ndjenjë e ndërlikuar dhe kontradiktore dhe, në procesin krijues njëmendësohet si një ndjenjë e madhërishme, substanca shpirtërore e së cilës është mbrujtur me dhimbje e lumturi, me gaz e vaj. Në traditën e erotikës sonë, për të shprehur dhimbjen e fortë , vuajtjen, torturat e dashurisë , sidomos në rastet kur ajo nuk gjen përgjigje, qysh te Gavril Dara dhe, më së voni e më së tepërmi, tek Lasgushi, poeti i papërsëritshëm i dashurisë, është përdorur dendur leksema llaftari a llahtari. Në poezinë popullore kjo fjalë ka kuptimin e frikës së madhe, tmerrit, ankthit, siç e gjejmë, p. sh. tek një këngë popullore: “Vjen një lumë i turbull-o / sa i turbulluar qenka, / sa i llaftarisur qenka!”. Mirëpo në lirikën e lëvruar kjo leksemë ka fituar një konotacion të veçantë e shumë të fuqishëm. Gavril Dara tek “Kënga e sprasme e Balës”, ku në hullinë patriotike ndërthuret dashuria e Marës me Nik Petën, në gojën e Marës ka vënë këto vargje: “Në je gjallë pse nuk kthehe / tek ky gji që llahtariset”; ndërsa Serembe, në poezinë “Këngëtari dhe bilbili” ka strofën: “Eja, vashë, e gëzomë / tash që kam kaq dridhërime / dhe me këngë qetësomë / nga të thellat llaftarime”.
Lasgushi e ka zgjëruar së tepërmi hapësirën konotative të kësaj lekseme. Studiuesi Vehbi Bala ka shkruar lidhur me këtë: “Dashuria përshkruhet si ‘llaftari’, mall që zor se gjen kënaqësi në jetë, dhe që ndjell dëshpërim”4).Studiuesi Sabri Hamiti, llaftarinë tek Lasgushi e ka trajtuar si: “njëra nga figurat çelës të shënjimit të superlativitetit të intensitetit shpirtëror, e pranishme në të gjitha temat e shkrimeve poetike” 5). Gjithsesi, mendoj, se Lasgushi e ka pasur obsesion përdorimin e kësaj fjale. P. sh., ai thotë për gjuhën shqipe: “O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot”.
Më i vonshmi, poeti Gaspër Pali, ka poetizuar: “Muzgu mendët m’i shastisë; / kah shpirti më ban njiherit tmerë e përqethje / me u llaftarisë”.
Sulkuqi i është shmangur me origjinalitet përdorimit të kësaj lekseme. Ajo gjendjen shpirtërore të llaftarisë e ka dhënë shumë bukur, në një rast, me epitetin "e përdjegur", në poezinë "Të vij sonte, apo?" : "Të vij sonte / apo sonte? / A pas vetes së përdjegur", ku është realizuar artistikisht edhe një shkallëzim i kësaj ndjenje, që shkon nga një përndezje e menduar tek përdjegia e shprehur dhe që përbën shkallën më të lartë të dhimbjes, thellësinë më të madhe të plagës. E shprehur ndryshe, kjo lartësi në shkallëzimin e përjetimit dhe të sendërtimit poetik të dashurisë është dhënë edhe në poezinë artistikisht të dobët, prozaike: "Jam e çmendur", ku thuhet: "Jam e çmendur / Më shumë se dashuria".
Në këtë hulli të vetëdijes aristike, tek poezia e Sulkuqit, më së shumti, dashuria pohohet si ndjenjë e vuajtjes dhe si e tillë ka gjetur një realizim mjeshtëror të mirëfilltë:

Nga syri im te syri yt, në udhëshpirti u tret loti . . .
Nga syri yt te syri im / një pikë lot rëndon sa globi . . .

Nëpërmjet përftesës përsëritëse (anaforës): “nga syri im te syri yt”, krijohet ideja e vazhdimësisë, përcjelljes dhe reciprocitetit të ndjenjës përmes syrit, pasqyrë e shpirtit, duke filluar me shikimet mes të dashuruarve, që në esencë është dhimbje e pafund, e cila udhëton mrekullisht në “udhëshpirti”, një formim leksikor original, i krijuar mjeshtërisht, që bart një ngarkesë të fuqishme emocionale, ngarkesën e lotit që rëndon sa vetë globi. Përmasës universale të dashurisë i përgjigjet një dhimbje universale.

* * *

Në rrafshin e shqiptimit poetik, vuajtja e dashurisë në qenësinë e saj është një dhimbje e lumtur, një dhimbje që ndryshon nga çdo dhimbje tjetër njerëzore, sepse përjetohet si dhimbje e ëmbël, që Lasgushi e ka poetizuar si: “këngë e vaj bashkuar”. Ai ka shkruar: “Gjeneza – më precizërisht: ekzistimi i ‘magjisë dhembëse”: qenia e gazit helmplot, që fshihet domosdoshmërisht në gjirin e dashuronjësve, e ka mburimin e thellë. Ky mburim rrjedh nga natyra e dashurisë . . .” 6).
Kjo “këngë e vaj bashkuar” tek poezia e Sulkuqit është një ndjenjë e dëshiruar: “Mos ma zgjo ëndrrën, / dua të dhembë”; ose: “Paguajmë shtrenjtë, / sa shtrenjtë paguajmë / të na dhembë”. Në një poezi tjetër thuhet: “mos ma fshih lotin, lëre të rrjedhë.” Ka aq e aq vargje të bukura rreth këtij aspekti të përjetimit të dashurisë. Përvijohen dy polet ndjenjësore të dashurisë: gëzimi dhe trishtimi, gazi dhe vaji, dhimbja dhe kënaqësia. Tek Sulkuqi, mbizotëron poli i dhimbjes. “Po të mbledh / ditët e dashurisë, / më dalin shumë më pak se një pikë loti. / Po të mbledh / hapësirat e dhimbjes, / kam frikë mos më mbytet globi”.
Gjithësesi, edhe pse në më pak vargje, dashuria ekzaltohet edhe si ndjenja më e lumtur, si sublimitet i këtij pasioni universal të njerëzimit:

Aty ku buzët vure ti,
Po pi burim – burimburuar . . .
M’u deh, o shpirt, me dashuri,
Prej ëndrrës që më mbeti zgjuar . . . !

Buronja borën po e pi,
Ku pijmë të dy të dashuruar . . .
Aty ku buzën vure ti
Po pi burim të kthjellëruar . . .

Nuk janë të pakta motivet që sendërtojnë lumturinë e magjinë e kësaj ndenjeje, sublimitetin e saj. Në to dashuria përjetohet më tepër si ëndërr se sa si realitet, më tëpër si dëshirë se sa si realizim. Kështu poezia e Sulkuqit fiton, ndonjëherë, nota platonike dhe përmasa universale. Ajo në këto raste ecën plotësiht në shtigjet lasgushiane.
Jo vetëm dhimbje e dëshiruar, e ëmbël, dashuria, duke qenë burimi, gjeneratori që vë në lëvizje jetën, forca që e mban gjallë atë, është edhe një dhimbje e nevojshme dhe e domosdoshme: “Nëse më zgjon sot e pas-mot / me heshtje-dhimbje, dashuri, / të kthehem gjethëz në stinë pa mort, / ku edhe dimri fal rini.” (“Zotin e bëj të flas me zë”).

* * *
Një tis i tejdukshëm sensualiteti, i endur mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, mes dëshirës dhe bëmës, mes fantazisë dhe realitetit, përbën një risi tjetër të vyer për letërsinë tonë erotike, që poetja Sulkuqi e ka realizuar me sukses. Më së tepërmi është një frymë sensualiteti që vibron aty-këtu, një shkëndijëzë që feks mbi motivet erotike. Në raste të tilla, realiteti jetësor në vetëdijen artistike të autores krijon një realitet përfytyrues poetik, që bart ide e mesazhe aq të këndshme, të bukura e të hijshme për një poezi femërore. Në këto motive dritësohet një feminitet intim që rrallë ndeshet në letrat tona.
Duhet thënë se që në krye të herës, kur filloi të lavrohet lirika erotike në gjirin e letërsisë sonë, asaj nuk i kanë munguar notat sensuale; por ajo ka pasqyruar kufizimet e kohës dhe duke qenë kultivuar vetëm prej poetëve burra, i ka munguar deri vonë vizioni femëror i trajtimit. Edhe në poemthin erotik “Bukuria” të Naimit, sado që tek ai mbizotëron botëkuptimi panteist dhe femrës i janë veshur atribute hyjnore, nuk mungojnë ngjyrimet semantike sensuale. I dashuruar marrëzisht, Naimi prehet duke puthur këmbët “mëkatare” të së dashurës:

Baltë e pluhur do të bëhem
Të më shkeli këmbë e saj
E të prehem duke puthur
Atë këmbë pasandaj.

Duke ecur i tëri në gjurmët e Naimit, por duke e zëvendësuar sfondin panteist me një sfond magjepës fshatarak, Lasgushi në poezinë “Ti po vjen që prej së largu”, ka kënduar:

Ti po vjen që prej së largu magjiplotë-e dalëngadalë.
Ti po vjen që prej së largu duke shkitur mbi lëndina.
Nënë thembërzat e tua përgëzohet trëndelina,
Shtrihet luleja mitare e zëmbakut që t’u fal.

E si shkon me hap të matur më pushton një dhëmbshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbës s’ate,
T’i pushtoj i llaftaruar ato hapëza mëkate . . .

Ndërsa, duke poetizuar në frymë popullore, në poezinë e titulluar “Balladë”, në gojën e vashës na ka dhënë pasazhe të gjera sensualiteti:

Trim më more-edhe më shtrove,
Trim më ngrove-e më pushtove’
Trim më puthe-e më mbarove’
Trim o trim seç trimërove.

Në këto shtigje, por një hap më përpara, hasim poetin e talentuar Gaspër Pali, i cili, siç ka vërejtur studiuesi Alfred Çapaliku, “Si rrrallëkush në lirikën shqiptare vizaton ethshëm skena sensualiste, por në çdo sekuencë ndjenja mbetet fisnike dhe nuk ngatërrohet, as në kufirin ekstrem, me instinktin.” 7).

Fike dritën, se terri - the – më pëlqen:
Se kur mkatnohet, vjen mbi shpirt tim terri,
Pse mkati asht terr, e mkati po shpërthen
T’shuhet drita n’dhomën tonë . . .

Në një rast tjetër, duke komentuar poezinë “Zane stuhish”, ky studiues ka shkruar: “Shtjella e kësaj poezie është erotike, gjer në konsumim të plotë” 8).

E u shkrimë bashkë me shoqi-shojnë
Si dy-tri dru në votër nji flakë përftojnë.

Në këtë rrafsh poetik, Sulkuqi tregohet e kursyer, pa teprime në strukturën tekstore dhe në të njëjten kohë me një nëntekst poetik të pasur. Një xhevahir i rrallë poetik është poezia "Mështeknë". Vetë përcaktimi i objektit poetik - (mështekna është berioza e Eseninit, birch i Frostit, maranxhja e Camajt) - të sugjeron një motiv femëror. Mështekna është një dru pylli i viseve tona të ftohta, me trung të drejtë e të hijshëm, me lëvore të lëmuar e të bardhë, herë-herë me një lëkurë si me do luspa të mëdha që në hije-dritat që krijojnë përfton përjetime poetike. Ajo duke "u veshur dhe zhveshur" fiton një konotacion figurativ të fuqishëm. Camaj i ka kënduar: "Një bimë maranxhe çveshet pa turp / në pikë të mjesditës.”

