"...Një shportë sa Qielli - me Dashuri..."
-Intervistë me poeten Iliriana Sulkuqi
Aty nga fundi i viteve '70 , në një rreth miqësor, do të më jepej rasti për herë të parë, fizikisht , të takoj poeten dhe shkrimtaren Iliriana Sulkuqi. Ishte e veshur ushtarake e ndodhej mes nje grupi ushtarakësh me grada të larta si, Arif Hasko, Vehip Fejzulla,...por qe kjo vajzë simpatike e hijshme me uniformë,me flokët e gjata mbi supe, i kishte bërë " zap" gjeneralët, duke ju recituar vargjet e saj poetike që sapo kishte krijuar. Ekspresiviteti i vargut të saj poetik, plot dashuri , ndjenjë e mirësi, më bëri që gjatë gjithë jetës sime ta ndiqja,këtë talent të lindur vetëm për poezi, në gazetën "Zëri i Rinisë", Drita ", revista "Shqiptarja ..."...si dhe në organe të tjera letrare të shtypit shqiptar.
Por bota është e vogël ! Ja ku unë përsëri takohem me këtë urtësi e mençuri, madhështi për nga krijimmtaria e saj, këtu në USA.Ajo nuk ndalet! Vargu dhe pena e saj krijuese vërshon vrullshëm ,kudo, në listat virtuale, shtypin shqiptar në Diasporë , Shqipëri ,Kosovë e kudo në botë! Meraku i vetëm i poetes , shkrimtares , është :Dhuro sa më shumë dashuri, tek të gjithë njerëzit pa dallim feje,race apo ideje!
Meraku i saj janë fëmijët e lindur në tokën e huaj, për brezin e ardhshëm shqiptar në Diasporë ,USA, e kudo ku ka komunitet shqiptar në botë dhe mesazhi që transmeton kjo poete , shkrimtare , nënë , gjyshe: Mësojuni fëmijëve gjuhën e Mëmëdheut , gjuhën shqipe ,trashëgoni të ta,traditën, zakonet e vlerat më të mira kombëtare dhe IDENTITETIN tonë KOMBËTAR!
Duke lexuar intervistën e Lili -t (Sa më pëlqen ta thërras me këtë emër!), ju do të befasoheni , nga forca dhe e vërteta e fjalës së saj, nga " vrapimi" i saj për të krijuar, nga virtyti i mirësisë dhe i dashurisë (me plot bindje do ta quaja Binomi Poet-Njeri), që e karakterizon këtë perlë të letrave shqipe!
-Kam shumë kohë që kam dashur të realizoj një intervistë me ju. I jeni përgjigjur me heshtje. Përse ?
-Ke të drejtë Monda, kur thua se disi jam shmangur, por pa të keq. Intervista është portreti i dyfishtë, ose më saktë, një portret me dy personazhe. Prandaj, unë me "heshtjen" time kam patur dhe merakun, që të justifikoja "fjalën" time para jush dhe lexuesit. Duhet të flasësh kur diç ke për të thënë. Edhe kur pi një kafe me një shoqe apo shok duhet të shkëmbesh informacion, aq më tepër në një bashkëbisedim publik siç është intervista....
Pastaj, për të qenë e sinqertë, a do të të them të vërtetën e vërtetë që më dhemb në shpirt?
Të tilla intervista, me postime pyetjesh dhe me postime përgjigjesh, për mua janë hipokrizi. Vetëm se i bëjmë qejfin vetes dhe njera-tjetrës apo njeri - tjetrit. Por këto janë kushtet e sotme..
Tjetër, kujt i shërbejnë? I bëjmë për njeri -tjetrin? Kjo s'ka kuptim. I bëjmë për brezin pas nesh, d.m.th, për fëmijët tanë? Edhe kjo s'ka asnjë vlerë. Ku janë, ku i kemi? Ku kanë kohë ata të lexojnë "bëmat" tona... Ata, ende vrapojnë, sa nga një shtet në tjetrin, sa nga një "fshesë", në tjetrën. Sa nga një shkollë në tjetrën... Harrojnë edhe gjuhën e mëmës, harrojnë edhe ata që i kanë lindur... Mirë, ata që kanë prindërit, gjyshër apo gjyshe pranë, diçka mësojnë ... Po pastaj... çfarë do të lexojnë? Sa të rinj lexojnë gazetën shqiptare, këtu në Amerikë, sa të tjerë qoftë edhe në Shqipëri apo nëpër shtete të tjerë mërguar...? Ndoshta vetëm për ndonjë lajm mërgimi, punësimi, shkollimi, biznesi... dhe këtu mbaron gjuha. Fillon artikulimi i saj drejt mbijetesës, drejt së panjohurës, duke hedhur pas shpine të njohurat e trashëguara...
Ka edhe shumë arsye të tjera...
-Jeni një krijuese shumë prodhimtare, ç'mund të na thoni për botimet tuaja të fundit?
-Shkruaj. Pa shkruar nuk mund të rri. Por jo çdo gjë e shkruar ka vlerat e botimit. Këtu është "udhëkryqi" midis poetit dhe lexuesit. Krijimtaria është e poetit (shkrimtarit), sa nuk i janë venë kapakët librit dhe ISBN-ja e Shtëpisë Botuese. Pastaj bëhet pronë e lexuesit. Kështu ndodh edhe me ato krijime që hidhen për lexuesin në faqet e internetit. Pra, për botimet e mia le të flasë lexuesi im.
-Ju jeni një emër i dëgjuar. Ne ju lexojmë vazhdimisht, në shtypin shqiptar në Shqipëri e Diasporë, edhe pas ardhjes në SHBA. Çfarë ka sjellë në krijimtarinë tuaj ky ndryshim gjeografik?
-Njeriu në gjithë jetën ka vetëm një Atdhe, ose Mëmëdhe, që mua më duket më intime si fjalë. Njeriu mund të lëvizë në të gjithë kontinentet e rruzullit, mbase dhe në Hënë, por Atdheun nuk e tjetërson dot. Dhe kush thotë se "... m'u bë Atdhe i Dytë", mashtron veten dhe atë që e lexon apo e dëgjon. Kam lexuar një mikun tim-poet, i ikur dhe ai jashtë Shqipërisë. Kur e pyetën nga je? U përgjigj: Nga vendi më i bukur në botë!" Sikur Dantja të kishte shkruar vetëm për Parajsën, nuk do të ishte e pavdekshme "Komedia Hyjnore". Duhej dhe Ferri, që t'i jepte vlerë e kuptim. Dhe kjo ndjenjë e Mëmëdheut të mirë e të bukur nis nga Gjiri i Nënës, nga Vendlindja, porta, rrugicat e deri në bulevardet e qytetit, në malin e Krastës, në ujin e Shkumbinit, në... Pra, Atdheu është si Atomi në një Molekulë-jete. Edhe krijimtaria aty nis dhe... aty mbaron. Ardhja ime në SHBA, më ka pasuruar me ndjesitë pranë familjes, me aromën e dy nipërve dhe mbesës, aq të dashur e të domosdoshëm për mua... Pastaj dhe ngopjet e syrit me pamje të tjera. Të qenit këtu i ka dhenë vlera të tjera Dashurisë dhe Mallit, pa të cilat nuk punon dot "Shpirti i Poetit".
-Ju kaluat një periudhë të gjatë në Greqi, me çfarë mbresash vjen Iliriana që andej dhe diçka rreth aktivititetit e krijimtarisë suaj atje.
