EKLIPSE DASHURIE



ILIRIANA SULKUQI

Eklipse dashurie

- Lirikat e një fundjave -
Të vij sonte, apo...?
Të vij sonte apo
nesër,
A pasnesër, duke gdhirë…?
A me Hënën, në të mehur,
a me Diell n’perëndim…?

Të vij sonte në të ngrysur,
me qirinj në Galaktikë ?-
A me Yllin e Mëngjesit
që i bëhem Zgjim me zgjim?

Të vij sonte apo
sonte? -
Dhe me Hënë, dhe me Diell,
dhe me yjet në një shportë
dhe me zemrën sa një qiell…?

Të vij nesër a nxitimthi,
me një shkronjë që më flet shqip,
dhe me Zotin që më lindi
dhe me zë - prelud- në shpirt?


Të vij sonte
apo nesër,
A me ëndrrat që s’u prekën,
A me fjalët që s’u folën,
A pas - kurrë, në këtë shekull?

Të vij sonte apo sonte?
A, pas vetes së përdjegur?...


“Nuk dashuronim as un’ as ti, por…”
(Lasgush Poradeci)
Në kohën tonë pa fëmijëri,
Në udhën tonë të mërguar,
Nuk munda (oh), të të bëj ty,
Dhe s’ka se si ti të më duash…

Në kohë-botën që jetojmë
Një gjë të dy fort mirë e dijmë:
Njeri mbi tokë, tjetri mbi qiell-
S’e trashëgojmë dot Dashurinë…

Një gjë fort mirë duhet ta dijë
Unë dhe ti dhe Gjithësia:
Po nuk u deshëm ne të dy-
S’ka si të duhet Dashuria…


Në më thëntë shpirti “PO”…
“Me të dijtë se më rri në besë,
sahatin për ty e shes”
-popullore gjakovare-
Përgjigje:

S’jam e pasur me para,
por flori prej nëne jam.
Në më thëntë shpirti “Po”-
mbi dhjetë shpifje fluturoj…

Në më thëntë shpirti “Po”-
dhe një mal e shkërmoq.
Dhe një lis e hedh në tokë,
me gjithë rrënjë e me gjith’ botë.

Në më thëntë shpirti “Po”-
Shtatë ditë i zgjoj me këngë,
Shtatë të tjera me një Hënë,
Shtatë me ëndrra dashurie,
Shtatë të fundit zgjohen vetë,
Nga një frymë Perëdie.


Për inat të natës sime…

Për inat të natës
sime
Natën tënde e
mbërthej . . .
E mbërthej me ca
trazime
që veç Zotit ia
rrëfej . . .

Prej një ëndrre
drithërime,
drithërimat qaj e
laj…
Për inat të natës
sime -
Natën tënde zgjuar
mbaj.


Stacioni i fundit…

-sipas Horoskopit tim-

Çdo molekulë e trupit tim
M’ është stacion dashurie,
Ku përpëlitet një thëllim,
Ku djeg një diell xhelozie…

Çdo molekulë ka një shpirt.
Të gjitha bashkë - më bëjnë mua.
Më thënka Horoskopi flirt :
“Të rrotulloj, sa herë dua!”

Thotë Horoskopi im :
“Po kush je ti, që s’vjen ku dua?!”
I them : “ jam përvëlim
Nga rrotull-boshëzat e tua…”

”Ëndrrat pa fre me ty përzieva!
Unë pikë shiu mbi një re…
Nëse gjithë botën e gënjeva,
tek ty përulem pa bërë bè.

Se të vjen dimër në behar
Dhe në Korrik breshon një breshër,
Po ç’faj të kam që si i marrë,
Të sillem rrotull si i verbër?!”…

I them sërish me gjuhë shkence:
“Ndalu këtu, ku po mbyll sytë!
M’i hiq nga shpirti pranga e leqe!
Bëma një fjalë satelit!…

Dhe prap i them me gjuhë fëmije:
“Po Aladinin, a ma ke parë?
Shetit si ty, qiej e yje…
Si ty premtoi të më marrë…”

…Çdo molekulë e shpirtit tim
Më ësht’ stacion i dashurive…
Por veç të fundit - përdëllim
Ma sill, t’ia shkul prangat kufijve…


Pritmë
Pritmë,
Një sekondë e gjysmë…
Sa të lyej flokët
Dhe…
T’i marr leje vetes…!