Mështeknë
Buzët më humbën mes buzëve,
Gishtërinjtë mbi tastjerat e brinjëve
Trupi si grusht i mbledhur…

Mështeknë, më thuaj, kaq vjet
Si e ruan,
Moj, virgjërinë?”

Në tri vargjet e para dritësohet një skenë e vërtetë dashurie, e cila për një piktor modernist të talentuar do të shërbente si frymëzim për të realizuar një kuadër të madhërishëm. Në vargjet e fundit, me një kapërcim të befasishëm pindarik, përthehet linja poetike dhe jetësohet pyetja e pyetjeve, - një motiv erotik krejt i rrallë për letrat tona të dashurisë. Rrallë, shumë rrallë, është ndjerë në letërsinë tonë erotike femërore kjo dozë e fuqishme feminiteti dashuror, që sikur i është tëhuajtur zbrazëtisë së reflektimit në art të përjetimeve të tilla, të cilat për t'u realizuar kërkojnë talent, mjeshtëri, guxim dhe çiltërsi. E pra, poezia shqipe i ndjen të nevojshme këto trajtesa motivore.
Me inters për mënyrën e qasjes ndaj objektit artistik dhe, sidomos, për mënyrën e çuditshme se si e përthen atë, çka është e natyrës së ecurisë poetike të kësaj poeteshe, siç e vërejtëm tek "Mështeknë", na paraqitet poezia "Qamë në shteg Qabeje" Tek kjo poezi sendërtohet një kalim i befasishëm e i çuditshëm i motivit nga lehtësimi shpirtëror i dhimbjes së shkaktuar nga plaga e dashurisë tek lumturia që krijon po kjo dhimbje. Motivi shndërrohet e zhvillohet në "gaz e vaj": "Qamë e qeshëm bashkë, / nën udhë e mbi udhë" për të vazhduar "Qeshëm. Më pas qamë / si dy klithma shpirti . . . / Ndaj ag fjetëm bashkë / lodhur nga harrimi.". Vargu i fundit "Ndaj ag fjetëm bashkë, lodhur nga harrimi " vjen si përthyemje mbas përthyemjes.

* * *

Duke na dhënë elemente kreative të frymëzuara nga raste konkrete të përjetuara, me të cilat lexuesi mund të krijojë "historinë" e dashurisë apo të dashurive të saj, Sulkuqi ka pasuruar erotikën tonë me motive të reja, që nuk janë ndeshur më parë në letërsinë tonë. Ja ndonjë shembull: në poezinë “E hershme e shkruar sot", trajtohet një motiv origjinal dhe krejt i veçantë. Dy vajza dikur kanë dashur të njëjtin djalë, një dashuri e mbetur pa përgjigje. Sulkuqi poetizon, duke iu drejtuar shoqes së vet: "Dikur të thashë: / nëse e do siç unë e dua / ta fal, mos të t'humb edhe ty". Ka kaluar kohë, kujtesa që ngjallet kur takohen me njëra-tjetrën ringjall një plagë, që rishtas dhemb e djeg dhe bëhët për poeten farë e një bimësie poetike të njomë e të freskët: "Në takimet tona, ndodh shpesh, / një lot të na djegë mbi faqe . . . ". Një tekst i thjeshtë, por me një nëntekst poetik figurativ e emocional të pasur. Në poezinë "Kritikë Dashurisë", flitet për një letër "me një fjalë prej qielli" dërguar "mot e mot më parë", të cilën ia kujton i dashuri mbas shumë kohësh "vite-drite u dashka të vijë një përgjigje".
Vetë procesi krijues në rrafshin e poezisë erotike është në vetvete një dhimbje, që lind për ta mposhtur dhimbjen e plagës së dashurisë, për ta sfiduar atë, "llaftarinë", po njëkohësisht është edhe një delir lumturie, (kur ajo gjen përgjigje). Në poezinë që po shqyrtojmë është vargu, pra krijimi i poezisë, që "e zë për krahu" poeten dhe e "degdis ndër dhembje" dhe është po vargu që "i shkrin" "shtratin e ngrirë nga ethja". Me fjalë të tjera, plaga që hap në shpirt dashuria është sfidë që shfren gjatë aktit krijues poetik dhe i jep poetit lehtësim shpirtëror, prehje, pauzë qetësie. Një disponim i tillë shpirtëror është, mesa duket, një veçori e përgjithshme e veprimtarisë krijuese, por në rastin e poezisë erotike, ku dhimbja individuale është më intensive, është më e theksuar. Kafka ka shkruar: “Për artistin, arti është vuajtje përmes së cilës ai lirohet për t’i përballuar një vuajtje të re.” 9).
Më së shumti, lirika erotike e Sulkuqit është refleks i një lutjeje, një dëshirë e ndezur, një gjakim i zjarrtë që pasioni përvëlues i dashurisë, i përjetuar si ëndërr, të shndërrohet në realitet; por që përgjithësisht, nuk e kalon këtë prag, pra nuk jetësohet: “Fshihma lotin / prej një ëndrre / bëma ëndrrën të vërtetë’ (“Fshihma lotin”); ose “Prita hënën / të trokisja në portën tënde / si ëndërr”.
Nuk mund të lihet pa u vënë re se leksema endërr, sikurse edhe disa leksema të tjera që përbëjnë çelësa poetikë në frymëzimet e kësaj poeteshe, ka një konotacion të pasur që ndryshon nga një motiv në një tjetër. Kështu, ajo në më të shumtën e rasteve nuk përdoret në kuptimin e saj të parë, leksikologjik, si ëndërr gjumi, dhe as si një gjendje ëndërtare e njeriut të zgjuar, por në kuptimin e vetë ndjenjës së dashurisë, është metaforë e këtij pasioni. Në poezinë “Vetëm ti”, thuhet: “Unë e di / se vëtëm ti, / përmbi gji më je shetitur, / që nga sot e mot e mot / që kur ëndrra më trazoi.” Ose, “Pa të ftuar më erdhe në ëndërr . . . / pa emër, pa të shkuar, pa të ardhme, / ‘të tashmen’ – në ëndërr jetova. / si ‘e tashme’ frikur u largove” (“Emër pa emër”). Duhet thënë, gjithashtu, se nganjëherë është vështirë të përcaktosh në mënyrë kategorike kuptimësinë e kësaj lekseme si stilemë, sepse ajo mund të interpretohet kështu dhe ashtu: “Në shtratin e ëndrës t’u futa . . . / me aromë gruaje të marrë, / tek ëndrra ime u ktheva.”
* * *
Në motivet e dashurisë si endërr e parealizuar shpesh zotërojnë notat e një keqardhjeje për një rini të ikur, të parinuar, për një dashuri të parealizuar, dhe që gjithnjë tingëllon si një thirrje për ta respektuar dashurinë, për t’i dhënë asaj vendin që i takon në jetë, d. m. th. kryevendin. “Hej, ç’më ikën puthjet! (Nuk e di se ku . . . ?) / ngrinë mbi buzë të ngrira / a mbi fjalë pa prush! ?” (Puthjet).
Këtij cikli motivor i takon poezia e bukur tejet origjinale “Si shpend drejt vdekjes”:

Përballë të erdha si njeri
As nuk më pe, as nuk më preke . . .
Mërgova fshehtas te loti im
Si zogth i trembur prej një ngrice . . .

Loti, një tjetër çelës i poezisë së Sulkuqit, në vargun që shkëlqen nga dhimbja: “mërgova fshehtas te loti im”, ka konotacionin e ëndrrës, dashurisë, vuajtjes. Në poezi të tjera, ai ka edhe konotacionin universal të vuajtjes njerëzore dhe të dhimbjes për vuajtjet e të tjerëve, që shfaqet në mjaft poezi të saj.
Herë të tjera, duke marrë karakter universal, poezia e Sulkuqit kthehet në ankesë, qortim, kritikë deri në protestë ndaj kushteve shoqërore, ekonomike e shpirtërore, po edhe subjektive, që i bëhen pengesë dashurisë, si në poezinë “Kreshendo”:

Do të lutem për të fundit herë
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
për vajzat që flirt bëjnë me vete,
për meshkujt që s’dinë ku venë,
për burrat që dehin burrërinë . . .
për djemtë që kërkojnë dashurinë.”...

Në poezinë "Nga gjithë sa kam shkruar", poetesha me nota keqardhjeje gjykon dashurinë a dashuritë e mbetura pa përgjigje. Rinia kalon dhe "s'mund të ndizesh më / kur në hi je tretur". Gabon ai që pretendon të mjekojë plagë të vjetra: "Kush premton që di / të mbyllë një plagë të vjetër, / pa dashje gabon, / hap një plagë tjetër.". Por, përballë këtyre notave pesimiste e disfatiste ngrihet madhërishëm dashuria e femrës si nënë dhe si motër:
Çdo gjë që kam shkruar,
Fjalë poezish - do t’i gris harruar
Pa dhimbje në shpirt

Do mbetem veç nënë
Do mbetem veç motër,
Kështu qenka thënë
Jeta bëhet lodër.

Ky motiv trajtohet, gjithashtu, në poezinë “Dashuritë e mia”. Ndërsa, në poezinë “Puthuni, aktorë”, për dashurinë e pakufishme të nënës, thuhet që ajo rron “edhe kur i shkulet zemra”.
Në erotikën shqipe të traditës, ka shembuj të bukur, në të cilët dashuria e mbetur pa përgjigje, dashuria e pafat, vuajtja e pangushëlluar, e ka drejtuar muzën poetike në shtigje të tjera dashurie, në ato universale. Me një simbolikë të tejdukshme, në poezinë “Dejtënori” (Detari), Serembe gjen jo vetëm prehje dhe qetësim shpirtëror, por edhe lumturinë, duke e bartur ndjenjën drejt një ideali po aq të lartë e të fisëm.

Ti te ky dhe . . . pushonj
Te deti û dejtënor!
Ti prehe, û luftonj
Me shi, rrufe dhe bor!

Po ti, kopilje, e di
Se yti më së jam:
Ruata te nj’yll û i zi
E t’e shurbenj û kam.

Kur drita e zbardhën qiellin
Dejtënori ëndrrat harron.
E ka për nuse fjamurin,
Për mall detin këndon.