-Greqia për poetin është thesar. E lakmuar në të gjitha kohët. Greqia ka statujat e Perëndive dhe shtatoret e filozofëve të lashtësisë, ka diellin, detin, gjelbërimin, ka rreth 2000 ishuj. Më i madhi është Kreta, ku edhe unë kam jetuar. Por unë nuk vajta turiste për t'u frymëzuar si Gëtja, apo Gorki... Unë isha emigrante, që doja të jetoja duke mbijetuar. Dhe, në këtë mbijetim, frymëzimi ishte i pranishëm.
Sa bukur e kemi ne fjalën "Frymëzim"! Ka në rrënjë fjalën "Frymë", domethënë të zihet fryma. M'u zu edhe mua fryma në Kretë dhe shkruajta poezi e tregime, që nuk më pëlqejnë vetëm mua. Disa prej tyre, do t'ia rijap lexuesit edhe tek libri i ri që kam në proces botimi... Të jetosh në Kretën e Kanzanxaqit të madh, është fat, edhe kur je i pafat! Edhe pse punoja për bukën e gojës, një javë shkundje ullinjsh ia bëra hallall Kanzanxaqit. I vajta deri te varri, shumë larg nga vendqendrimi im, me një kurorë lulesh të freskëta, thuajse të gjitha ngjyrat e trëndafilave. Sa varr i thjeshtë. Vetëm një kryq dhe mbishkrimi, epitaf i lënë prej tij: "Sot dhe përgjithmonë...". Sikur të kisha mundësi, do të kisha mbledhur lule malesh e fushash e do ta kisha thurrur vetë kurorën... Do t'i shkonte më shumë këtij varri...
-Ndryshimi midis dy mërgimeve
-Emëruesi ka të njëjtin emër-mërgim.
Numëruesi ndryshon si nata me ditën. Nëse në Greqi, edhe pse punova familiarisht për shumë kohë, edhe pse kisha miqësi me familje greke (të cilat i ruaj edhe sot), prapë racizmi dhe "fshesa e hekurt" e politikës greke janë të pashembullta në kohën e sotme, aq më tepër nga një shtet që pretendon se është fillesa e Botës dhe vetë kultura ...
Ndërsa Amerika, tjetër gjë, edhe pse dua të iki një orë e më parë prej këndej... Ama, për këtë, nuk ma ka fajin Amerika, e cila më ka pajisur me të gjitha dokumentet legale dhe sigurimet sociale, që pas një jave të ardhjes këtu; që jam e lirë të lëviz ku të më çojë edhe ëndrra, që gati 120 kombe, të racave dhe të ngjyrave të ndryshme-punojnë së bashku dhe respektojnë njeri-tjetrin pa asnjë dallim...
- Poezia juaj është e arrirë dhe e vlerësuar nga kritikët . Çfarë mund t'ju ofroni krijuesve në përgjithësi nga përvoja juaj?
-Sot, dhe fjala "sot" mban gati dy dekada brenda, kritika e specializuar ka heshtur. Apo nuk qëndron më si "institucion". Është zëvendësuar nga "mendimi i shokëve". Kjo ka të mirën dhe të keqen e vetë. Mendimi shoqëror ka sinqeritetin dhe vërtetësinë brenda, por mund të ndodhë dhe e kundërta. Sot, brenda ditës, bëhesh poet, pa ditur se ç'është poezia. Ose dhe e kundërta, harrohesh po nuk "trokiti" kush në dyert e krijimtarisë tënde. Sa për përvojën? Nuk ka shkollë. Çdo krijues ka përvojën e vet, që ndryshon nga e tjetrit. Përvoja është si e ndjej unë jetën-botë, si e shoh unë botën-jetë,... si puna e numërave të syzave, dikush i ka 0, 75, dikush i ka, 2.5 dhe unë...(e kam treguar numrin në një poezi). Veç ka një të vërtetë të përbashkët: Të jemi të vërtetë në krijimtari. Poeti s'duhet të gënjejë kurrë... Poeti është si Profetët... (flas për ata që s'gënjejnë)...
- Keni qenë ushtarake në Shqipëri, kur filloi poezia të trokasë në shpirtin tuaj? Çfarë ndikimi ka patur në krijimtari jeta ushtarake?
-Kam qenë me fat që kam qenë ushtarake. Këto fjalë do të thoshja edhe po të kisha një profesion tjetër. Por të qenit ushtarake më ka dhënë një "Botë" tjetër që nuk e kanë pasur të tjerët. Privimet që më ka krijuar jeta ushtarake (për femrën janë më të mëdha) kanë bërë që unë sot jam Iliriana, siç jam! Si mund të isha nuk e di. Letërsia botërore ka shumë shembuj të poetëve ushtarakë, ku model është Lermontovi, por dhe unë kam pasur shokë e shoqe në ushtri që mund të quhemi "Familja e Poetëve me Uniformë" si:, Lirim Deda, Ibrahim Gani, Thanas (Nase) Jani Julia Naçi (Gjika), Lida Rrapo (Grazhdani), Merita Caci, Sotir Lashova, Nevruz Shehu, Kujtim Halili (i ndjeri), Bashkim Çepele, Hysni Milloshi, Thanas Tane, Apostol Duka, Roland Musta, Bashkim Kozeli, Fuat Çeliku, Fluturak Germenji, Mina Qirici, Afrim Himaj, Luan Malaj, Bardhyl Gosnishti, Kasem Saliasi, Riza Lahi, Kujtim Boriçi, Milianov Kallupi, Fation Pajo, Thanas Mustaqi, ....
-Ju keni një revistë për fëmijë të titulluar "Kësulkuqja". Ç'mund të na tregoni për të?
-"Kësulkuqja" ime ka një ndryshim. Erdhi me mua në SHBA, fle me mua në "ninulla fëmijësh", zgjohet me "vogëlushët" e gjyshe Ilirianës... Është "Kësulëkuqja", tashti "Pelegrine" nëpër botë...
Ndoshta do të "trokasë" edhe te "Bota e gruas shqiptare". Aty, ka shumë nëna dhe gjyshe. "Ajo" do t'i lutej që kur të shkruajnë për të rritur, mos harrojnë të shkruajnë e t'i "postojnë" vjershat, tregimet, përrallat për fëmijët. Apo jo, "teta" Drenusha? Edhe ju "tetat" dhe gjyshet e tjera...
- Reportazhet janë po aq të bukur si edhe poezia. Cila është gjinia juaj më e preferuar?
-Reportazhi është gjini e publicistikës, ku shprehesh lirshëm. Reportazhi ka ngjarjen, mendimin e mençur, personazhet, mjedisin ku veprohet... Pra, është një gjini që ngjason më tepër me tregimin. Poezia është "e shenjtë". Një krahasim: Në një vazo lulesh është vazoja, dheu, plehu, krimbat e dheut, pika e ujit, rrezja e diellit, rrënjët e lules, trupi i lules, gjethet e lules,... dhe çelja e lules, që është vetë lulja. Qoftë lule-thane, lule-pjeshke apo bajame, lule-ftoi apo manushaqe,... (nuk them për trëndafilin, se ai të josh dhe me gjembat) për mua, ajo është poezia. Dhe këtë dua më tepër!
- Kush janë rrënjët e origjinës së Ilirianës?
-Devolli dhe Elbasani, ose anasjelltas.