E dashur Dashuri…,


…M’u mpik malli
Për të t’parë…,
M’u mpinë duart
Të të prek…
Të të ndjej si një shtatzënë,
herë si ëndërr
herë si djep…

Më ka marrë malli për ty,
që fëmijë, ardhur nga gjyshër…
që kur lojëza Nuse – dhëndër
ishte lojëz e
gënjeshtërt.



Që kur m’the je përpëlitje
në dy pjesë të trupit tim…
Natë e ditë e vit pas viti
Ndez qirinj me lotin tim…

Dhe nga malli, dhe nga malli,
Për t’u ndjerë si e vërtetë-
Adoptova, si bij shpirti,
Dhe një dimër, dhe një vjeshtë.


Më zuri nata në vendlindje…
Më zu nata në vendlindje
dhe trokita te një portë:
“Tak, tak, taak…,
jam Mama Dhia…
Më ka sjellë Poezia…
M’u betua se ka ftohtë
dhe m’u lut, me pikë të shpirtit
ta dërgoj ku ndjehet ngrohtë…”
-Kush, moj, kush, Dashuria-?!-
pyet zëri që e njihja…
-S’e mban mend si më ke thanë?
“Ndaj me ty Namazgjanë...
Dhe Shkumbinin, përngjatë Krastës…
Pa u zverdh Gjethja e Rrapit,
Të jap prikë Malin e Vashës…
Pa t’u tharë lot’i mallit –
Ta ringjall edhe “Jaranin”,
Ujë, për buzët që t’u thanë,
Ke në Çesmat e Kalasë…
Tak-tak –tak…
Tak-tak taaak…
Po s’më njohe,
T’plas në Prag!”


Për një mollë që hëngri Eva…

Për një mollë që hëngri Eva,
Zoti na lëshoi stuhitë…
Për një mollë që hëngri Eva –
Na u thyen dashuritë…
Ndaj s’ma bluan dot stomaku
mollën- kuq, jeshil, të verdhë…
Për një mollë që “hëngri” Eva,
Burrat shkojnë derë më derë…

………..
Evë,
Qofsh e lavdëruar!
Bukur “luajte” me mollën!
A s’ta dha Zoti tundimin ,
Të provoje “Të ndaluarën”?

A s’të bëri vetë Zoti
Edhe engjëll,
dhe djallushkë…
Ta vije në provë botën:
Për një femër, ç’bën një burrë?

Evë, qofsh e lavdëruar!




Mbrëmë fjeta me poetin

Mbrëmë fjeta me Poetin
Për Qiell e për Tokë, ju betohem!
Nëse tradhëti ky akt e ka emrin,
Shpirti juaj ma dënoftë shpirtin!

U lava me ‘Të në ujëra të turbullta…
Në ujëra të kulluara u putha me Atë…
U përqafova mbi valëza a sa një mal…,
Herë perçeshkumë të ethshme,
Herë – notë mbi pentagram…

Po , po. Mbrëmë me Poetin fjeta.
Në një shtrat – fjalëvarg.
Nënkresë – një krah prej shpirti.
Mbulesë – tis fryme – mërgatë…

Fjeta. Por…, edhe nuk fjeta.
S’di , a bëra dashuri?!…
Mbi gjoks të Tij kokën mbështeta
Herë, i brengosur, edhe ai…

Më fal, o Zot, në mëkat bëra!
I ngjita buzët me të Tij…
Sikur vërtetë të ishim bashkë,
Do ishin tretur dhjetë qirinj…

Mbrëmë fjeta me Poetin.
Mbrëmë - nata u bë fli…
Nëpër dritën e një shkronje,
Lindëm emrin – DASHURI.