Dashuria është ndjenjë e fuqishme. Me elemente simbolike të hiperbolizuara, që bartin kumte poetike të pasura, jepet fuqia e madhe e pasionit: “Në më thëntë shpirti “Po”/ mbi dhjetë shpifje fluturoj, / e shkërmoq një mal të tërë, / dhe një lis e hedh në tokë, / le të ketë lisi rrënjë.” (“Në më thëntë shpirti ‘Po”).
Shpesh përjetimi i këtij pasioni të fuqishëm paraqitet si dehje shpirtërore, gjendje jo normale e njeriut, delir, etj. Në poezinë “Dy dehje”, thuhet: “Di se nga dy dehje / njëra rri me mua.”. Për te sakrifikohet çdo gjë: “Prej teje, / dua botën e rremë / pa ty, s’e dua as të vërtetë.” Për t’u theksuar është se koncepti për dashurinë në erotikën e Sulkuqit është real, i jetës. Ndërsa Lasgushi ndonjëherë i atribuon dashurisë një burim abstrakt, të mëvetësishëm: “Se s’dashuronja as un’ as ti, / po dashuronte dashuria”; Sulkuqi e zbret në tokë: “Po nuk u deshem ne të dy, / s’ka si të duhet dashuria”. Në një poezi tjetër, jetësohet një situatë edhe më konkrete : “Ditën / zihemi me dashurinë, / natën / për te na merr malli.”.
Poezia e dashurisë, në përgjithësi, dhe, në mënyrë të veçantë, motivet erotike tek kjo poeteshë kryqëzohen shpesh me motivet e mërgimit, çka nuk është e re në poezinë tonë gojore dhe të lavruar; por në poezinë e saj janë të gjalla notat e aktualitetit të mërgimit shqiptar të viteve të fundit, më së tepërmi, i detyruar nga kushtet ekonomike, politike e shoqërore. Nuk duhet harruar edhe një impuls shpirtëror i shqiptarit për mërgimin. Çabej ka vënë re që “dëshira e përhershme e shqiptarit për shtegtim” ka gjetur pasqyrimin e saj në “këngët e përmallshme të mërgimit” 10). Ky kryqëzim motivesh ka jetësuar poezi të ndjeshme dhe shpesh shumë të bukura. Në poezinë "Mbamë këtu" (Bisedë me veten), poetesha i drejtohet vetes:

"Mbamë këtu, nëse je imja?
mos më degdis në dhè të huaj!
ku të më qajë një korb i verbër,
ku të këndohem e harruar".
Në poezinë “Letër burrit nga Shqipëria në NY”, theksohet tensioni i ndarjes, në një vështrim më tepër sensual. "...Dhe kthehem, / përkthehem / në shtratin e gjerë . . . / gjysmë e çarçafit . . . / agohet pa rrudhur/... " Ndërsa në poezinë: “ . . . Që të afrojnë me ndarjen”, përsëritet me një realizim krejt të ri motivi i mëparshëm: “Të të puth në shtratin e zjarrtë, / nuk mund! / të m’i ftohësh afshet e natës, gjithashtu.”

* * *

Në fushën e lirikës erotike të traditës, kritikën tonë letrare e ka shqetësuar dukuria e diskrecionit, mungesa e identifikimit nga ana e poetëve për vajzën që kanë dashur, dukuri kjo që është shfaqur që tek Naimi, në poemthin erotik“Bukuria” dhe ka vazhduar, me ndonjë përjashtim të rrallë, deri tek Migjeni, që është cilësuar si “poeti më i skajshëm i mundshëm në poezinë tonë të traditës”, dhe “poeti, ashtu siç fshehu lidhjen emocionale me një vashë që e desh nga sytë e bashkëkohanikëve dhe bashkëqytetarëve, po me aq rreptësi e fshehu edhe nga lexuesi i vargjeve të tij” 11).
Pa mohuar kushtet shoqërore të kohës, që janë bërë pengesë për të shfaqurit publik të së dashurës a të të dashurit, dhe vetë mëndësinë e kohës, mendoj se shkak i kësaj dukurie është edhe natyra e përmbajtur e shqiptarit. Çabej, një nga njohësit më të mirë të psikologjisë së popullit tonë, ka shkruar: “Thelbi shpirtëror i popullit tonë është rezervimi” 12). Çajupi, përveç emrit të gruas së vdekur, Evgjenisë, ka përmendur emra që sipas gjase janë emra fiktivë. Kështu edhe Camaj. Ndryshon puna me Gaspër Palin, që përmend në lirikat e tij erotike emrin e vajzës që dashuroi dhe me të cilën pati marrëdhënie intime, Kleyden, shqiptuar me aq bukuri e brishtësi artistike në poezitë: “Dritë të mshehuna”, “Vashë e panjohtun”, “Zane stuhish”.
Sikur e ndjen peshën e rëndë të diskrecionit të poezisë së traditës, Sulkuqi bën përpjekje të çlirohet prej saj. Në poezinë “Pas 30 vjetësh”, poezi kushtuar shokut të maturës, “poetit dhe njeriut fisnik Nexhip Ejupi”, që dikur shkruante vjersha për te, ajo poetizon: “Të t’them të drejtën, / vjershat kur lexoja, / ‘kështu jam veç unë’ – me vete mendoja”. Por “më mirë që nuk fole, / më mirë që s’të kuptova. / Kaq bukur s’do shkruaje, / sot s’do të takoja”. (ishte fjala për një takim poetësh).
Gjithsesi, u shpall apo nuk u shpall idenntiteti i së dashurës a i të dashurit, nuk ka ndonjë vlerë në rrafshin e realizimit poetik: as nuk e bën më të përsosur dhe as nuk e lë të mangët poezinë.

* * *

Mjeshtëria në fushën e poezisë erotike të Iliriana Sulkuqit qëndron në vlerat estetike të kësaj poezie, që njëmendësohen në përcaktimin e objektit poetik, në mënyrën e qasjes ndaj tij, gjuhën, stilin, figuracionin. Ajo që e dallon më së shumti veçorinë e përcaktimit të objektit poetik është burimi i këtij objekti nga rrethanat jetësore të poetes; dhe ajo që e dallon mënyrën e qasjes ndaj objektit poetik është sinqeriteti i plotë, çka përbën një nga çelësat e suksesit, mos më krysorin, përveç talentit të padiskutueshëm dhe pjekurisë së arrirë artsitike. Kritiku ynë i shquar, Mitrush Kuteli ka thënë: “Në kazuistikat personale (rrethanat, rastet jetësore, shënimi im, A. Ç), buçet e duket poeti i vërtetë” 13).
Me një ndjeshmëri të theksuar ndaj fjalës poetike, Sulkuqi ka krijuar një fjalor të vetin plot fluiditet lirik, të cilit i paraprijn leksemat-stilema shpirti, ëndrra, loti, dashuria, e ndonjë tjetër që, siç e vumë në dukje më lart, janë të pasura me kuptimësinë figurative, që nga domethënia e tyre semantike e deri tek vezullimet përsiatëse filozofike për dashurinë.
Fjalë të reja ka krijuar ajo nga brumi i gjuhës sonë simbas ligjësive të fjalëformimit të shqipes dhe, në ndonjë rast duke e thyer atë, por gjithnjë me vlera të qarta e të hijshme semantike e stilistike, që bartin ngarkesa emocionale shpesh të fuqishme. Pa ndonjë karakterizim dhe pa ndjekur ndonjë kriter, po përmend disa prej tyre: pranverë erëtërfil, shall kripëgrisur, ndjellafjalë, burim-burimburuar, rroba blerëfalur, botë bardhëngrirë, moj trupëz-zhveshura, po pi burim të kthjellëruar, grirojnë retë, bletëroj, bletërohem, i hirëm, liqeni klithmërohet, fli vogël-gjyshe, shoqe-madhe, ngjyrëshpirti, udhëshpirti, supe-dhimbjet, fjalë-rreze, mallzjarr, mall-pritjeje, bukuri-plage, vjeshtë-okrën, pragfjetje, largndarje, flori-nëne, nina-nana-djepërie, përzgjime, hapnajë, etj.
Këto formime i japin një shprehësi të veçantë të një bukurie të rrallë artistike poezisë së Sulkuqit. Ndonjëherë një fjalë e vetme i jep vlerë poezisë ose e dëmton atë. Fjalët bëjnë çudinë në artin letrar dhe çudia në lirikë, sidomos në lirikën erotike, është më e madhe se kudo tjetër. Sulkuqi e di mirë këtë. Dhe ja sesi me fjalë të sajat, ajo i thur himne dashurisë, sublimon lumturinë që fal ajo, jep dehjen e përhershme të pasionit:

Aty ku buzët vure ti,
Po pi burim-burim-buruar . . .
Dehu, o shpirt, me dashuri
Prej ëndrrës që më mbeti zgjuar.
Buronja borën po e pi,
Ku pijmë të dy të dashuruar . . .
Aty ku buzën vure ti
Po pi burim të kthjellëruar . . .

Një përkujdesje të veçantë kjo poeteshë i kushton organizimit fonetik tingullor të fjalës, vargut, strofës. Në këtë dukuri fonologjike-stilistike, një rol të rëndësishëm luajnë përsëritjet, të cilat përbëjnë një nga veçoritë kryesore stilistike të poezisë së saj. Nëpërmjet tyre, shpesh krijohen harmoni imitative tingujsh, fjalësh e shprehjesh, që jo vetëm i japin një hijeshi të brishtë, të veçantë e origjinale vargut, por edhe pasurojnë nëntekstin semantik dhe, sidomos, emocional të poezisë:

Nëpër zgjime – / zgjoj e zgjohem /
Bletëroj e s’bletërohem (Përzgjime).

Veçoria kryesore e figuracionit në poezinë e Sulkuqit është të qenët larg manisë për të absolutizuar abstraksionin poetik, dukuri që nxjerr kokën tek mjaft poetë të sotëm. Natyrshëm që poezisë së sotme nuk mund t’i mohohet abstragimi; asaj duhet t’i mohohet një absragim i pashpjegueshëm. Kritiku letrar Agim Vinça ka shkruar: “Arti i kohës sonë e ka intensifikuar abstraksionin poetik, si një primat të vetin. Kritika letrare, që është vetëdije e veprës, duhet ta zbresë atë në nivel racional-analitik” 14). Një gjë e tillë kërkon domosdoshmërisht që simboli ose figura të ketë një “nivel racional-analitik”, që duhet zbuluar, shpjeguar e komentuar. Duke iu shamngur simbolikës së errët dhe metaforave të dyshimta, që i lënë vend më së tepërmi hamendjes sesa argumentimit ndjenjësor dhe racional, Sulkuqi arrin të sendërtojë një poezi me një nëntekst të pasur figurativ dhe njëheri mjaft emocional. Një figuracion i tillë, i thjeshtë deri në kufi thjeshtësie, i pasur tejet me nëntekst poetik që bart mesazhe fisnike e të hijshme, të ndjell një dëshirë të pashuar për lexim e rilexim, dhe pas çdo leximi të pasuron nëntekstin poetik:

Mos ma fshij lotin,
Lëre të rrjedhë
Në lumin e rrudhur,
Ku lahet një hënë,
E joshur nga yjet.

Vargje të tjera, në të cilat shqiptohet keqardhja për dashuri të parealizuar, kullojnë bukuri përftesash metaforike dhe shprehësish stilistike:

U putha a s’u putha . . .
Dielli u dogj brenda vetes,
Hëna m’u ftoh nëpër duar.
***
Veçori tjetër e metodës krijuese të Sulkuqit është përdorimi i dendur i tri pikave të retiçencës, përdorimi i dendur i presjeve, pikëçuditëseve, etj. Dihet që një përdorim jashtë mase i një elementi poetik a stilistik, që vjen e shndërrohet në manierë a obsession, e dëmton veprën letrare. Kur pauza përdoret me vend krijon mundësinë e persiatjeve për një kuptim e zbërthim sa më të mirë të konotacionit të një fjale, vargu, strofe a poezie.
Nuk është pa vlerë edhe “arkitektura” e poezisë; përkundrazi, ajo ka rolin e saj, që nuk është thjesht viziv, nuk ka thjesht funksionin e bukurisë së pamjes a plotësimin e nevojës për shlodhje-kalim syri. Ajo ndikon në bartjen e mesazhit dhe ndihmon për një kuptim sa më të mirë të tekstit dhe, sidomos, të nëntekstit poetik nga ana e lexuesit, e aktivizon atë më shumë në përvetësimin e tyre. Po bie vetëm një shembull: poezia “Mështeknë”, për tekstin dhe nëntekstin që ka, natyrshëm njëmendësohet në dy strofë; ndërsa në vëllimin poetik “ . . . Më kërkon falje” është botuar në monokolonë; në antologjinë poetike “Poezi” është botuar në tre distikë dhe në një strofë treshe. (!)