-Po citoj diçka, nxjerrë nga parathënia e vëllimit tuaj: "(F) Shihemi në sy":
"...Të udhëtosh në jetën e kësaj femre (një jetë që do ta lakmonin shumëkush prej shkrimtarëve për ta pasur subjekt të prozës së tyre, e kësaj shoqe-madheje, e kësaj gjyshe-fëmije, e kësaj ëndërr-zgjimi dhe bukuri-plage, e kësaj mall-pritjeje, është njësoj si të shkosh përtej, sikur të hysh brenda mrekullisë dhe të ndodhesh si hy mes hyjnive. Nga ai shtat i bukur vajze, para të cilit turpërohej edhe fustani me vellon e nusërisë, tashmë ka mbetur një trup që thua se tallet përditë e për çast me gravitetin dhe, kur ia do puna, mund të fluturojë si hareja më e natyrshme ose mund të peshojë sa gjithë tragjeditë e kësaj bote. Vazhdimisht në lëvizje… së bashku me sinqeritetin e fjalës së saj. Ku i merr energjitë?!…Me këtë pyetje të befasishme ti ke trokitur pikërisht në portën e përtejshmërisë, atje, tek mrekullia...". Pra, Ilirianë,cilat janë lëvizjet e tua më mbresëlënëse. A kanë ndikuar në krijimtarinë tënde? Diçka për udhëtimin tuaj nëTeksas, ku ju ishit ftuar para disa ditëve... Dhe vërtetë, ku i gjeni energjitë tuaja...?
-Që kur "mora këmbët" siç thonë, nuk ecja por vrapoja..(nuk lija dy gurë bashkë). Dalëngadalë fillova të "vrapoja" me këmbë, me mendje, me zemër... Më vonë, jeta ushtarake e bëri "profesion" vrapimin. Por nuk është kjo e gjitha, në të gjitha stinët e jetës njeriu gjen llojet e "vrapimit", duke bërë stafetë me veten dhe me fëmijët, me miqtë e shokët... Është "vrapim" i pashpallur, i padukur, por shumë i domosdoshëm. Jeta për njeriun është e duhet të jetë lëvizje. Për poetin lëvizja është më tepër se lëvizje. As dy vjet plot (1786-1788) nuk iu deshën gjeniut-Gëte, që të ikte nga Vajmari, drejt Italisë dhe shkruajti veprat aq të bukura "Elegji Romane" dhe "Epigramet Veneciane". Ndryshon mjedisi, ndryshon dhe njeriu. Unë nuk kam shkruar "Elegji" e "Epigrame", por disa poezi, mbresa, tregime etj. I kam shkruar pikërisht nga jetimet e përjetimet e lëvizjeve të mia. Poezia dhe proza ime nuk janë thjesht fantazi, por një realitet i prekshëm dhe i ndjeshëm, sigurisht, i ngritur në art, aq sa ka arritur pena ime ta bëjë.
Jam munduar që lëvizjet e mia, qoftë të detyruara apo spontane-të jenë deduktive, prej nga kanë dalë mesazhet që i kam dhënë nëpërmjet krijimeve...
Nëse, kur isha e vogël, nuk lija "dy gurë bashkë", tani, lëvizja ka tjetër kuptim. Sot dëshiroj dhe përpiqem që jo vetëm "dy gurë", por të gjithë "gurët" e çmuar, t'i bëj bashkë...
Po ndalem pak , tek udhëtimi, prej të cilit sapo jam kthyer - Teksas (Dallas), reportazhin për të cilin e kam titulluar. "Kësulkuqja në Botën e çudirave...".
Pa dashur të sjell detajet dhe përshtypjet e plota, doja të theksoja diçka specifike për këtë udhëtim, pasi kjo bisedë është kryesisht në kuadrin e forumit "Bota e Gruas Shqiptare". Pikërisht e veçanta qëndron tek personazhi kryesor i këtij reportazhi, e cila u bë shkak i realizimit të njërës prej ëndrrave të mia të para shumë viteve dhe që nuk e mendoja se do ta realizoja ndonjëherë, kaq befas dhe kaq mrekullisht.
Znj. Media Vraniqi dhe vajza e saj Vanesa, të cilat i takova në Nju Jork në Qershorin e kaluar, në promovimin e librit tonë të përbashkët "Nënës". Aty lindi idea dhe dëshira e një ftese udhëtimi, sidomos nga Vanesa, e cila më përkëdhelte me fjalën e dashur, siç më thërrasin binjakët e vajzës, gjyshe. Ky udhëtim, u realizua në shtator! Kur të lexoni reportazhin do e kuptoni pse flet "Kësulkuqja" për botën e çudirave, por këtu ka vend ajo, realja, bota e madhe e Prizrenases së Teksasit, e cila më ka mahnitur me forcën dhe energjinë, me pjekurinë dhe zemërgjerësinë, me ngrohtësinë motrore dhe bujarinë.
E tillë është Media e tillë dhe e bija dhe jo vetëm ajo, por edhe fëmijët e tjerë si yje, Vepra dhe Vendimi si dhe bashkëshorti i denjë i saj, z.Mustafë, patritot i mirënjohur në qarqet e gjera shqiptare.
Ja pra, e dashur, Mondë, çfarë mrekullie dhe pasurie shpirtërore të japin lëvizjet, sidomos, kur ato shkojnë në drejtim të dashurisë njerëzore... Edhe Õ¢se nuk ke fuqi, merr energji edhe për vite të tjera jete.
-Çasti më i vështirë...
-Nuk e di a do të kem të tjera, për t'i krahasuar me ato që kanë shkuar dhe që mundohem t'i harroj.
-Po më i lumtur?...
-Është në arkivën e shpirtit tim dhe nuk mund ta rrëfej. Kam frikë nga lumturitë..
-Cila është dashuria më e madhe për Ilirianën?...
-Vetë Dashuria, kur ajo është e tillë.
-Po urrejtja?
-Thuhet se po nuk di të urresh, nuk di as të dashurosh. Unë nuk jam plotësisht dakort me këtë përcaktim...
- A ka në jetën tënde ndonjë ngjarje që ia shihni apo ndjeni gjurmët ende?-
-Sigurisht që ka, ashtu si tek të gjithë. Mundohem të mos m'i shohë as gjysma tjetër e vetes. Megjithatë: -Dita e dasmës (pa dasmë); një piano e lënë gati në kulmin e karrierës sime dhe një kitarë e thyer, për të mos i rënë më kurrë..., thinjat, që si në legjendë, m'u shfaqën brenda 12 orëve; çasti, kur ndahesha me fëmijët në aeroportin e Rinasit, në drejtim të një klinike të huaj për kurim. Befas, veshi më zuri fjalët:"... gjynah, e shkreta, nuk e di që s'ka për t'u kthyer më..."
-Çfar të kënaq më shumë?
-Kur luaj me fëmijët; kur ma pëlqejnë atë që kam gatuar; kur shkruaj një poezi që ende më pëlqen, pas dhjetë herëve të lexuar; kur flas dhe marr mesazhe nga miq që më duan dhe më respektojnë. U jam borxh gjithë jetën, të gjithëve.
-Çfarë të shqetëson?
-Largësia me njerëzit, sidomos me krijuesit, sidomos me poetët, si me ata që janë në Shqipëri, në vendlindjen time, ashtu edhe ata që janë këtu, në Amerikë, apo nëpër shtete e kontinente të tjerë...
-Cilët autorë të ndjekin në muzë...
-Janë shumë jashtë dhe brenda vendit tim, shkrimtarë e poetë, të ikur dhe në jetë, por të përjetshëm... Për hir të respektit të veprës së tyre po përmend disa: Çehov, Cvajg, Remark, Simonov, Anna Ahmatova, Bërns, Alen Boskie, Pavlo Neruda (e veçoj), Pol Elyar, Agolli, Reshpja, ...