Psherëtimës

Ku më je me dhimbjen tënde?
Ku më je e ku të kam?
Nëse ti më paske malle,
Mos m’i jep se, oh, t’i kam…!

Me aromë gruaje
Në shtratin e ëdrrës t’u futa…
Me aromë gruaje të marrë…
Te ëndrra ime u ktheva,
dalë nga ikona si vajzë.

(Botoi Illyria- 24 korrik 2007)

Top "Sekret"( tre libra ne nje)


Nga libri në proces botimi: Top “Sekret” (Tre libra në një)...
me tregime, skica, portrete, ese, përsihatje, reportazhe, intervista, shënime udhëtimi,...rrëfime të pa rrëfyera...letra dashurie e miqësie, etj...
KLITHMAT E NJË DRITAREJE…
SKICA - ese

1. Letrës së paardhur…

Në fakt asnjë letër nuk më ka ardhur që duhej t’i ktheja këtë përgjigje…
Alushinacion? Ndoshta…Gjithsesi, po i kthej përgjigje asaj letre, e cila duhet të ketë vite që është nisur drejt meje… Oh, harrova, adresë e gabuar…As vetë nuk i mbaj mend adresat e mija, ku kam qenë e ku jam ndodhur… Epo s’paska faj letra – postë më postë, kthim e nisje… Gjithsesi unë e di që ajo është duke më kërkuar…Ndoshta një ditë, kur të kem adresën e saktë dhe të përhershme (?!!), ajo do të jetë te unë, si mysafire e rrallë…, si kujtesë e vetëdijes dhe vet-ekzistencës sime, si … Ku di unë ç’emra do të ketë nesër për të munguarit…
E dashur LETËR…

Më fal që të lodha, duke më kërkuar cep më cep të vendit tim dhe anembanë botës. Nuk ishte për fajin tim. Peshoj ( nga dita në ditë ), pak kilogram dhe , ku di unë, ç’dreq stuhish, me emra, çuditërisht magjepës, “Katrinë”, “Rita”, “Silva”, “Tornado”…, më morën me vete.
Të them të drejtën, edhe ma kishte pak qejfi të fluturoja…Por ama, me krahët e mia….
Nejse, LETRA ime. Ty nuk të duhen këto lloj fluturimesh. Doje të vije tek unë dhe pikë. Eh, sa herë kam dashur dhe unë e gjora të isha pranë teje. Me pikë të lotit e kam qarë këtë lloj “fluturimi”, pa krahë e pa kohë, pa frymë e pa dritë. Ç’t’i bësh! Kështu e paska jeta . Ama, thuaj të vërtetën, edhe ti, nuk do të bëje asnjë lëvizje, brenda e jashtë, me vula e firma, me lexime e përgjime nga sy e veshë të padukshëm, po mos isha “humbur “ nga sytë këmbët, nëpër hapësira e drithërima muzgjesh, nëpër shkretëtira shpirtrash e pellgje lotësh…, shpërfytyruar nga pritja jote, rrëgjuar e ngrirë nga mendimi se sa shumë do të lodhesh deri sa të më gjesh. Ti asnjëherë nuk do ta marrësh vesh, sa të kam pritur, askush nuk do të thotë se ëndrrat i shihja vetëm me ty, asnjë orë e ditës dhe e natës nuk do të rrëfejë, sa herë kam folur me ty në heshtje, derisa heshtja m’u bë kallo në fyt, e kripë nën qerpik.
Po tani, ku je, Letër, në ç’pikë të Globit, në ç’duar mizore, në ç’sy Ciklopi? A nuk të dhembin fjalët, kur të prekin? A nuk të përzhit edhe ty malli për mua? Fundja, më mirë kështu. E si do të kishim një fjalë vdekje-pritëse -“Mall”, si do të qanim, pse do të qanim, si do ta kuptonim që duhemi marrëzisht? Ja kështu, duke qenë kaq larg, duke na marrë malli.
Ti thashë këto, Letra ime , e paardhur, që të mos grindesh me veten, nëse përsëri nuk më gjen; mos qash e t’i fshish fjalët për mua…Ndoshta përsëri më duhet të lëviz. Kështu qenka e thënë. Sa herë bëhem gati të t’ dërgoj adresën ku unë frymoj, “bram” një lajm i tmerrshëm nga stacione të tmerrshme: “Parashikohet stuhi, këtë radhë me emrin “INTERNET”…”
Më fal, që nuk do të më gjesh! Falmë që nuk të lexova asnjëherë!