Përfundimisht, Iliriana Sulkuqi ka një poetikë të vetën, veçori të stilit artistik që e dallojnë atë, veçori që burojnë nga temperamenti tejet i hovshëm impulsiv, talenti i padiskutueshëm dhe pjekuria artistike. Ajo ka sjellë në sofrën kombëtare të poezisë erotike një poezi femërore me nota liriko-dramatike, me vlera të larta estetike, dhe, siç e kemi thënë më lart, ka zgjëruar dimensionet e poezisë së dashurisë në hapësira poetike pak ose aspak të njohura më parë; ka krijuar përftesa semantike dhe stilistike originale të hijshme e të pasura në kuptimësinë poetologjike, duke siguruar kështu një komunikim të përhershëm me lexuesin.

Anton Çefa

Referenca:

1). Th. S. Eliot, “Tradita dhe talenti individual”. Cituar sipas Anton Nikë Berishës “Çështje teorike të letërsisë”, shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2005.
2). Klara Kodra, “Poezi e qartësisë”, në vëllimin “Poezi” të Iliriana Sulkuqit, f. 251.
3). Ali Aliu, “Kërkime – Studime, kritika, ese”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1990, f. 292.
4). Vehbi Bala, “Lasgush Poradeci dhe poetë të tjerë të viteve 20-30”, në “Historia e letërsisë shqiptare”, Tiranë 1983, f. 528.
5). Sabri Hamiti, “Lasgush Poradeci - Vdekja e Nositit”, shtëpia botuese “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 30.
6). Lasgush Poradeci, “Poezi, et coetera . . .”, tek “Lufta e penave – Zgjedhje antologjike e polemikës shqipe”, nga Sevdai Kastrati, “Botimet Toena”, Tiranë, 2002, f.424
7). Alfred Çapaliku, “Gaspër Pali – Jeta dhe vepra”, shtëpia botuese “Camaj – Pipa”, Shkodër, 2002, f. 42.
8). Alfred Çapaliku, vepër e cituar, f. 46.
9). Franz Kafka, cituar sipas Anton Nikë Berishës “Njëmendësia e fjalëve – Mundësi interpretimesh letrare”, shtëpitë botuese “Shpresa & Faik Konica”, Prishtinë, 2006, f.226.
10). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, Përgatitur për shtyp nga Brikena Çabej, shtëpia botuese MCM, Tiranë 1994, f.43.
11). Ali Aliu, vepër e cituar, f. 331.
12). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 28.
13). Mitrush Kuteli, “Poetë dhe detraktorë”, tek “Lufta e penave”, f. 490.
14). Agim Vinca, “Aspekte të kritikës sonë”, “Rilindja”, Prishtinë, 1977, f. 125.

-Anton Çefa, poet, studiues,
editor i gazetës ”Dielli“- SHBA -
________________________________

Gjithëushqim poetik
poetja imortale-



Nga FATMIR TERZIU








Sulkuqi, “poetja e hekurt” e trevave shqiptare, vulosi para ca ditësh me vargun e saj përtej modestisë, pa bujë e në heshtje nëpërmjet “Fjalës së Lirë”, hymnin poetik të nektarizuar në vite, duke parathënë qetësisht se poezia e saj, versioni i saj e ka bërë atë të pavdekshme në hapësirën poetike mbarëshqiptare, por edhe më tej:

“...ndaj syhapur...



malli qenka dhe i bukur..

edhe pse të than si eshkë…

Jeta vetë na qenka –mall

Ndaj syhapur çdokush vdes.”





Barazpesha e ditënetëve



Kjo poezi e qëndisur me fjalën e përzgjedhur nikoqire, me stigmën protagoniste dhe me sqimën tradicionale shqiptare, natyrshëm ushqehet me nektarin poetik të Sulkuqit. Sa gratitude është të shpaloset në këtë shekull poetik! Në këtë rrjedhë të poezisë së Sulkuqit, që më shumë se 50 vjet sfilaton mrekullisht, me modën e duhur dhe me një surprizë tejet rinovuese. Më shumë se 50 vjet është në të fjala, gjuha dhe shprehja, figura artistike dhe jetikja, mirëdashësia dhe ndjesia qetësiprurëse. Në cdo qelizë të këtij motivi, Sulkuqian, ndjejnë qetësi burra e gra, të rinj e të reja, gjithëmoshorë dhe gjithëseksorë. Natyrshëm aty ndjehen mirë dhe shijues deri në detaje të poezi-perlës së saj. Ajo nuk njihet si poete e shtresave, as poezia e saj nuk njihet si e varfërve apo sidromë e të pasurve. Poezia e saj që nga ditëlindja e deri tek kjo e fundit i jep shpirt-ushqim të gjithëve, edhe pse del si dielli i agimit mes dy cukave gjelbëroshe, që ngrihet në dy anë të kundërta të globit, si për të barazpeshuar ditënetët poetike:



“i thashë lotit…”



Një ditë pa dritë, një natë pa hënë,

Lotin intim ma shanë e vranë…



I pata thënë lotit tim-

përballë botës mos i dil…

Është kohë e keqe, një Zot e di,

do të të thajnë pa dalë mirë…



Nuk më dëgjoi, nuk më dëgjoi…

Si djal’ plangprishës

pa mua shkoi…



Një ditë , ah, ditë, pa mbushur ditën,

kthehet sërish lodhur e tretur…

Lutet e lutet mardhur e ngrirë

përmbi qerpik nga pritja djegur…



I kisha thënë, i pata thanë:-

S’i duhet botës një lot që qan…”



Poetja imortale



Poetja e vargut gjithëushqyes, mund të marë edhe sinonime të tjera, vec atyre që rubrika dhe ndjekësit ia përkëdhelin, si ‘lulekuqe’, por ajo mbetet tek ajo që poezia e saj tashmë ka vulosur: është pavdekësia, ‘poetja imortale”. E gjithë krijimtaria e saj në fakt mund të quhet e tillë. Edhe pse në këtë majë moshore vargu i saj siglon një pjekuri me timbër e rezonancë poetike, natyrshëm deficit ii takon kohërave dhe tematikës. Në përzgjedhjen e fundit, Iliriana Sulkuqi, solli aromën e një itinerari-human, që aty nga mesi i katërmujorit të këtij viti u ushqye në flladin Ballkanas: "Pa pyetje –pa përgjigje" e Ilirianes eshte ne kete udhe dhe natyrshem ka gjuhen e vet:

" Po plas!...

Po plas, po plas,

përse nuk shpika

rrota gjigande sa Dashuria...

Si një bujkrobe do e tërhiqja

gjithë Amerikën tek Vendlindja...

Po plas, plas që askund s'jam-

as ku kam lindur,

as ku do vdes...

Që s'bëra dot një varg të malltë

dhe pse me rrokjen fjeta jashtë.

Po plas, po plas,

kujt t'i rrëfehem

që m'troket ikja n’ rrëz' të veshit,

as bardh, as zi s’më mbeti vargu,

një oqean m’ ndau nga Deti...

Po plas...po plas…

Që dhe një dorë-

shtatë breza nerv,

shtatë malle varg,

një firmë s’e hedh as për shkronjë,

një firmë s’e hedh as për një varr…

Po plas….Po plas

si në legjendë:

« ...Plasnë si poçe me verë... »





E njohur si një aktiviste dashamirëse, në meshën poetike dhe dimensionin e saj human dhe si një tejcuese e stilit poetik të saj në ambiencën dhe poezi-sofrën kosovare, Sulkuqi gatoi me këto poezi, një emër tjetër, ndoshta po aq sa Isuf Myzyri i Madh që këndohet me shpirt e me zemër anembanë, ku shqipja flitet me ëmbëlsi. Por jo vetëm kaq, ajo shuguroi një shkollë, gatoi një poezi model, një projekt-prozë poetike për të tjerët, që synojnë të arijnë frutet e saj.



Shkundja



Poetja në këtë prurje, nuk rilindi, as nuk ndryshoi diçka, veçse na shkundi ne krijuesve, na kujtoi në fakt oreksin e madh të kritikës, për të thënë paksa më shumë, kur dihet se çdo gjë që ajo ka shkruar është një ushqim për të gjithë e meze për të rinjtë e fushave krijuese në lëmin e poezisë.

Ajo riskon si një poete e natyrës, e kënaqur me udhëtimin e saj përgjatë Jonit, apo Egjeut dhe mëtej mes Rivierës dhe sofrës atdhetare, duke sfiduar admirimin dhe parasjellë çdo të mirë në tryezën e saj poetike. Për çdo mirësi, për çdo mirëpritje, për çdo anështrim idesh. Në këtë udhëtim real dhe imagjinar, Sulkuqi gjeti vetveten dhe ne zbuluam e rizbuluam poeten…

Sulkuqi solli me devocion trëndafilat e dhuruar, çmimin e merituar, dhe atë që ka adhuruar, për të themelosur në vargun e saj dashurinë e munguar dhe paksa të harruar nga thinjat dhe rrudhat.

Në varg ajo është më shumë se kaq!

_________________________________________



“Fjala e Lirë” -

comments

FATION PAJO



Lexojmë poezi e ndonjëherë heshtim e i kalojmë lehtë.Lexojmë përsëri të reja ...njësoj më duken si të tjerat e i përcjellim përsëri herë te dyzuar e here duke medituar per ndonje varg te tharme.Por sot kur lexoj ciklin e Ilirjanës e kam të veshtirë kë të veçoj.Malli për vendlindjen thyen çdo imazh tjetër. Të lumtë moj kësulkuqe e freskët si ngaherë. Fationi.

By FATION PAJO - 7/5/2008



___________________________________________________________

Sinqeriteti në artin e fjalës



FARUK MYRTAJ



Fundi s'ka fund, sa gjallon “Fjala…”. Sa herë kam menduar: i kam thënë të gjitha për poezinë e Ilirianës! Nuk ka si befason më, nuk është e thënë të shkruhet gjithnjë për poezitë a ciklet e saj... Por ja, vjen cikli i mbramë, dhe nuk rri dot njeri pa bërë një shenjë se e lexoi, se e pëlqeu, se e shijoi, edhe më shumë se ciklin e mëparshëm... Dhimbja dhe gëzimet, gjithçka që përbën Jetën, nuk paskan fund dhe bashkë me të fjala si arti i të jetuarit si njeri. Cikli është i tëri ndjesi, dukje lotësh e ikjeje, por të ofruara si shenjë e të Qenit Këtu. Në Rrugë për Andej. Por kur të vijë fundi...Deri atëhere do shkruhen poezi...



"I pata thënë lotit tim-

përballë botës, mos i dil…

Është kohë e keqe,

një Zot e di,

do të të thajnë pa dalë mirë…"



Nuk ka as dashuri dhe as urrejtje në këto vargje. Ka realitet, pra janë të dyja elementet e përmendur, dhe secili lexon në mënyrën e tij.
Të lexuarit, ashtu si të shkruarit, as ai s'ka fund. Gjersa të vije fundi...



"Po plas, plas që askund s'jam-

as ku kam lindur,

as ku do vdes..."