-Cilën ëndërr nuk keni realizuar
-Aty ku mbaron ëndrra mbaron dhe jeta. Pas ëndrrës vrapon njeriu dhe nuk e zë dot kurrë...
-Po atë që nuk doni ta kujtoni?
-Ëndrrën e vrarë, ëndrrën e mashtruar, ëndrrën e fjetur... Por edhe pse nuk do ato janë brenda trurit, brenda kujtesës së jetës dhe njeriu gdhihet me 'to, fle për t'u gdhirë përsëri... Njeriu ka vetëm kujtesë, nuk ka harresë...
-Po atë që nuk doni ta prekni?
-Dhimbjen. Dhimbjen as nuk e ftojmë, as nuk e përzejmë dot. Ajo vjen e paftuar është bashkëudhëtare e pashmangshme me jetën e secilit... Puna është mos i biem në gjunjë e të na mbysë loti. Nuk jam dakord me shprehjen: "Nga dhimbje të mëdha dalin vepra të mëdha". Mos paçim kurrë vepra të tilla dhe nuk ia uroj asnjë krijuesi të tilla vepra...
-"Sikur të isha djalë!" Këtë libër të Haki Stërmillit sikur ta afronim në vite dhe shkrimtari t'ju kishte Juve "personazhin" kryesor, do e pranonit?
-Kam një kujtim të bukur, si ushtarake. Marshoja me studentët mbi një javë, me ata marshimet e gjata. Një natë e kaluam te Kasollja, në Prodan, ku ka jetuar Haki Stërmilli dhe ka shkruar romanin "Sikur të isha djalë!" Na ndrinin urat e zjarrit. Aty një kolegu im më tha: "Iliriana sikur të ishe ti, personazh i romanit të Stërmillit, do të doje të ishe "djalë"? "Nuk do ta ndërroja, mbase jam më mirë kështu?!"-fola, pa u shpjeguar. Ndoshta do të isha e para, që në atë kasolle, të meditoja për romanin e H. Stërmillit, por ndjehesha e sigurtë në gjininë time. E doja veten, siç më kishte lindur nëna, e doja nënën dhe doja t'i ngjaja...
Pra, kam rënë në "mirëkuptim" me veten për të qenë "personazhi" femër, në të gjitha etapat e jetës. Dhe nuk do e ndërroja.. Kulmi, apo qendra e jetës së një femre është "të qenurit Nënë". Edhe pse kohët e kanë shtypur më tepër femrën, përsëri ajo ka qenë dhe është në rolin e vetë më të patjetërsueshëm. Le të flasin mençuria e popujve dhe gjenitë më mirë: "Nëna, ju e keni në dorë shpëtimin e botës!" thotë Tolstoi. (Le të bëj edhe unë, detyrën time për këtë!). " Zoti nuk mund të jetë gjithkund prandaj bëri nënat"... (le të jem edhe unë një krijesë për të bërë "punët e Zotit"). "Grua do të thotë udhëheqëse shpirtërore!" (le të jem dhe unë sadopak e tillë!)... "Një nënë fal kurdoherë, për këtë ka ardhur në botë"- thotë Aleksandër Dyma. (Le të bëj dhe unë aktin e faljes, për të qenë më të mirë e më të dashur njerëzit)."Për gruan dhe tokën le kokën" - thotë poeti ynë Dritëro Agolli, duke e shenjtëruar rolin e gruas... (Le të jem dhe unë një varg i asaj poezie)... "Për nënë dua të kisha një shqiptare"-shkruan anëtaria e Akademisë Franceze, shkrimtaria Marguerite Yorcenar. (Nuk ka koment kjo thënie!) Dhe le ta mbyll me një thënie të kandidates për presidente të SHBA-ve, Hillary Klinton: "Të drejtat e gruas janë të drejtat e njeriut!"... Ç'mund të them unë më shumë?! Ja pse nuk e ndërroj të qenit grua!
-Keni shumë miq këndej e andej kontinentit, të hershëm e të rinj, cili është sekreti i këtyre lidhjeve të qëndrueshme?
-Nuk ka asnjë "sekret". Është Dashuria, më universalja fjalë e bukur, pa motivin e së cilës nuk mund të bëjmë as edhe një hap, nuk mund të kapërdijmë as edhe një kafshatë bukë, apo një gllënkë ujë. Që të duash të tjerët apo të të duan-është më e thjeshta që mund të bëjmë, pa paguar as një cent. Ta duam njëri-tjetrin, me të mirat dhe me të metat (gabimet) njerëzore; të njohim, pranojmë dhe të respektojmë vlerat e njëri-tjetrit. T'i "fshijmë" lotin, pa e pyetur "pse qan" dhe, kur ka nevojë për dikë , ta kuptojmë pa na e thënë dhe në çast t'i ndodhemi pranë (edhe duke qenë larg), me një fjalë , me ...ç'mund të jetë më e duhur sipas mundësisë. Dhe, kjo ka rëndësi , asnjëherë të mos ia përmendësh (ka një shprehje populli, nga më të vyerat: "Kur e jep njëra dorë, nuk duhet ta dijë dora tjetër"); t'i kuptosh dhe të të besojnë se, kur ke kohë i merr (apo të marrin), në telefon edhe disa herë në ditë. Kur nuk mundesh ti apo ata (ato), nuk duhet të dyshohet tek dashuria, miqësia... Kur heshtja vonon, shqetësimi nuk është dyshim për dashurinë, por për gjendjen shëndetësore apo probleme të tjera...
Kur erdha këtu, në Amerikë (detyruar nga detyra prej gjysheje), qaja me vete në çdo sekondë të njëzetekatërorëshit. Telefoni rrinte non-stop në veshin tim (në orët, kur latantët-binjakë të vajzës, më shumë flinin se ishin zgjuar), në drejtim të të gjitha hapësirave që mbulonte shpirti im, nga shtëpiza e vendlindjes, deri nëpër shtete e kontinente ku ishte i fluturuar...
Sot, nuk kam mundësi ta mbaj telefonin në vesh. Ma rrëmbejnë vogëlushët e "rritur". Por, edhe pse nuk mund të jem në "linjë" me 'ta jetoj më shumë se kurrë pranë tyre. Mendoja se do t'i humbja miqtë e jetës sime. Ndoshta do të mendonin se më "rrëmbeu" Amerika... Gabova. Më njihnin më mirë ata mua se unë veten time. Çdo ditë dhe në çdo orë të saj, më marrin në telefon, më dërgojnë një mesazh, më postojnë libra të sapo dalë në librari, apo pa dalë ende në "treg". Pra, më japin motivin e shenjtë të të jetuarit, edhe pse në largësi humbëtire...
-A ka emra të përveçëm?
-Të gjithë kanë emrat e tyre të përveçëm. Janë shumë t'i përmend. Janë nga të gjitha fushat, poetë , shkrimtarë, gazetarë, këngëtarë, piktorë e aktorë, ushtarakë, mësues(mesuesit e mi dhe të fëmijëve që nga fillorja...), shoqet dhe shokët e mi, që nga klasa e parë fillore, të tjerë nga jeta në ushtri...,komshinj...; shumë e shumë të tjerë në Shkup, Tetovë, Strugë, Kumanovë, Kërçovë, Gostivar.., në Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Vushtri, ...Ulqin... Secili (secila) ka emrin në kujtesën e zemrës sime...