2. Mëngjes i lodhur…

A ju ka ndodhur ndonjëherë, të zgjoheni të lodhur, madje të rraskapitur, me një vetvete të copëzuar, me një ndjenjë makthi e britme njëherësh, me një pa dëshirë për të qenë zgjuar, pamundësi për të fjetur, përtaci për të pirë kafen e mëngjesit; të t’ duket vetja, sikur sapo ke dalë nga thellësia e oqeanit, ku kishe, ndoshta, vite të tëra atje, harruar nga të tjerët e nga Zoti vetë.
Dhe veprimi i parë që bën, për të dalë nga kjo gjendje apatike, është vrapimi drejt dritareve. Fillimisht largon pakëz perden… Hedh një vështrim, sa të kapin sytë. Pastaj (o Zot, kushedi sa shtrembërohet e shkreta fytyrë), mbledh gjithë forcat që të kanë mbetur , dhe me gishtërinjtë qe a thua se kanë zënë ndryshk shekullor, hap dritaren ngadalë-ngadalë, sikur të kesh frikë të përplasesh me botën e jashtme… . Instiktivisht, frymëmarrja fillon të zgjatet, të zgjatet, derisa merr frymë thellë dhe ti hutohesh si një fëmijë, kur e gënjejnë me një lodër të re. Dhe për ty, kjo “lodër”, ka një emër absurd: “Mëngjes”. Ndryshe nga lodra e fëmijëve, nuk është në duart e tua të lozë me ty. Aspak. Vjen si perandor, me urdhra e teka, me bindje të plotë që ti do t’i nënshtrohesh. Vjen, të t’ thotë se duhet të zgjohesh, edhe pse nuk ke fjetur, se nuk i intereson fare, ç’ka bërë “lodra”- Natë me ty, se ajo ka radhën e saj të pushtetit ditor dhe të parashtron një plan të ngjeshur, edhe me ndonjë “amanet”, nga dita e mëparshme…
Filxhani i kafesë herë pas here të dridhet nëpër duar... Brenda vetes, diku në mes të gjoksit, aty, ku mezi shihet një gropëz, ndjen pulsimin e një përpëlitjeje, a thua se një qenie e gjallë të flet me gjuhën e morsit…
Fërkon pak sytë, që të dalësh nga kllapia. Të duket sikur në këtë çast, ajri i freskët që përplaset në fytyrë, është një shuplakë, që të sjell në vete, më shumë se ilaçet e mjekut psikiatër…
Mallkon me vete natën (që ende kacavirret nëpër qelizat e trurit tënd), e cila, jo vetëm nuk të dhuroi asnjë minutë qetësi, përkundrazi, ta rrëmbeu padrejtësisht atë, me të gjitha mënyrat misterioze të saj, duke u bërë tekanjoze e hakmarrëse, deri në dhimbje. Siç duket, herë pas here do të na thotë se edhe ajo ka kapriçiot e veta, se jo gjithmonë merr përsipër të t’ çojë në krahët e ëndrrave “alla-Aladin”; se na ka në dorë të na zgjojë frikshëm apo të na lerë syhapur, të përpëlitemi e të drithërohemi, të lotzojmë brenda vetes, për çfarë nuk kemi bërë dhe çfarë do të bëjmë… Pra troç: të t’ ngrejë nga shtrati, më të lodhur se në çastin magjik, kur e stërmunduar nga dita, shtrihesh gjerë e gjatë dhe mbyll sytë, dehur nga aroma e detergjentit zbutës i çarçafëve dhe me të drejtën e lirinë universale, për të mbajtur nën qepallë intimitetin tënd… .