Është magjepsëse, prekëse, optimiste, shkundëse...Mungesa e papërceptueshme, prania e padukshme: Nuk i gjen lehtë vargje të tillë. Edhe pse nuk shkohet ndërmend t'i lexojmë dot tërë vargjet për këtë subjekt; edhe pse shkruhet e botohet për ditë. Jetën e bëjmë të gjithë, dhe lëmshi mblidhet pak nga pak, është vështirë të mos shtiremi, bëjmë sikur nuk...nga pak, por ajo makaraja rrotull-rrotull-rrotullo...harrohemi sidomos në kohën kur shkruhet...nuk ka pse shtiremi, por ja edhe u shtirëm, nuk... Sinqeriteti në artin e fjalës s'ka fund. Ashtu si suksesi, si shkuarja deri në fund të ndjenjës. Kështu do vazhdojmë, siç duket. deri në fund. Dhe fundi s'ka fund.
E thotë Iliriana...

_____________________________________________





“Fjala e Lirë” 7/9/2008

comments

ELIANA ALIEN



Më pëlqen ta filloj këtë mesazh me "fundi s'ka fund sa gjallon fjala...", goditje në shenjë, për poeten.

E kam shijuar poezinë e saj si të ishte kavial. E kam prekur çdo varg me shpirt, e çdo varg i saj më ka prekur po në shpirt. Iliriana është një ndër ato poete që pasi e ke lexuar, ke dëshirë t'ja hapësh në pëllëmbë të dorës botës.



Z. Faruk Myrtaj, më ngazëllen peneli juaj i fjalës që ka ngjyros aq mjeshtërisht poeten tonë.



Komplimenta!



Me respekt

Eliana Alien-
Itali, 7/10/2008



________________________________________


Me kupën e dehjes së saj poetike…

Mendoj që komunikimi i drejtëpërdrejtë me artistin është një privilegj që jo gjithkush e ka mundësinë. Ndjehesh komod në takime me ta dhe kafeja e bisedës është më e shijshme. Të duket se ata jetojnë në një botë sa reale, po aq ireale, në një botë të mbushur me emocione dhe magjira, të duket sikur në copat e bisedës së tij (asaj), je ti apo dikush tjetër që ti e njeh po aq mirë.
Këtë ndjesi kam kur në kafen (gati të çdo ditë) ngas bisedën me Nënën e malluar, artisten e vargut të ndjerë, femrën e mendimit modern e rebel, miken time të fëmijërisë së lumtur, Iliriana Sulkuqi.
Pas emocioneve të ndërthurura që mban njeriu kur (ri) gjen shoqen e humbur se di ku, pas leximit të poezive të saj, (shumë i lexoj me zë mes kolegësh) s’di se pse, m’u bë obsesion ta vëzhgoja tek fliste me atë gjallëri që duket se s’do të shuhet kurrë tek ajo krijesë e bukur, Grua fisnike.
“Grua të jesh është krenari,
është dlirësi…
… si det i gjerë me dashuri….
-thotë diku Iliriana e mirë.
Jep autografe, shkëmben përshëndetje, përcjell forcë e optimizëm, lehtëson dhimbje dhe shton shpresë…
Shpejt më lindi mendimi për të mos humbur kurrë asgjë nga çastet e jetës së kësaj gruaje, për t’i mbledhur këto grimca, këto gjurmë që ajo lë kudo dhe… për ta kthyer atë në një personazh letrar.
“Tepër vonë për t’u ndezur
tepër shpejt për t’u fikur…”,
mendon nëna Lili për vitet e saj.
Pastaj kupton që tek kjo jetë diçka gëlon dhe po të shprehësh me gjuhën e saj shekspiriane, që si lajtmotiv përshkon gjithë dellin e saj poetik.
“… Në jetë nga kulmet kam frikë…”
Por me stoicizmin e saj ajo di, dhe në momente të vështira të kësaj jete të vështirë të thotë që:
“…Me dhimbjet e lindjes
mundi të gjitha dhimbjet!...”
Iliriana di të mbrojë gjithçka të shenjtë që ajo ka në këtë botë, di të mbrojë fëmijët e saj, familjen e saj, dashuritë e saj, dhe… kujdes, mos e “cytni” atë, “se pastaj … me Hënën do t’ju vras!”, kërcënon ajo.
Por jo, Lili është e mbetet Ofeli, edhe pse kujton se:
“Mbi faqe mëkati ndez zjarr
s’ka buzëkuq të kuqin ta meh!”
Duke notuar, përhumbur në mendimet e saj të magjishme, Iliriana e dëlirë, “mëkaton” dhe …, me poetin fle “Në një shtrat-livadh-ar…”, “Për Qiell e për Tokë!”, betohet ajo.
Gruaja poete Ilirianë e lashtësisë së Arbrit shkëmben autografe e vargje me femrën poete Safo Greke. Takohen e rrëfejnë dashuritë e tyre të ndezura me pasionin e netëve plot yje e ndriçim hënor.
… dhe pastaj ndodh, që për “të qena e të paqena”, Iliriana e dashur, me kupën e dehjes së saj poetike, rrëmben e betohet shpesh.
Unë vazhdoj t’i ngas vargun… dhe kafeja e ditës na duket më e mirë…

DHURATA AGALLIU, gazetare TVSH, 13 Gusht 2000
_______________________

E dashur Lilush,

Nuk e di se përse me vjen për së mbari të të thërras kështu, ndoshta e ndjej më të afërt lidhjen me ty.
Sa shumë më je gjendur në këtë mbrëmje me poezinë tënde.Qëlloi të lexoj disa nga poezitë e tua, në një moment kur muzika klasike botërore humbi një ndër kolosët e saj, Pavarotin.
Unë e di që në shkencë njëri përpiqet t’u tregojë njerëzve në mënyrë të atillë që të kuptohet nga të gjithë, dicka që nuk është njohur më parë, ndërsa në poezi ndodh krejt ndryshe. Kështu ndodhi këtë mbrëmje.Befas poezia tënde më rrëmbeu dhe unë në çdo varg të saj ecja me ritmin tim. E ndjeva veten pjesë të vargut tënd poetik, sepse poezia është hyjnizim i realitetit, ndaj dhe u bëre më e afërt me mua dhe padashur mendja më shkoi në një thënie të Mencken se: Një poet në më shumë se 30 vjec është thjesht një fëmijë i rritur shumë. Poezia nuk ka moshë, por ka shpirtin e saj, dritën , ngjyrën dhe frymëmarrjen e saj.
Duke kaluar nga njëra poezi në tjetrën do të përfundoja me thënien e Walt Whitman : “Një poet gjykon jo siç gjykon një gjykatës, por si një diell i rënë rreth një objekti (diçkaje) të pazot”

ELMIRA MIJA , gazetare, Nju York)
e-mail:elmira124@yahoo.com
_______________________

Duhet patjetër të lexosh Ilirianisht!

Nëse do t'i sugjeroja dikujt që do shprehte interes të lexonte poezi, atëherë do t’i thosha: "Duhet patjetër të lexosh Ilirianisht! "
Kështu do ta quaja, pa ndrojtje, frymën e veçantë që sjell poetja Sulkuqi në letërsinë shqipe.
Lirizmi i theksuar, dhënia prioritet perspektives, duke pasur si linja kryesore Mirësinë dhe Dashurinë multidimensionale, veprimi në kohë të ndryshme, pa e tërhequr vëmendjen e lexuesit nga vlera dhe gjuha poetike, janë disa nga karakteristikat e poezisë së Ilirianës. Përdorimi i metaforës dhe gjuhës figurative është tipar i veçantë i poezive të saj. Kjo e tërheq më tepër lexuesin sepse e integron atë në procesin edukues edhe zbavitës njëkohësisht. Simbolizmi dhe krahasimet janë të shpeshta, gjë që të bën të ndjehesh pjesë e rrëfenjës poetike të poetes, atë moment. Toni dhe melodia e strofave janë të balancuara dhe të shtojnë dëshirën e njohjes së krijimtarisë së "Kësulëkuqes" në vazhdimësi. Një shpirt i vërtetë poetik, që fatmirësisht ka mirësinë të ndajë me lexuesin gjendjen dhe perspektivën, filozofinë jetësore, duke dhënë shembull vetveten, frymëzuese dhe optimiste, "Ilirianisht"-ja do të mbetet për shumë vite të ardhshëm e tillë si është sot: Në penë, Iliriana Sulkuqi, shoqe ka vetëm veten!
Urime për botimin e ri dhe suksese në të ardhmen.
Me dashuri dhe respekt,

MERITA BAJRAKTARI McCORMACK, e-mail- jmrome94@aol.com ose: albanianë@yahoo.com
Washington DC, me 29 Gusht 2007

_______________________

Nuk mbaj mend cila ka qenë hera e parë kur u takova me Ilirianën. Di se në çdo takim që kam pasur me të jam mahnitur nga gjallëria dhe harmonia që ajo ka me jetën dhe mbi të gjitha me poezinë. Çdo fjalë apo vështrim, çdo veprim apo lëvizje tregon poezi, thua se ajo vetë ishte ngjizur në të dhe lind çdo moment si një pranverë e pafund.
Nganjëherë më ngjason me vjeshtë që trupëzon ngjyra dhe gjethe në vargje, apo si plash i ngrohtë, kredhur në paqe tek pret muzgun. Ajo në të vërtetë është një zbardhje dite për artin shqiptar, është dëshmi se gruaja është përcjellëse e artit poetik. Është dhuratë e jetës që unë kam mundur të njoh këtë shkrimtare të kompletuar.

AIDA BODE-shkrimtare, Tetor, 2007 -USA
www.aidabode.com , e-mail: stergjyshe@yahoo.com