-Ju kanë kushtuar poezi miq poetë, të cilët i kanë postuar në forume apo botuar nëpër organe të ndryshme të shtypit... Po citoj vargje nga disa prej tyre...
Kësulëkuqes
s'ka plakje për ty, mikja ime e fëmijërisë
mpleksur tërë jetën me ëndrra pyjesh
me panja e bredha e dhelpra që fshihen
e të ndjekin tinëzisht nëpër lirishtat e botës...
... (Kolec Traboini - Boston)
Urim, Ilirianës
Sot është e Diel, 9. 9. 2007.
E Diel ka qenë edhe para
gjysmë shekulli e ca...
E diel do të jetë edhe pas
gjysmë shekulli e ca...
Në gjithë Ditë Lindjet e Tua!...
Dhe Dielli do të ketë diell...
Dhe deti do te ketë dallgë...
Dhe mali do të ketë erë...
Dhe fëmijët do të dijnë të qeshin...
Dhe nënat do të kenë mall...
Dhe Njeriu do të ketë emër...
Si Poezia jote.
(Nase Jani.... Athinë)
Ilirianës, në vend të portretit
Një fluturz e bukur
Më çiku nën vetull.
Më qeshi si kukull
Dhe më foli heshtur…
…
Një dritëz universi
Nën vetull më çiku
Aizbergët m'i ndezi
Vullkanet m'i fiku
(Demir Gjergji -Tiranë)
Kthjellët…
-poetes I.Sulkuqi-
E tejdukshme krejt:
Me kocka të holla zogu…-
Lot borziloku.
(Qazim Shemaj -Tiranë)
Si të kam njohur dikur..
-poeteshës Iliriana Sulkuqi-
Si të kam njohur dikur...
Je dhe sot
Një princeshë e pagjumë
Që të bukurës,
Bukurisht i flet
Jo më kot.
(Fation Pajo - Çikago)
…Si e keni ndjerë veten kur i keni lexuar...?
-Si në ëndërr. Mrekullisht mirë. Pse, a nuk do të ndjehej çdokush kështu? Kjo më bën të besoj se do të jetoj për t'i larë këto borxhe ... Se nuk ka jetë tjetër. Këtu lahemi dhe lyhemi. Lyhemi dhe lahemi. Paguajmë ose na paguajnë. Askush nuk ikën nga kjo botë pa larë borxhet e bukur dhe të shëmtuar... Faleminderit, shpirtërisht, miqve të mi poetë për dhuratën kaq humane, siç është Kushtimi Poetik.
-Janë shprehur për ju "… Do të kërkoja që Sulkuqi dhe të tjerë poetë në mërgim të vendosen në antologjitë që botohen nga shteti dhe në librat e shkollës dhe të përmenden sidomos autorët që jetojnë në mërgim që kanë pasuri shpirtërore e vlera shumë më tepër se disa që jetojnë këtu dhe ende me miq zenë vend nëpër libra shkollore. A është e mundur që poezitë e këtyre të jenë edhe pikë referimi për ato dhjetëra universitete shqiptare ku studiohet për letërsinë shqipe?
-Shteti sillet indiferent ndaj njeriut. Si për shumë pjesë të jetës, që nuk i siguron dot normalitetin (drita, ujë, rrugë, spitale, paisje spitalore, shkolla, antingujimin, punësimin, etj. etj.) edhe për letërsinë dhe mbarëvajtjen e saj. Kush ta përzgjedhë të bukurën dhe letërsinë me vlerë? Më tepër harrohet, apo nuk njihet vlera dhe hyjnë nëpër antologji ata që duken, që "kapin nga xhaketa", apo lenë xhaketën me gjithë xhepa. Janë bërë disa Antologji nga botues, me "të përzgjedhurit" e tyre. Tekstet shkollorë, që nga gjimnazet e deri në universitete, mbajnë brenda më tepër "letërsi hatëri". Kjo është një e keqe e madhe, që s'dihet kur do të ndreqet në të mirë të përfaqësimit të letërsisë shqiptare dhe të pasurimit të kulturës shqiptare.
-Ç'mendime keni për femrën krijuese dhe intelektuale në Diasporë?
-Është gjë e mirë që Femra të ketë organizmat e veta të bashkimit, ku të dalin vlerat e femrës deri tek virtyti. Por nuk e konceptoj dot emërtimin "krijuese femra e meshkuj" Unë mund të bëj një libër duke i dhënë poezisë "gjininë" mashkullore. Siç mund të bëjë dhe një poet në gjininë tonë. Në Greqi është "Mali i Shenjtë" me manastire, kisha, priftërinj e murgjër. Venë vizitorë nga gjithë bota, por vetëm meshkujt. Thuhet se vetëm Shën Mëria ka shkelur në atë Mal. Pse? "Unë duke lexuar "Krishti u ngjall përsëri" të Kanzanxaqit, kam shkuar në atë Mal të Shenjtë. Për Shpirtërat s'ka doganë dhe policë-ndalimi... Shpirti poetik nuk njeh gjini.
-Ka shumë shoqata shkrimtarësh si në SHBA, apo në vende të tjerë të Europës, ku jetojnë krijues shqiptarë, si ju duken këto bashkime?
-Letërsia bëhet vetëm, është punë individuale, por ka nevojë edhe për "tavolina" shokësh e miqsh... Konti i letërsisë ruse Leon Tolstoi mblidhte shkrimtarët e kohës, që nga Turgenievi e deri tek Çehovi që ishte më i ri dhe lexonin tregimet, apo fragmente romanesh nga njëri-tjetri. "Ja kështu shkruhet tregimi!"- thoshte Turgenievi për novelat e Çehovit. E harronte gjeninë e vetë mjeshtri i letrave, se duhej harruar. Këtë rol duhet të luajnë edhe "tavolinat", shoqatat, apo Klubet e shkrimtarëve të ikur nga Shqipëria. Më pëlqen kjo fjala "Klub" si Klubi "Petëf " ( kam pasur fatin të marr pjesë në një mbrëmje poetike. Recitova "Atdhe"të Petëf-it, shqip dhe hungarisht, duke i rënë edhe pianos, me një pjesë nga Shophen. Kjo ka ndodhur më 1989, një natë para operacionit, në Budapest), apo ata të Parisit etj. Jam njohur me veprimtarinë e Klubit të Shkrimtarëve "Drita" në Athinë, që ka edhe një Revistë Letrare me emrin "Pelegrin", ku bashkon krijues të ikur nga Shqipëria, kudo qofshin ata. Bën Antologji e organizon konkurse me krijues edhe jashtë Greqisë... Vetë liria e të shkruarit i jep edhe liri gjeografike poetit apo shkrimtarit. Siç ka ky Klub anëtarë deri këtu në Amerikë edhe bashkimet e tjera të poetëve mund të kapërcejnë "kufijtë"... Pra, çdonjëri mund të bëjë zgjedhjen e vetë, ku ndjehet më mirë, larg fallciteteve letrare e mendjemadhësive vulgare... "Shokët (shoqet) i zgjedh, motrën e vëllanë nuk e zgjedh dot.", thotë mençuria popullore...
-Ju jeni anëtare e Forumit Bota e Gruas Shqiptare, forum të cilit ju i keni dhuruar shumë si me krijimtari ashtu edhe me komunikim që në ditën e anëtarësimit. Ç'mendim keni për këtë Forum dhe a keni ndonjë sugjerim për organizimin apo pasqyrimin e krijimtarisë në blogun revistë të tij?