3. Femra

Ajo - e vogla dhe e madhja. E dashura, gruaja, vajza, motra, nëna dhe gjyshja.
Ajo - HYJNORJA. Dalë nga brinja e një mashkulli me germën e parë të alfabetit, thuajse në të gjitha gjuhët e botës.
Ajo, engjëllorja dhe djallushja, e ndershmja dhe putana.
Femra. Dhimbja e vetes dhe e të tjerëve, apo dhimbja e vetes së huaj. Pengesa dhe urëkalimi, faltorja dhe e pastreha. Buza dhe këmba. Kuzhina dhe shtrati. Zjarri dhe akulli; shiu, breshëri. Rrezja e parë e diellit dhe plori i Hënës. Ajo, gjuha dhe shpirti, foshnja dhe moshë-fishkura. Ëndrra dhe zhgjëndrra, halli dhe malli.
Femra - Uria dhe stërngopja; kënga, vaji; fustan-bardha e rrobe-korbi… . Hija me gjurmë drite. Trilli dhe urtësia. Kalvari i ngjalljes dhe i ringjalljes.
Ajo – heshtja. Ajo – britma. Dashuria, urrejtja. Bekimi dhe mallkimi.
Liria në pranga, Ajo – FEMRA.

4. Shpirti…

I miri dhe i keqi si Ai. I përfoluri si askush. Eh, i shkreti, shpirt! Ç’heq nga ne e ç’heqim ne prej tij. E kemi dhe nuk e kemi me vete.
Shpesh herë, ti je diku dhe ai s’të është pranë. Me “a – “në bisedon ti, me “zh”– në Ai. Madje, në shtratin bashkëshortor, ku ti bën të gjitha përpjekjet e tua të hysh në magjinë e prekjes, në misterin mitik të aktit solemn, që rëndom, quhet “seks”, ai jo vetëm nuk është me ty, por as pranë teje. “Idioti”, pa pikë turpi, pa të marrë leje apo vizë, fluturon ku t’i dojë qejfi, me lirinë absolute të tij, që s’ka lindur, deri më sot, asnjeri, t’ia pengojë.
Shpirti. O Zot, faleminderit që na e krijove brenda vetes ! Ç ’do të bënim pa të? As do të qanim, as do të qeshnim “me gjithë shpirt”. Si do ta kuptonim njeri – tjetrin? Si do të njihnim e të përcaktonim karakterin, siç thonë sociologët dhe që ne thjesht themi “shpirtmirë”, “shpirtkeq”?
Edhe pse mund të jenë brenda një trupi, zemra dhe shpirti zihen jo rrallë. Përse do të thoni ju ? Njëmijë arsye ka, nga më të çuditshmet.
Për mendimin tim, zemra nuk ka faj. Ajo është konkrete, mor mik, ose si të them, një ekonomiste e shkëlqyer që të llogarit:- kaq rrahje të jap në minutë, kaq hapa do të bësh; kaq, sa them unë do të jetosh!
Eh, shejtanka, të jep mundësi edhe ta shohësh, si të duash ti: në allçi, grafi, e ku di unë. Pa mund ta vizatosh e ta qëndisësh…Edhe me celular mund të dërgosh mesazh një “zemër”… ( ç’hiprokrizi!)
Pra, siç thashë, zemra nuk faj. Në fund të fundit është me muskul e gjak, te flet me gjuhën e saj që quhet trokitje, rrahje, elektro-kardiogramë.
Por, “ndalu Beg se…” Si na paska faj shpirti, mor miku im? Ai që të bën të shohësh përtej mureve dhe kufijve të syve të tu? Ai që personazhin e një libri, filmi apo jete, ta sjell pranë, fare pranë, më pranë se ke ti veten tënde? Që të bën të ngashërehesh e të ngazëllehesh, të flasësh me vete ose të fluturosh.
Po si qenka fajtor shpirti, vetëm pse nuk ka sy e vetulla, buzë e veshë, madje as gjak (sa mirë!). Megjithatë i ka në forma të padukshme. Ai sheh, dëgjon, flet me shqisën e tij të veçantë që quhet: Ndjenjë. Universalja e të gjitha shqisave, më e pakapshmja dhe më e prekshmja. Njësh me shpirtin, i jep kuptim fizikut tonë – Njeri.
Hë pra, më thoni, si paska faj? Ty të le zemra në mes të rrugës, Ai, hop,është bërë fluturimi yt, përjetësia jote. Zemra të fut shtatë pash nën dhè. Ai – jo. I lig apo i mirë, engjëll a djall, të mban gjallë, o në qiell o nëpër terrin e tokës…
Nejse, nejse. Le të zihen zemër e shpirt që ne, edhe të jemi dhe të mos jemi.
Në fund të fundit, le t’i quajmë parti në pushtet dhe opozitë.
E them sinqerisht.