___________________

Talenti nuk njeh moshë

Qysh në vjershat e para të botuara në shtypin e Shqipërisë në vitet 70-të, të shekullit që lamë pas, spikati talenti i poetes Illiriana Sulkuqi. Me krijimtarinë e pandërprerë ajo synonte lartësitë.
Tani, në dekadën e parë të shekullit XXI, ciklet poetikë të saj, të botuara në faqet e gazetës së nderuar "ILLYRIA" të Nju Jorkut, flasin për arritje cilësore, në gjininë e poezisë.
Cikli "Përballje me Zotin..." me dyzetë poezi të publikuara në internet në shtator 2007, që e kemi parasysh, tregon se stilistika poetike e autores ka veçanësi karakteristike. Sidomos poezitë tre-katër vargjesh dhe me subjekt erotik... Ato përmbajnë figuracion letrar e mendim të ngjeshur, që mishërojnë dukurinë e një shkolle poetike të rrallë-lëvruar, të cilat e stolisin gjerdanin poetik të autores, siç janë edhe poezitë: “VO:” (Nuk ma ka fajin Zoti!/ Vetë kam trokitur/ nëpër dyer LOTI!). Ose poezia: "Pas-tash-thënie" (Eja, dashuria ime/ eja të ikim/ më parë se të humbim/ dhe trenin e fundit/ nesër/ do të na djegin edhe hirin). Ndërsa tek poezia “...Dhe thotë një këngë...”, poetja ligjëron çiltërsisht: “Për dashurinë jap shpirtin/ për urrejtjen-dashuroj”. Dhe në një tjetër i buçet shpirti: “Puthmë...”(puthmë, në stinën tënde!... / Të gjitha stinët i kam brenda vetes”
Meditimi i poetes ka përmasa kënd-vështrimi, gjë që e jep dukshëm jo vetëm pasurinë kulturore e ndjeshmërinë shpirtërore, por dhe përsosmërinë e mjeshtërisë në thurjen e poezisë. Vargjet e saj qëndrojnë larg nga hermetizmi dhe abstraksioni, janë të kapshëm dhe e mbushin lexuesin me kënaqësi. Përmbledhjet me poezi të autores përmbajnë tematikë të larmishme. Kjo vihet re tek cikli "Përballje me Zotin...” Me ofshamën e shpirtit mallkon paradoksin e kohës në disa poezi si tek : “Kujt t'i besoj”, ku ndihet thirrja e saj: “Kujt t'i besoj, /engjëllit a djallit...” Më tej “...Më fal, o Zot! / Mallkova vitet,/ mallkova kalendarët.../ Për ngjarjet historike/ pas qejfit datat i ndërrojmë/ për moshën s’lëvizim as qimen...”. Në vijim tek poezia : “Skllavja ime LIRI...” shprehet: “Liri!Liri!/ Pasthirrmë brezash-/që s'gjejmë këngë të
t’lirojmë...!”Poetja e njeh lirinë vetëm tek syri, që na thotë në poezinë: “Demoniane”(....bëj bè për Syrin e vetë Zotit!/ ...Bej bè për syrin që s'i fikem ,/ i vetmi skllav me tej-liri t'jashtëligjëshme....”
Sy-shikimi i poetes e përzgjedh subjektin dhe e shtrydh vargun për të shprehur thelbësoren e titullit të ciklit poetik që kemi përpara. Në poezinë “Parajsa...”(triologjia poetike-Ferri, Purgatori, Parajsa), ajo vargëzon lirshëm: “...e kam parë me sytë e mi një prift/ që bekonte kriminelin.../ Edhe disa hoxhallarë që të lajnë xhepin/ ...Prifti i 6-të Janarit-/ kur Ti, Zoti ynë, bekoje ujin/ iu shihte këmbë e gushë / zonjave të vèja...”
Vargjet e Ilirianës paraqesin, mbi të gjitha, edhe zemërgjerësinë e shpirtbardhësinë e saj njerëzore. Këtë virtytshmëri e shohim në disa poezi: “Tornado” (...mos ik pa mua!/ Merrmë në vorbullën/ e çmendurisë tënde! /Për hatrin tim,/ Leri të jetojnë të tjerët!). Tek një tjetër: “..Pse të dua / vdes e para,/ ikjen tënde mos ta shoh..." Ndjesinë humane e gjejmë edhe në poezinë “Udha e qumështit", ku mes të tjerash thotë: “...të digjemi nga fryma jonë/ dhe dritën t'ia falim botës...”
Nostalgjinë për Atdheun, na e paraqesin, në mënyra alegorike vargjet e poezisë: “Lejlekët nuk vijnë më”, ku gjallëron malli për vendlindjen: “...edhe unë mund të kthehem në Kumuri/ e një fole-zë ku të çlodhemi/ mund ta gjejmë nëpër hoje.../ Një mrekulli duhet të jetë,/ tek fole-za e ballkonit-vendlindje”.
Poezia e Ilirianës shquhet dhe për fjalorin e pasur e të figurshëm, metaforat dhe meditimin kuptimplotë, që të krijojnë emocione.Vargjet e saj rrjedhin, gurgullojnë natyrshëm, si një burim uji kristal, si një fllad ledhatues me aromë lulesh e ligjërima bilbilash, të cilat ngjallin tek lexuesi ndjenja shpirtërore dhe estetike, njëkohësisht.
Radhitja e fjalëve të zgjedhura, skalitja, krehja e lëmimi i vargut, me ëmbëlsinë tërheqëse, është dukuri tipike i një krijuesi të talentuar. E tillë dhe me ndjeshmëri të hollë është edhe poetja Sulkuqi.
I urojmë Ilirianës: Ta ketë të pashtershme vlagën në krijimtarinë e saj dhe t'u japë lexuesve, në vazhdimësi, të tilla poezi brilante.

SOTIR LASHOVA, shkrimtar
_____________________

Cila është më e bukur?

E kisha lexuar vazhdimisht këtë poete, por nuk e kisha takuar asnjëherë. Lexoja poezitë e saj dhe e imagjinoja me fizik të madh. Ky imazh më vinte nga forca e vargut të saj që të trondit kur e lexon dhe të jep mundësi interpretimi, kur e reciton… Kur erdha në Tiranë, i them Margaritë, më njih me këtë poete… Kur e pashë, shtanga. Nga kjo grua një grusht të dalin këto poezi? Si i mban, moj, gjithë këto vargje, janë të “rëndë”?!, i thashë sapo e takova… -Ja, më tha, menjëherë, i shpërndaj ca nga ca tek ju dhe lehtësohem…
Që nga ajo kohë nuk iu ndava më. Është nga poetet mike më të afërta që kam. Madje, kur xhirohej dokumentari për jetën dhe veprimtarinë time, I kërkova regjisorit Esat Teliti që Iliriana të ishte brenda skenarit, pra brenda jetë sime… Dhe skenari fillon dhe mbaron me pak vargje Të Ilirianës, me interviste nga Iliriana, me shëtitjet e përbashkëta …
Edhe kur u bë Premiera e filmit në Kinema “Milenium 2”, fjalët e mia filluan me vargjet e kësaj poeteje dhe salla u ngrit në këmbë…
Nuk e di cila është më e bukur nga të dyja: Iliriana apo Poezia. Nuk i dalloj dot…

TINKA KURTI (Artiste e Popullit)
________________________

Ndjehem në moshën e poezisë së poetes...

… E kam ndjekur Ilirianën poezi më poezi, madje në të gjitha veprimtaritë dhe përurimet e librave, nga libri i parë i saj “Më kërkojnë sytë e nënës” deri sot te “…Më kërkon Falje”. E kam ndjekur me shumë dëshirë dhe dashuri…
Sa herë e lexoj dhe e recitoj ndjehem në moshën e poezisë së poetes. Poezia e saj të emocionon dhe të drithëron… Jo vetëm si lexuese, por edhe si aktore, ndjehem shumë mirë kur e interpretoj poezinë e saj, mbushur me lirizëm dhe imazhe… Iliriana nuk është vetëm poete e shpirtrave por është vetë Shpirti i Njeriut. E dua shumë dhe e çmoj po aq shumë si poete të veçantë…

MARGARITA XHEPA (Artiste e Popullit), Elbasan, korrik 2004
_______________________

Më shoqërojnë kudo vargjet e Ilirianës...

Iliriana është femra etalon. Ajo të bëhet vajzë, motër, shoqe, nënë, gjyshe dhe të mbështjell me të gjitha këto dashuri…
Si askush, di vetëm të presë këdo dhe gjithçka që mund t’i ketë ikur apo larguar… Ajo di të falë, jo vetëm në poezi…
Edhe kur ne e kemi harruar lotin tonë, Iliriana vazhdon të qajë brenda vetes dhe me vargun e saj dhimbjen, gjurmët që loti ynë ka lënë . E tillë është ajo, e tillë. Më shoqërojnë kudo vargjet e Ilirianës, por sidomos: ” në udhët e gabimeve të mia eca/ bëra gruan/ bëra nënën/ trajtëzova femrën…”- nuk do t’i harroj kurrë…
Kur këndoj “Sole Mio”, imazh gjatë interpretimit kam Ilirianën-Diell, që na ngroh të gjithëve me shpirtin e saj poetik dhe njerëzor. Po e këndoj sot, për ty Iliriana, në festën tënde të bukur krijuese, ku jemi mbledhur si në një dasmë të veçantë.

EMA QAZIMI- (Artiste e Merituar), Tiranë, maj, 2002
______________________

Fyelltarja magjike në tinguj e fjalë

Nuk mund të thuhet me saktësi se kush e formoi Iliriana Sulkuqin, rrembi artistik i origjinës, talenti i tejçuar nga prindërit, jeta, rrjedha e së cilës ka rendur furishëm, apo shqetësimet e shpirtit me gjithë tendosjen e “harkut të saj dashuror”.
Dua ta kotur-oj si “Fyell-taren magjike në tingull e fjalë”, pasi muzika e vargjeve të saj dinë të zbresin në botën e çdo shpirti. Lirikën e lindur nga mitra e muzës së Ilirianës dëshirojnë ta pagëzojnë “si bijë prej shpirti” çdokush që e sheh (lexon).
Të flesh me lirikat e saj i ngjan një zgjimi, ku nëse ke lot, të fshihen dhe nëse nuk i ke, të dalin. Lirikat e Ilirianës i ngjajnë një kështjelle, prekja e duarve të së cilës, të bën të përjetosh dridhma ndjenjash dashurie.
Nuri i vargjeve, si eliksir zgjon thesarin e fshehur të lexuesit, dhe ashtu e pafajshme si vetë poezia lind dëshira për t’i përvetësuar gjer në palcë, si kandidin e shpirtit.
Illiriana Sulkuqi është miti i gruas shqiptare, një dëshmi se Zoti krijon edhe qenie të tilla humane me dashuri gati-gati hyjnore, larg çdo kufiri njerëzor.

ARGETINA TANUSHI, Gazetare, poete - Teksas, shtator 2007


Njoftime mbi krijimtarine

Libri “POEZI” i Iliriana Sulkuqit,
me i shituri dhe me i kerkuari ne fundvitin 2007!