-Faleminderit që çmoni kontributin tim modest në këtë forum special.Them modest se nuk kam dhënë shumë. Por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se pavarësisht nga kontributet individuale në këtë forum, si në krijimtari apo komunikime të ndryshme, diskutime dhe përshëndetje, kjo bashkësi e jona ka një të vërtetë të madhe. Një miqësi dhe një harmoni që na jep frymëzim dhe motivim, na qetëson dhe na jep forca. Një bashkësi intelektuale dhe krijuese. Një bashkësi nënash dhe motrash që gjejnë veten dhe ripërtërihen nga komunikimi dhe mbështetja shpirtërore. Një oaz qetësie dhe besimi reciprok. Ne që jemi të shpërndara nëpër skajet e globit gjejmë këtu njëra-tjetrën, ndajmë hallet e shqetësimet, mbështesim, frymëzojmë e frymëzohemi dhe krijojmë. Mësojmë për njëra-tjetrën, rritemi e piqemi shpirtërisht dhe artistikisht. Fakti i realizimit të librit "Nënës", përmes një grupimi të tillë specifik, flet më shumë se sa mund të flasë Kësulkuqja!
Por, megjithëse krijuesja e këtij forumi, të cilën e adhuroj, për organizimin, fantazinë kreative, për inteligjencën, shkathtësinë dhe dashamirësinë, Merita Bajraktari McCormack dhe ju moderatoret, Monda, Aida , meritoni fjalët më të mira e të sinqerta dhe përkedhelje mbas shpatullave, për punën e madhe që keni bërë e bëni, si me grupin, si me revistën letrare në internet, mendoj se ka vend për një sugjerim,meqe jam edhe pak "më e moshuar" në vite dhe krijimtari.Mendoj se duhet t'i hapet vend një rubrike për fëmijët shqiptarë në emigracion.
-Çfarë po shkruan Iliriana?
-Mendoj tregime e shkruaj poezi... Kështu ndodh me krijuesit. Dhe kur mendon dhe shkruan nga ato gjinitë e mëdha, si novela apo romani, poezia të shfaqet befas.
- Si një poeteshë me përvojë, ç'farë mesazhi kini për talentet e rinj, për inkurajimin e tyre në zhanrin e poezisë?
-Veç një gjë i them vetes që ta dëgjojnë dhe të rinjtë. Gjithë jetën e mendoj veten "Letrare e Re". Njeriu nuk është si e mendon veten, por si e mendojnë dhe e vlerësojnë të tjerët...
-Sa citova me lart, profesioni i juaj është ushtarake. Një pyetje paksa delikate: Si ju duken përpjekjet e politikës ndërkombëtare, asaj shqiptare e kosovare e në Diasporë për çështjen e Kosovës e në përgjithësi për çështjen kombëtare shqiptare?
-Të qenit ushtarake nuk ka ndonjë të veçantë për këtë pyetje, se ushtria tashti ka dalë nga "kornizat" për "Mbrojtjen e Atdheut". Atdheu sot (për ne) "mbrohet" më tepër nga politika ndërkombëtare dhe strukturat ndërkombëtare. Sa aktive janë ato sot s'kanë qenë kurrë në historinë e të qenit Shqipëri apo Komb Shqiptar. Edhe lëvizja e emigrantëve, nëpër shtetet e Europës dhe SHBA, kanë bërë që "Bota" të na e dijë emrin, pastaj të na kushtojë vëmendje më të madhe. Intelektualët shqiptarë nëpër botë dhe veças njerëzit e letrave, të artit e të kulturës, janë bërë "ndërgjegja" e kombit... Shoqatat, veprimtaritë, kanë shërbyer për njohjen dhe integrimin tonë aty ku na shpuri "fati". Sa për politikën dhe diplomacinë? Ajo është e kontrolluar, e udhëzuar, e rekomanduar dhe shpesh e vonuar... Kur hapet ndonjë "dritare" duhet shfrytëzuar. Po e humbe? E humbe. Kosova sot është "Emër i përvetshëm" në politikën botërore dhe në njohjen qytetare. Pastaj vjen dhe Shqipëria... I vaftë mbarë Kosovës, në Fitoren e Pavarsisë se i ka munguar në shekuj dhe e ka ushqyer me gjak "Pemën e lirisë"! I vaftë mbarë dhe Shqipërisë! Asgjë nuk mund të parashikohet. Se, më tepër ndodh e pamundura sesa e mundura. Kështu ndodh, duam apo s'duam ne...
-A do kthehet Iliriana ndonjë ditë në Atdhe!
-Unë s'jam e ikur nga Atdheu. Aty kam njerëz, kam shokë e shoqe, kam fëmijërinë, rininë, jetën... Kam nënën mbi të gjitha dhe varrin e babait... kam Atdheun, me një fjalë. "Atdheu fillon nga zemra", shkruante para disa vjetësh një poet tepelenas. I jap të drejtë Poetit. Dhe trupërisht vete në Atdhe, dua të vete dhe do të vete...
-Si një njeri i letrave shqipe, cili është mesazhi i juaj, për krijuesit në Diasporë, në veçanti për femrën krijuese, për ruajtjen e vlerave dhe identitetit kombëtar?
-Femra lind njeriun, por kur lind dhe poezinë apo bën letërsi, është dy herë krijuese... Dhe kur është jashtë vendlindjes, është krijuese më e dashur e më e dhembshur. Vlerat kombëtare ruhen duke krijuar dhe ruhen duke ruajtur simbolet e jetës e të kombit. Tre janë simbolet, sipas meje: Emri-Shqipëri, Flamuri-kuq e zi, Gjuha-shqipe. Ruajtja më e madhe dhe më me vlerë është gjuha shqipe. Të mos e harrojmë vetë, t'jua mësojmë fëmijëve, nipërve e mbesave. Ky është shërbimi më i madh që i bëjmë familjes, fisit, historisë së kombit...Ju faleminderit dhe Suksese ne krijimtarine Tuaj!
Intervistoi Raimonda Moisiu,
Panorama Friday, October 12, 2007
__________________________
Intervistë
e gazetares Arlinda Camaj me poeten Iliriana Sulkuqi
-Prej shumë vitesh bashkëjetoni me poezinë. Si mund ta cilësoni këtë bashkëjetesë?
Në qoftë se fjala bashkëjetesë në ditët e sotme merr kuptimin e një harku kohor, relativisht të kufizuar, do të thosha që bashkëjetesa ime me poezinë thyen konturet e një bashkë-jetese, duke u mishëruar në Një-jetesë. Në qoftë se do huazoja termin që ju përdorët, (bashkëjetesë) mund të them se është më e gjata bashkëjetesë midis dy personazheve, pa kohë e limit. Në këtë kontekst: Unë jam Ajo dhe Ajo është Unë.
-Kur keni shkruar për herë të parë dhe ç’shije ka pasur krijimi i parë tek ju?