5. Dasma

Asaj tryeze, asgjë nuk i mungonte nga kuzhina vendase. Asnjë karrigeje nuk i mungonte i ftuari. Për çudinë e të gjithëve ju, dhe paradoksin e vendndodhjes sime, kisha edhe unë një vend për t’u ulur, pikërisht në tavolinën kryesore, ku pritej të vinte nusja me dhëndrin...
Dasmë. Një dasmë në Ishull. Një dasmë në Tokën e Zotit – për mua, në Dhè të huaj… As më pak as më shumë, isha argatia e familjes së nuses dhe (pa dëshirën time), duhej të isha aty…
Nuk më gëzonte asgjë. Gjithçka më dukej e zymtë, e paprekshme, e huaj…Degët e trungut tim ishin larg, shumë larg…
Muzika, tjetër gjë. Më fërgëllonte magjishëm si gjaku në damarë. Më bënte flurudhë nga njeri folklor te tjetri. Notat muzikore nuk njohin kufij shtetesh e individësh. Tingëllojnë njëlloj dhe secili i ndjen sipas mënyrës së tij…
Për ta ndjerë veten pak komode, apo si pjesëtare autentike të asaj pjesëze toke prej Tokës sonë, hyra në “lidhje” virtuale (edhe pse jo në kohë dhe përndijime) me Safoon, “Homerin e gjinisë femërore”, poeten e dashurisë; me Ricosin e shpirtit ngjadhnjimtar; me stoik-rezistencën dhe varr-kryqin, Kazanzaq, me marrë-bredhësin - kryefjalë Homer…dhe fare pak me veten time Boheme… .
Erdhi nusja. Në krah – dhëndëri. Me ta, Dashuria - fustan vello-bardha e kostum-zeza e kollarisur, që di vetëm të bashkojë të marrë e të mençur, që bën t’i përulet frika dhe vdekja…
M’u kujtua dasma ime: Pa fustan të bardhë. Pa muzikë. Pa lule. Pa…
M’u kujtua martesa e vajzës sime: Pa dasmë. Pa vello. Pa…
Më sillej rrotull pikëpyetja e djalit në prag-dasmë: Pa folezë. Pa para. Pa…
Më fshikte gëzhoja zisë. Gëzhoja e luftës pa luftë. Përtej donkishotizmit. Përtej hapësirës dhe kohës së 1997-ës…
Pra, ku e lashë?! …Ëhë, te dasma ishullore. Te dasma e Tokës sonë në dhè të huaj… Dasmorët, a thua se ishte dasma e tyre, harbonin harbimëthi. Hanin e pinin si në mall të botës. Kërcenin aq sa aroma e parfumeve, nga më të shtrenjtat për gra e burra, përzihej egërsisht me erën e djersës…Djersiteshin. Hanin të lagështuar. Mishrat e zier e të pjekur mbushnin pjatancat.
Vetëm sa i preknin me gishtërinj akrobatë (sidomos gratë), ose paksa i lëpinin me majën e gjuhës, sa për t’i shijuar. Pastaj i hidhnin shkujdesur mbi mbulesat-letër, o mbi pjata bosh…Shumë nga ata kujdeseshin t’i paketonin për qentë e tyre (enkas nuk i hanin)…
Ç’mund të bëja unë mysafirja emigrante? Unë, skllavja e lirisë sime…?
Asgjë nuk doja të prekja me dorë. Doja t’i paketoja të pastra. Të pastra, sa të gjithë vendasit e mi të uritur…
Mendoja “Platinë”(kështu quhet sheshi), ku bashkë-mërgimtarët e mi grumbulloheshin, për të pritur fatin e tyre, me shpresën se dikush vjen i kërkon për ndonjë punë-çfarëdo. Një dasmë e tillë do të ishte mjaft për urinë e tyre… Herë pas here më ftonin të vallëzoja. Nuk e fsheh që vdes për të kërcyer. Një herë, dy , tri…Pastaj më dehu gjaku i humbur i bashkëvuajtësve…Më dehu thirrja e urisë së tyre…
Në të njëmijtën e sekondës mendova pasojën që mund të më vinte nga një gulçimë e shkallës sipërore…
O zot, fshimi me dorën tënde, lotët e dhimbjes…
Më falni “Platia” e shpirtit tim!…