Sa doli nga shtypi libri “Poezi” i poetes Iliriana Sulkuqi dhe u promovua ne Panairin e 10-te Kombetar te Librit, (mes miqve poete, shkrimtare e artiste, te para kaq-viteve dhe te rinj, qe Poetja i ka te shumte) libri mori udhen e suksesit...
Kerkesa e pare ishte nga Libraria “Albania”, aty tek “ishblloku”, ku z. Fatmir Xhaferri bleu 20 cope: “Iliriana Sulkuqi “Poezi”, se bashku me disa kopje te librave te fundit te poetit Kolec Traboini dhe te Revistes Letrare “Pelegrin” Nr. 7 - 8 & 9...
Sadri Mehmeti nga Gjakova (Kosove), qe ishte pjesmarres ne Panairin e Librit, bleu 40 cope. Ai duke kujtuar rreth 15 vjetet, ku Poetja ka marre pjese ne Mitingjet Poetike qe jane organizuar ne Gjakove tha: “Iliriana, ka lexuesit e vet ne Gjakove, e ftojme ne nje Takim Poetik ne muajt e pranveres -2008, por te merrni dhe libra te tjere me vete”...
Libri “Poezi” u gjend ne qytetin e Vlores, Elbasanit, Sarandes.... . dhe deri ne Kosove e Maqedoni, ne librari e ne duar poetesh...
Shkrimtaria Miradije Maliqi, me banim prej 40 vjetesh ne Zyrih-Zvicer, mor libra edhe per miqte e saj te letrave, qe s’mund te vinin dot ne Tirane...
Sapo u njoftua nga media botimi, Pakot me libra u nisen ne Bordo-France, per shkrimtaret Vasil Qesari e Aleko Likaj (dhe jo vetem per ata); ne Ravenna-Itali tek Alush Kurti, ne Bolonje-Itali tek Albana Temali,(edhe per vellane e vet shkrimtarin Skender Temali dhe miqte e saj ne Rome), ne Londer tek Artan Prifti e Amy Elizabet... e deri ne Australine e larget...
Ne Greqi pati me teper kërkesa. Ne Qendren Kulturore te Shqiptareve ne Pire, ku jane pronare Sotir e Mimi Naci, vetem diten e diel me 23 dhjetor (dita e pazarit te madh, sic quhet) u shiten 9 cope “Poezi”. Gjithashtu ne Iraklio-Krete, gazetaria Vera Hanxhaku, kërkoi edhe pese libra te tjere per lexuesit shqiptare. Poeti i ri Eduart Ymeri nga Ishulli Paros, vec botimit te ri te Revistes “Pelegrin”, kërkoi 5 cope “Poezi”, per miqte e tij: “M’i ruaj se kur te kthehem nga familja ne Permet, do te vi t’i marr!”... Keshtu, poeti Festim Liti nga Larisa, studenti i mjekesise, qe shkruan dhe poezi, Hergys Manaj nga Patra, dhe dhjetra poete e shkrimtare ne Athine.
Poeti dhe kritiku grek, Kristo Tumanidhi, qe i njeh vlerat e poezise se saj (“vetem me dy poezite: “Mergimi ka vetem nje emer” dhe “Rrobat e vajzerise”, per mua Iliriana Sulkuqi eshte poete e vertete”, sic ka shkruar) me kërkoi librin e ri per te përkthyer ne gjuhen greke...
Vec shume librave qe autoria i dhuroi ne diten e promovimit, dhe kërkesave te shumta, Shtepia Botuese “SNAJ” eshte e detyruar qe te beje botimin e dyte gjate vitit 2008 edhe me 500 kopje te tjere.
Falenderojme gazetaren e Radio Tiranes, poeten Valdete Antoni dhe gazetaren Bardha Mance Radio Internacionale e Athines (FM. 104.4), per Emisionet radiofonike qe bene per librin e ri te Poetes, Gazeten “Iliria” me z. Dalip Greca, hapësirat e internetit te “Tefta Tashko Koco”, “Klubi i Gazetareve”, “Bota e Gruas Shqiptare”, “Art-cafe”... gjithe poetet, gazetaret dhe miqte e poetes, per vlerësimet e sinqerta qe i kane bere librit te ri “Poezi” te Iliriana Sulkuqit.
“Me kthe ashensorin” thote nje shprehje franceze. Dhe “ashensorin” t’ia kthejme njeri-tjetrit per te mire.
Shembulli i librit te 12 “POEZI, i poetes Iliriana Sulkuqi, me komunikimin e vete me lexuesin, tregon se si “e mira shkon tek e mira, e mençura shkon tek e mençura”. Eshte gezim kur kete rol mirësie, mençurie, miqësie e bashkepunimi e kryen edhe nje liber me poezi.
Se bashku me poeten Iliriana Sulkuqi, urojme gjithe krijuesit e lexuesit ne Shqiperi, dhe te kudondodhur jashte Shqiperise: Me shume libra cilesore, me teper lexues cilesore per vitin 2008!

Shtepia Botuese “SNAJ”

Dhjetor 2007


Me Shpejtësinë Fluturuese të Poezisë së Iliriana Sulkuqit



Nga FATMIR TERZIU

Klara Kodra diku në analizën e poezisë së poetes Iliriana Sulkuqi pyetjes së saj në ‘është femërore poezia e Ilirianës’ në shkrimin e saj i flirton shpejtësinë, si një derivat që bashkëudhëton me krijimtarinë e poetes. Është fjala për shpejtësinë të cilën Gerald Manley Hopkins, një nga poetët e mëdhenj të shekullit të 19-të, i mirënjohur si një poet i natyrës dhe i shpirtit njërëzor, e vuri për herë të parë si një urdhëresë ndjesore për të kontrolluar ‘mbi shpejtësinë e linjave dhe efekteve të tyre dramatike’. Ndërsa në poezinë e Iliriana Sulkuqit kjo shpejtësi vjen në dy forma. E para është ajo e cila Hopkins përdori në sonetet e tij dhe e dyta është shpejtësia me të cilën ecën dhe lëvrohet kjo ‘luleshtrydhe’ e ushqyer artistikisht në vite. A nuk është një model Hopkinian kjo perlë poetike:



Po t’i mbledh

ditët e dashurisë,

më dalin shumë më pak se një pikë loti…



Po të mbledh

Hapësirat e dhimbjes,

Kam frikë mos më mbytet Globi…”



Këtu shpejtësia në kuptimin e saj të parë, në kuptimin e shpejtësisë së Hopkin, natyrshëm udhëton fuqimisht në linjën e figuracionit që prodhohet nga fuqia e fjalës metaforike. Tjetra është poezia vetë. Këtu ndjehesh i pa fuqishëm të arrish atë. Është vështirë të gjesh shpejtësinë reale, shpejtësinë e poezisë së poetes Iliriana Sulkuqi. Është një shpejtësi maratonë që nis herët hapin e saj ushtarak dhe thellon vrapin e saj pa moshë në një hapësirë tjetër, ku liria së cilës i kushtohet kjo poezi fle e qetë dhe e sigurtë. Pasi merr uratën e gazetarit dhe publicistit të mirrënjohur Dalip Greca në mesin e kësaj lirie, në Amerikë, ku ai e sheh poeten si ‘magjistare të fjalës poetike’, një tjetër stacion i saj është nën penën e Odise Goros në Greqi, që nxitohet nëpër faqet e gazetës “Tribuna” dhe valëve të BBC-së të arrijë poezinë e Sulkuqit, pët të kumtuar ndjenjën dhe cilësimin për poezitë e Ilirianës si një “portret-poezi, që plotësojnë njëra-tjetrën…” Dhe në këtë vrapim poetik është fjala që nxiton të gjej fjalën. Dhe në këtë garë fjalësh poetike, e madhja Tinka Kurti pyet me gjithë shpirt: “Cila është më e bukur”? E ku pra të ndalësh vrapin, vrapin për të arritur një poezi që ngjitet edhe majave me vrapin e rinisë? Mes fjalës së Vasil Qesarit, në këtë ‘rritje’ të shpejtësisë në poezinë e Sulkuqit, shihet ‘shpirti i madh e një botë drithërimash, një zemër që troket sic trokasin pak të tilla.një ndjenjë e mrekullueshme e cila edhe pse plot brenga e vuajtje, është tepër humane, fisnike e madhështore”. Le të kthehemi sërrish tek fjala e Grecës. Greca thotë se “motivet e shpirtit Iliriana i këndon në poezinë e saj”. Dhe natyrshëm ky shpirt poetik gjen pikëtakimin krijues artistik, gjen edhe shpejtësinë fluturuese të ‘lejlekëve’ edhe kur “Lejlekët nuk vijnë më…” për të kuptuar ‘shpirtin e delirit’:



“O shpend i bukur,

me flatra e shpirt deliri…

hapësirë më hapësirë,

mbi ikje zjarr-ore…”


Këtu konsonanca poetike flet me gjuhen e vet.



KONSONANTJA POETIKE

Në këtë vrap të poezisë së Sulkuqit bie në sy poezia e quajtur konsonante, ose në shqip poezia bashkëtingëllore, që si rregull është një përdorim i njëzet bashkëtingëlloreve (bcdfghjklmnpqrstvxzsh) vetëm një herë në fjali. Është një rregull i kësaj poezie që tenton të mos përsërisë bashkëtingëlloren e njëjtë për të mos lejuar fragmentimin. Edhe pse duket në këtë formë, këtu struktura metrike e poezisë së Ilirianës parathotë formën e saj tradicionale duke u alternuar në një formë specifike, duke sjell prosodinë si një formë kryesore linguistike në një aspekt dyfish, formal dhe informal. Brenda këtyre dy formave është ‘skanson’ i poezisë së Sulkuqit që është një pjesë sintetizuese e analizës metrike. Tek poezia “Mjelma me krahë të prerë…” retorika e poezisë vjen në ndihmë të strukturës. Ndërsa tek vargjet poetike “Shote Galica”, “Adem Jasharit” fjalët e kursyera të poetes sjellin vihen nën komandën e njëzet bashkëtingëlloreve dhe tetëmbëdhjetë zanoreve në rastin e parë dhe njëzet e dy bashkëtingëlloreve në rastin e poezisë së dytë që paralelizohet me ndihmën e gjashtëmbëdhjetë zanoreve. Autorja shprehet për Shote Galicën:


“të kam zili, Shote Galica!

Mbete e bukur ,

Si LIRIA…”


Vënia e reticencës mbas fjalës ‘liria’ duket jo vetëm si një shprehi e faktit të kursimit të fjalëve por edhe si një dëshmi e fshehtë e rregullit konsonant të poezisë. Po kështu edhe tek poezia “Largësi”, ku reticensa luan thuajse të njëjtin funksion. Ndryshe është konteksti konsonant i poezisë “me aromë gruaje” ku ajo është thjesht një poezi që ecën në tërësinë e saj të njohur tek tradicionalja. Këtu thënia e poetit Grek Kristo Tumanidhi, duket se gjen vend kur ai shprehet ‘për një poete të vërtetë’ apo fjala e Perikli Jorgonit që gjen ‘ngarkesë ndjesore dhe filozofike’ në poezinë e autores. Fjala e Dritëro Agollit, që gjen ‘poeten e vecantë’ është domethënësja e këtij nënteksti. Por nënteksti i reticencës dhe konsonantes tek fjala e Kullës për poeten Sulkuqi qëndron tek figuracioni ‘një femër që drithëron telat e harpës në barkun e një tanku … me atë petk celiku të krahasoj me një lajthi të ëmbël dhe erëmirë brenda guaskës”.



e hënë, shkurt 04, 2008

POETJA ILIRA



nga GEZIM LLOJDIA



Duke çapitur përmbi gurët arrita tek bregu këmbëvrarë.I morra një nga një gurët e këtij bregu, që mbajnë valët kur i shkund e përhumb detziu.Gurët të gjithë kanë nga një shkëlqim dhe secili ka një vend të vetë në këtë breg.Dhe më përtej mendimit të përhumbur është nisia e madhe.Deti ,një humbëtirë e madhe,që pushon vetëm kur fle.Edhe ngjyrimin dhe flokët i kapërcejnë jetët tona,jetët e prindërve tanë dhe të paraardhësve tanë.Në një pikë nga ujët e tij është poezia e Ilirianës.Sikur të mos e njihnin pyetja befasues do të ishte:mirëpo cila është kjo Iliriana?Ashtu rrudhni kujtesën duke heshtur.Është poete dhe edi shumë mirë që pjesë e asaj bukurie hyjnore është edhe Iliriana.Nuk e besova,se mund të lexoja vargëzime fantastike shkruara nga pena e Ilirianës.Më një fjalë dora e saj ka bashkuar germat me njëra-tjetrën si në një shtypshkronjë për të ardhur fjalitë dhe kështu strofat.Mirëpo fjala nuk i vjen vetvetiu.Është një soj që quhet zbritje hënore do ta quajmë merre si të duash. Është zbritje në fund të fundit. Dhe është qiellore në fund të fundit. Është e tillë sepse shpirtin e ka sipër në të atë pjesë ku ëndërrimet,bota etere dhe gjithçka duket e mjegullt e pazhbirueshme ,e koduar e fshehur e largët e thellë,magjepse ardhur prej të mirës dhe mund të them e zbritur për ty poete. Ka mjegull shumë nëpër kohëra poetësh. Dhe mund ti ngatërrojmë të gjithë nëpër sirtarët ku i vëmë librat e tyre,por një nuk harrojmë ti themi poete dhe poete.U në shohë me sytë e zemrës,përtej mjegullimeve,një letër të prerë si në kohë të kohës ,një vashë zhytur në ujë e pafajshme është , hedhur në pastel bardhë e zi ,bukurish e bukur,ky mendim më zë sapo nis të shikoj blogspotin e saj dhe si sintezë zënë e ngjizen këto vargje të Ilires

Shkronjë më shkronjë,

Fjalë për fjalë

Vargun tim do ta përplas...