Thonë se, kur isha në moshën e fëmijërisë së hershme edhe belbëzimet fëminore i kam shqipëruar nën petkun e ritmeve poetike. Vjershat që për mua ishin dialogu që bëja mes njerëzve të dashur, të cilët më rrethonin, i hidhnin në letër të tjerët për mua dhe kështu merrnin formën e një poezie fëminore. Pra, Poezia ime lindi pa mësuar ende të shkruaja. Nëse do rrëfej kohën kur kam shkruar për herë të parë, mjafton vetëm një detaj. Ishte Festa e Abetares. E lumturuar, që tashmë njihja të gjitha shkronjat e gjuhës sime, heq një fletë nga fletorja, që u bë më pas fleta e vargut tim të parë. Vargëzova një dëshirë për prindërit e mi. Isha në moshën kur më ndërroheshin dhëmbët e qumështit dhe mami e babi më thoshin se dhëmbin që binte gjatë ditës, duhej ta ruaja gjithë natën poshtë jastëkut dhe herët në mëngjes, pa zbardhur mirë dita, duhej ta hidhja lart, mbi tjegullat e çatisë, që zogjtë, të më sillnin, bashkë me dhëmbin e Ri, edhe plotësimin e një dëshire për të cilën isha lutur. E me këtë imazh të vërtetë, mora dhëmbin tim të mbështjellë me një shami të bardhë, të qëndisur nga nëna ime në vajzëri, për “pajë”-n e saj, futa brenda edhe letrën ku , sipas Abetares, duhej ta lexonte mami dhe babi dhe shkova tek Xhamia e qytetit, ndërtesa e së cilës ishte shumë afër shtëpisë sime, (në krah të Teatrit “Skampa”). Ngjitem deri në Minare dhe letrën ku kisha vargëzuar dëshirën fëminorë për prindërit e mi e le mbi ballkon, ku Hoxha Efendi bënte gjithmonë zgjimin e qytetit me lutje. U ula dhe, duke pritur përgjigjen e Dëshirës sime në lutje, më zuri gjumi. Fjeta pa e kuptuar se ku isha, deri të nesërmen, kur Hoxha Efendi, në ag të asaj dite, erdhi për të kënduar Syren e mëngjesit. Sapo më pa, më mori në krahë dhe duke lënë pa Syre qytetin, më çoi tek shtëpia, ku edhe bahçja me limonë e portokalle ishte mbushur me ankthin “zhdukjes” sime. Mjaftoi vetëm një shprehje e Hoxhë- Efendisë, për të ndaluar pyetjet e pafundme…
-Kjo është fëmija e Zotit… ishte e vetmja përgjigjia e tij për të gjitha pyetjet …
Unë asnjëherë nuk mora përgjigje për “Dëshirën” time. Ndoshta ajo mu kthye në Muzë, e cila ende është e freskët, e brishtë dhe naive sa ditën e Parë të Flijimit të poezisë sime të parë për prindërit, në Majën e Xhamisë.
-Elbasani ka lindur shumë poetë. Është ajri, apo mjedisi që ushqen poezinë?
Një herë e një kohë ishin të dyja bashkë. Elbasani, të paktën brenda kufijve gjeografikë të Shqipërisë ka qënë dhe është vendi ku thyhen kufijtë stinorë. E vetmja tokë, nën qiellin e së cilës gjallojnë fusha, male, lumenj, përrenj, kodra, liqene të gjitha të jetësuara me nga një legjendë. Flora e pasur pjalmi i së cilës vesh mrekullisht me aromë, shije e ngjyra jo vetëm tokën, por gjithçka që merr frymë mbi dhè. Në Elbasan rriten jo vetëm lule mesdhetare, si menekshe, zambak, eshebojë, deri tek karakaftja lulja “notradamus”, me jetën më të shkurtër dhe që në ato pak ditë, nga lindja në ikje me një të vetme pikël mes petalesh, parashikon ndryshimin e karaktereve njerëzore. Dikur kjo lule ishte e errët dhe shenja e bardhë e ‘orakullit’ në mes petalesh ishte e dukshme, tani ajo çdo vit vjen e çelet në ngjyrë. Por si duket, ecja ndër vite e ka zbardhur, ashtu siç vitet thinjin qënien njerëzore. Tashmë bota ka ndërruar mote dhe në vorbullën e këtij ndryshimi edhe lule Karakaftja e ka të vështirë për ta tejçuar të dukësh ndryshimin(studimet për këtë lule i ka dhënë Prof. Dhimitër Shuteriqi).. E para lule dhe që bekon jo vetëm Ditën e Verës, por edhe Ballokumet e Elbasanit. Ballakumja, ose “Syri i Pranverës”, ka derdhur në shije historinë dhe si e tillë ka thyer ëmbëlsisht çdo lloj rregulli a ligji, në rendje, deri në kontinentin e largët, Amerikë. Qershia ftonj, limonë e portokalle, hurma, mushmolla verore dhe dimërore; rrush të bardhë, të verdhë e të zi, me farë apo pa farë, me a pa aromë nga mushti i së cilës qyteti ka pirë vetëm dashuri. (oh qyteti im me këmbët tek vija, me buzët tek kënga). Ky ajër dhe kjo natyrë do të mëkonte njerëz të mëdhenj të letrave shqipe, që nga Kristoforidhi, Aleks Buda, Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Shuteriqi, Isuf Myzyri, Dhimitër Xhuvani, Hyni Ceka,Bexhet Çerma, Astrit Bishqemi, e deri tek nxënësit e tyre si Millianof Kallupi, Beatriçe Balliçi, Nexhip Ejupi, Dhimo Tarusha, Mihal Disho, Ilir Mborja, Kujtim Agalliu, Mariana Hushi, që dhe pse fatkeqësisht u rritën në mes tymit të metalurgjisë, përsëri ecën në rrugën e traditës.
-Zonja Ilirjana, më flisni pak për familjen tuaj. Pse vendosët të jetoni në Amerikë?
Nuk isha unë që vendosa për të jetuar në Amerikë, por ishte përkushtimi prej nëne që më bëri të gjendem këtu. Zemra e nënës sakrifikon gjithçka nga vetja e saj për të qenë pranë fëmijëve, pranë pjësës që i mungon. Nuk është se më josh Amerika apo bukuritë e saj, por ishte dashuria, ajo ndjenja e papërsëritshme amësore që më shtyu të largohesha fizikisht nga Shqipëria. Vajza ime jetonte këtu prej vitesh. Kur u bë me fëmijën e parë, unë nuk kisha mundësi për t’i qëndruar pranë, sepse vetë kisha mërguar në Kretë, me djalin dhe burrin. Me gjithë përpjekjet e saj për të më sjellë në Amerikë, ishte e pamundur. Ndërkohë që vajza ime ishte shtatzënë, në Kretë takova një vajzë shqiptare të sapomartuar, shtatzënë edhe ajo. I qëndrova pranë gjatë gjithë kohës, në lindjen e fëmijës, derisa u ktheva në atdhe. Ndjehesha disi e plotësuar si nënë, pasi mundohesha të besoja se ashtu sikurse unë, një tjetër nënë do t’i qëndronte pranë vajzës sime, teksa solli në jetë fëmijën e parë. Ndërkaq vitet rendën dhe vajza ime, nga shtatzënia e dytë lindi dy binjakë. Në atë kohë ndodhesha në Shqipëri. Nevoja për përkujdesje e fëmijëve të vegjël të sime bije më bëri të largohesha sërish nga vendi im, tashmë në Amerikë.
-A ka ndryshuar mjedisi letrar tashmë për ju. Si po e përjetoni veçimin nga Atdheu shqiptar?