O t’më bëhet dallgë mbi valë,

O me dallgët të më marrë!

Kur nisa të flasë për nisin e madhe me dallgë e shkumë do të kujtojë një udhëtim në bregdeti. Ishte në të zënë të stinës së verës.Dhe mrekullisht nuk bëhet më mirë.Sepse edhe hëna ishte në të zënë të hënës. Ilira dhe vajza ime e madhe shkuam deri në Radhimë. Mercedesi ecte ngadalë ndërsa në shqiptimin e poetes deti ishte një magji. Keni qenë më parë më duket se e pyeta.Edhe në ishull. Ngjyra gri e varg-malit dhe hiri gri i ishullit të vetëm shqiptar afronte nostalgji tek poetja.ç’Bëjnë ato vende?Po tashmë ende flenë ditën dhe natën. Në ishull gërmadhat e banimit janë ende shkretuar duke më bërë të rrëqethem nga tmerri i kohës që quhet ’97. Mirëpo bunkerët janë atje,simbol,beton dhe hekur. Shkuam me transportierin e vogël detar,një soj taksie,korrierë si ato që vinin në katundet tanë për dyzet vjet ngjit e zbrit gërxhet e çukat,nëpër xhadetë malore,mirëpo karrierat detare nuk kishte as ngjitje as zbritje,por online shkonte,vinte nga qyteti moli i të cilit ishte dinga me tela,rrethuar këtej besoj tonton makutët,ruanin më ushtarë detin,ishulli ishte veces një distancë e vogël që shkurtohej. Pallatet e banimit ishin në kodër,të boshatisur sot pa dyer,dritare. Bunkerët brenda të cilave ishin shkruar rregulloret ushtarake dhe urdhrat që duhej për të shënjestruar fantazitë që mund të vinin pikërisht nga deti. Ishulli i Sazanit,ishulli i vetëm i vendit. Ka një plazh,ku bregdeti thuhet nga shkëmbinjtë,distanca nga qyteti detar 17 km. Lartësia e ishullit kap kuotën 342 m .Sipërfaqia e ishullit shqiptar 507 km. Emërtimi Sason.Në lashtësi njihet prej kohëve të hershme V-VI p.e.s. Brodhëm me mercedesin deri atje ku humbet Radhima, sepse këtë e bëmë për të parë atë lidhje organike që ekziston mes detit valëshumë dhe poetes nga mesi e vendit. Dhe këtë e bëmë jo sepse në fund të fundit lidhjet dihen por edhe sepse këtë kishim dhe këtë afronim,përveç detit asgjë tjetër sepse për historinë kemi ngjizur qindra dokumente dhe të rejat në një shteg afrojnë. Rrëqethet deti nga era dhe ndërsa kthejmë më në jug tregojmë bazën detare aty ku gjenden ende sot 4 gjitarë deti. Rreth 100m të gjata të gjitha metalike në fund-jetën e tyre lodrojnë përmbi ujë. Vërtetë ato kanë ardhur në kohën e luftës së Ftohtë dhe i themi poetes se ato nëndetëset janë atje dhe ajo shprehet se i ka parë në një mision ushtarak,të punës së saj.Dhe mbritem

Kredo poetike…

Bëj të fshihem te një natë,
vjen një ag e sytë m’i hap…
Zë të fshihem tek një gotë,
më kujton një tjetër botë…
Pa, kur fshihem te poetët,
jam te Zoti me Profetët…

Poetët ose nuk e dinë ose e fshehin vetë se ajo që ata quajnë frymëzim nuk është gjë tjetër përveçse ngasje qiellore. Unë kam parë Kadarenë vite të shkuara kur bënte ecejake në studion e tij siç duket priste atë që kurrë nuk mbrinte siç e dëshironte ai.Mirëpo me Ilirinë ndodh disi më ndryshe edhe e di dhe e thotë se është ajo ngasje e që vjen prej hapësirës. Dhe kur zëmë të bëjmë biseda mistike në gjuhën fetare muhabeti shkoqur duket por diku humbet filli. Poetja më siguron se diku aty nga mbarimi i viteve,përpara se të mbrinte liria e ëndërruar,është shtruar me urgjencë jashtë shtetit ndërsa përpëlitej me zhveshur mes ëndrrës dhe zhgëndrrës. Mes hullive dhe mijëra ngjyrave që rajvizonin qindra drita,mijëra shkëndijime qiellore që nuk dihet nga dhe ku lindin dhe përse mbrinin.

Lotët e tua aty mund ti ngjanë si brirë drerësh,yjet varen si kryqe shiu. Mes përhumbjes dhe zgjimit. Ndër flutura akulli e gjethesh,era frynë më shumë. Përtej është ëndrra.Unë kam dëgjuar se eremitët i fshihen dritës së diellit për të gjetur dritësimin e shpirtit.Batica e këtij dritësimi u vjen nga sipër,si një hënë e re dhe pikon pikë -pikë në shpirt, yjet e atij qielli.Atje i mbledh ajo grimcë e madhe ,që mbanë botën tonë në një këndë të çuditshëm ,që ka mbledhur grusht yllësit,që kryqëzon djallëzorët dhe shejtanët e dreqërit me brirë,që është padukshmërisht largësi dhe afërsi .Brenda atij mjedisi dhe asaj nate dritësimi është një shpresë.Përjashta bënë rrebesh,atje në shpirtin e saj dëgjohet firoma e tij.As heshtur kur muzgun e mbulon flaka,yllësi për natën dhe ditën.Unë nuk mund të gjej fjalë të tjerë për të komentuar kredo poetike,por di pikërisht një të vërtetë të arirë.Që kur pa në netët ëndërrore të atin që i tha se kishte shkuar pikërisht më parë ai,ajo duhej të kthehej nga rruga që ishte zënë.Përse poetët i flasin hënës,unë nuk e di edhe pse dikush më tha shko pyeti ata,po kë të pyesë më parë hënën,se sa atë që s’të zbardhin asgjë nga ç’shohin hënën. Sepse neve në bregdet me hënën lidhim shumë gjërra.Shko buzë detit dhe pyet peshkatarët që të thonë se ska hënë për të hedhur rrjetat,në hënë të ngrënë druri i prerë ronë njëqind herë.Në hënë të ngrënë fshatari pshuros ugarin e tharë etj etj,mirëpo nga hëna kemi edhe të tjera gjera që i kumtojnë fetarët.P.shOpen in a new window festat fetare fillojnë më hënën dhe llogarie bëhet duke zhbiruar hënën,kur ajo datë apo kjo duhet sjellur në vëmëndje. Ndonëse rrojnë më diellin me hënën kemi shpirtin binjak tonin që na e luzmon hëna.Na e vë në lëvizje hëna në drithëron hëna. Edhe ëndrrat vijnë në shpirtin e kulluar netëve jo ditën me diell çka ka bërë edhe atë thënien shiko ëndrra me diell dmth që janë parealizueshme. Krejt dhe ndryshe ëndrrat e netëve janë të pritshme dhe të ndodhshme,por kur fjala bie për një shpirti që i pluskon në inspirim,kuptimi nuk ka nevoje per shqyrtim.Le të mbetemi tek mistikja.Po nuk pate pikërisht këtë inspirim nuk bëhesh as poet e thashë se kam parë Kadarenë kur priste ose më thjeshtë kërkonte vegime për rreshta të librit në fletët hedhura në tavolinën .Misteri është fshehtësi e fshehtësisë.Dhe ai lind kur ti je i inspiruar ose i mpiksur në të.Me shkurt bëhesh i këtillë,kur nga bota e shpirtit të vjen e padukshmja e pashfaqura dhe e mistershmja. Ajo vjen sepse ti je lutur fshehtas ke folur me gjumin e shpirtit, ndoshta dhe në gjumë ke kërkuar dhe pritur atë ,prandaj të zbret nga pak dhe përditë e pashtershme e magjishme dhe fshehtas ,sigurisht.Unë më tha poetja u sëmura njëherë dhe rëndë,atëherë pash shpirtin e tim eti,që më thërriste diku pranë,në atë botë kur je pendë i lehtë dhe pesha jote atje nuk ndihet.Pra zhvendosja atje ku nuk dëgjohet më asgjë si është shprehur edhe Dantja ju që hyni këtu lani duart nga çdo shpresë,ku në të vërtetë keni hyrë?Pra i erdhi fletëthirrja për të ushtruar gjumin ëndërror dhe ju sigurisht nuk e dini sesi poetit tonë të madh Naim,që është shpallur edhe Baba Nderi në derën e bektashinjve të Frashërit i ka ardhur inspirimi ëndërror për tu bërë vërtetë shqiptar dhe i bukur Naim,sepse ajo të jep bukuri,ëmbëlsi,frymëzim dashuri njerëzore e gjithshka,pra ajo ka fjetur me ëndrrën,ka folur me gjuhën e shpirtit,ka qarë me dënesa prej njeriu të hutuar gjithshka e ka bërë padashur ndrësa shpirti hepohej brenda dhe pika e zezë në thellësi të thelësisë zgjeërohej më tepër e mbushej me parfumin hyjnor.Kështu ra në gjumin e ëndërrës duke u zgjuar më e madhërishme,më ebukur në shpirt sigurisht më e ëmbël se kurrë në poezi.Shiko

Mbrëmë fjeta me Poetin
ju betohem: për qiell e për tokë,
nëse tradhti ky akt e ka emrin,
shpirti juaj, shpirtin ma dënoftë…
Po, po, mbrëmë me Poetin fjeta.
në një shtrat-fjalëvarg,
nënkresë, një krah prej shpirti.
mbulesë, tis fryme - mërgatë…
Fjeta, por fjeta a s’fjeta,
s’di, a bëra dashuri?!…
Mbi gjoks të Tij kokën mbështeta
i brengosur si unë dhe ai…
Më fal, o Zot, në mëkat bëra,
i ngjita buzët me të Tij…
Sikur vërtetë të ishim bashkë,
do ishin tretur dhjetë qirinj…

Kështu ëndërrat u bënën streha të qëmtimeve të mëdha dhe shpirti pluskonte pikë pikë,forcë buronte energji.Ajo ju jep enegji pikërishtë nga ajo dritës që vetë ka akumuluar.Është poezi,dashuri,ndihmë,miqësi,shoqëri ëmbëlsi është e gjithë dhe gjithshka.Ndërsa kuptohet burimi i dritës nga ka ardhur. me sy të thellë,depërtues .

Si do ta përshkruaj poeten?

a-Më tepër sytë përbënin dy liqene qelqore. Të dy liqenet pasqyronin thellësinë në syprinën e ujit. Shpirti, burim i kthjellët nën dritëzën e hënës. Instrumenti matës i valës detare,që konturoi detin e pafund dhe të paanë. Dallgët e shpirtit vigane,që godisnin brigjet dëshmitare të instrumentit matës të Perëndisë.

b-Një njohëse e përkryer i të fshehtave të shpirtit. Dispononte njohuri të habitshme nga dielli i papërsëritshëm.
c- Të rrëqethte,qartësia e kujtesës.
d- Përmbi prarimin e lodhur të poezisë sonë, nxjerre perla të mendimit filozofik.

(marrë nga "Fjala e Lirë" e Fatmir Terziut ,July 8, 2008 )