Unë kam bërë vetëm një lëvizje gjeografike, të cilën e kanë bërë krijues të tjerë më parë se unë, madje që para një shekulli… Pra, ata të cilët erdhën përpara meje ishin shqiptarë, kështu që unë nuk erdha në një mjedis krijuesish të një kombi tjetër. Për më tepër, shumë prej tyre janë po ata që i kisha edhe në vendin tim, miq, shokë, kolegë. Por, ka një ndryshim, që unë do ta quaja thelbësor pasi ka lidhje me mungesën e takimeve të përditshme mes krijuesish. Këtu takohesh vetëm në një veprimtari artistike, a promovim libri, ose nëpërmjet postës elektronike, ndërsa në atje takohesh sy më sy dhe shpirt më shpirt, ku shkëmbehet një mendim, ku lexohet krijimtaria e njëri-tjetrit. Kur jam këtu ndjej mall e dëshirë për të ndjerë shpirtin e secilit hedhur tek vargjet, në ato lokalet e thjeshta ku mblidhen artistët, ndërsa kur vij në Shqipëri, pluskon dëshira për të qenë bashkë edhe me krijuesit që jetojnë në Amerikë. Ne jemi si zemra me dy barkushe.
-Diçka për krijimtarinë tuaj ndër vite. Librat dhe krijimtaria juaj më e njohur.
Kësaj pyetje më mirë se unë duhet t’i përgjigjeni ju… Di që kam shkruar dhe botuar vazhdimisht. Di që kam thuajse të përfunduara katër libra(dy prej të cilave në prozë), të cilat së shpejti do të hyjnë në shtyp… Di që krahas këtij pasioni, rris me përkushtim (dhe u mësoj gjuhën shqipe) tre fëmijët e vajzës, Arbin, Fionën, Kevin, të cilët më bëjnë të ndjehem gjyshja më e lumtur e botës, por edhe fëmijë. Shpesh herë, kur mërzitem, shkoj tek parku i lojërave dhe luaj me ta
-Zonja Iliriana, ju kemi njohur gjithnjë si vashëzën e poezisë shqiptare. Çfarë mendoni se i ka sjellë të re poezia juaj poezisë shqiptare?
Ndoshta nuk i kam sjellë asgjë të re poezisë, por jam munduar ta mbaj atë gjithmonë të re, si shpirtin tim dhe të ketë emër të përveçëm.
-Dashuria është lajtmotivi i poezisë suaj. Sa ka dashuruar në jetë Iliriana?
Gjithë jetën. Jeta më ka mbushur me dashuri dhe dashuria më ka bërë të jetoj.
-Ç’mund të thoni për poezinë e shkruar nga poetet shqiptare. Kë vlerësoni nga poetet kontemporane shqiptare?
Poezia e shkruar nga poetet shqiptare e ka zanafillën në ligjërimet e nenave ninullat, kënget e dasmave e deri tek vajet. Poetët gjithmonë kanë qenë shumë më pranë se poetët për t’i hedhur në art të tilla përjetime. Ajo (poezia) buronte nga qelizat më të padukshme të shpirtit si një autoktone e padiskutueshme. Poetet bashkëkohore kane sjellë një poezi të zhveshur nga trysnia e kohës që jetuan. Pra erdhën me poezitë e kyçura në sirtarët e tyre të shpirtit. Edhe në poezi ato ishin të brishta, si vetë qenia e tyre prej dashurie universale. Elpiniqi Q. Frashëri (1903) e cila nga viti 1931, deri në fundin e jetës së saj, jetoi punoi dhe krijoi në Amerikë., është një shembull që flet:
Jeta e njeriut
Posi fletët e lisit në vjeshtë
Një nga një njerëz zhduken nga jeta.
Lisi bën fletë prapë në pranverë.
Po njeriu, është lisi a fleta?
Natasha Lako, Klara Kodra, Vllasova Musta, Valdete Andoni, Flutura Açka, Luljeta Lleshanaku, Mimoza Ahmeti, Radije Hoxha (Prishtinë),Puntorie Zibo, Muçostefa (Shkup)etj, krijuan me dinjitet individualitetet e tyre poetike.
-Sa pjesë të jetës suaj keni derdhur në poezi?
Nëse do ta mendoja poezinë brenda kornizave të kohës, pikërisht aty, brenda kontureve të saj do ishte dhe jeta ime. Poezia ka rrjedhur natyrshëm në ditët, orët, minutat e jetës sime. Edhe kur kam dashur ”ta përze”, apo kam provuar të “ndahem” prej saj, ajo m’është kthyer madje edhe më e fuqishme, edhe më jetësore. Po rrëfej vetëm një rast. Isha në Kretë, Edhe pse rraskapitesha duke punuar (madje , edhe duke shkundur ullinj) – hidhja befas ndonjë varg dhe ndonjë shënim në Ditar... Një ditë prej ditëve më të lodhshme, grisa fletoren ku kisha të hedhura poezitë dhe doja ta digjja. Një i afërmi ynë,m’i mori nga dora dhe më premtoi se do t’i digjte. Por, poezia më ndoqi kudo gjendesha. Ajo më vinte në rrugë, punë, zgjuar dhe në gjumë, në natën me hënë, a në agun e zgjuar. Shkruaja tinëz të tjerëve, në kartpeceta ku fshija buzët, aty ku poezia vinte, e hidhja ashtu e shkujdesur.
Kur do nisesha për në Shqipëri, njeriu i familjes më dha një kuti të vogël duke më thënë se duhej t’i dërgoja diku. Më tha se adresën e kisha të shkruar brenda në pako. Kur mbërrita në Shqipëri e hapa për të parë adresën. Aty nuk kishte asgjë tjetër veçse letra të grisura e të ngjitura me shumë kujdes...Në atë moment i mblodha të gjitha kartpecetat e mbledhura shuk, së bashku me fletët copangjitura dhe i a dhashë Milianov Kallupit. Merri, i thashë dhe bëj ç’të duash... Kështu, “Trokit e zgjo!”, botim i shtëpisë botuese Egnatia, ishte vëllimi që përmblodhi copëra letrash me copëra jete mërgimi. Kështu doli libri. Pothuajse të gjithë librat e mi kanë një histori pak a shumë të ngjashme..
Madje, në proces botimi e ka pësuar edhe libri “Vdekja më kërkon falje...” Pasi i bëra copa- copa fletët e printura të librit, i hodha në koshin e lokalit, ku kisha lënë takim me botuesin e “Arbëria”, Veiz Abazi. E grisa librin-i thashë. Tani le t’i pijmë kafenë. Mirë ke bërë, - më tha. Ishte printuar me germa të vogla dhe nuk lexohej mirë. Do ta printoj përsëri... Kjo ndoshta ndodh ngaqë unë nuk kam më logjikën spontane kur janë shkruar poezitë. Kur i lexoj njëherësh, si një korrektore, më dalin nga qejfi, më lodhin, më torturojnë...
-Libri juaj i ardhshëm, kur do të dalë. Dhe, a jeni duke shkruar tashmë, apo duke punuar për një libër të ardhshëm?
Libri im i ardhshëm duhej të kishte dalë. Madje, para një viti unë e kisha gati dhe erdha ta botoja në vendin tim.. Në atë kohë për herë të parë u përgatit një Antologji me poetë të diasporës në Amerikë, që nga Fan Noli, Fishta, Konica, Arshi Pipa, Bilal Xhaferri,..etj, e deri tek ato që nuk e kishin menduar ndonjëhërë vargun, por që malli i bëri të hedhin ca fjalë në letër. Kjo Antologji ishte e përgatitur dhe nuk kishte më kohë për të pritur sponsorin.... Mendova se ishte më mirë të dhuroja diçka nga vetja ime, për një Antologji, sesa të botoja një libër që do të mbante vetëm emrin tim...
Shpresoj, këtë vjeshtë, t’i dhuroj lexuesve dhe miqve të mi 2 libra (meqenëse, sipas lajmeve të lexuara në gazeta, Qeveria na ka rritur pensionet)
Faleminderit
Gazeta: “Panorama”, Tetor, 2007