6. E “mbrapshta…”

Mos më thoni se nuk keni veshur, ndonjëherë, në jetën tuaj, ndonjë rrobe mbrapsh, qoftë kjo, bluzë, kanotjerë apo … Sigurisht që po. Ndryshe si do të kish dalë proverbi se kur vesh diçka mbrapsh, të ecën mbarë. I shkreti popull, ç’nuk sajon, për të pasur pak mbarësi në punët e veta . Ku nuk i shkon mendja. Madje, thotë populli, kur nisesh për të bërë një shkesi a mblesëri, që të t’ realizohet, është mirë të veshësh (më falni), mbathjet mbrapsht…E kështu, edhe e Mbrapshta e paska një të mirë…
Do të thoni ju, nga më vajti mendja tani te e Mbrapshta.
Pale, por t’i kushtoj dhe këtë shkrim, a thua se s’kam tjetër gjë për të rrëfyer. Në fakt, kështu është. Kaq shumë gjëra për të shkruar e thënë kam, sa nuk e di, a do të kem aq kohë e jetë t’ua rrëfej. Për tjetër gjë u ula të shkruaj dhe pa bërë ende “bismilah”, dëgjoj vajzën time të qeshë , sa edhe muret vibronin. Ndërkohë më lutej të shkoja në dhomën tjetër, ku ishte me binjakët e saj (vajzë-djalë), gati një vit e gjysmë. Shkova. Fillova të qesh si e marrë dhe unë. Të dy kishin veshur këpucët e prindërve të tyre, mbrapsht, dhe i tërhiqnin, duke u mbajtur me njeri-tjetrin. Në çast i thashë sime bije: Edhe ti kështu ke bërë, kur ke qenë si këta… Edhe unë… Më ka thënë gjyshja jote, që nuk lija këpucë të mysafirëve, pa i “provuar “ në këmbët e mija. Asnjëherë nuk i vishja mbarë…
Kjo “e Mbrapshta “, më ka ndjekur kaq shumë, sa …
Për shembull, më kujtohet…Isha nuse e re. Atë ditë ,nuk kisha pasur mundësi ta rregulloja krevatin, pasi më duhej të shkoja shumë herët në punë. Kur vij në shtëpi, e gjej të rregulluar. E falënderoj, time vjehërr. Ajo ma pret menjëherë: “Ç’më uron, moj bijë, jam qorruar fare. Nuk e pe? Mbulesa mbrapsht, jastëkët mbrapsht… Qesha. Vërtetë nuk i kisha parë me vëmendje. Punë e madhe, i them. Mamaja ime thotë gjithmonë se në raste të tilla, ka një ogur të mirë. Të ecën mbarë…
-Eh, ashtu është, ashtu, më rrofsh!…
Meqë ra fjala te mamaja… Kush e di sa herë, duke më ndjekur nga pas me nga një triko, për të ma hedhur krahëve, sidomos, kur ngrihesha nga gjumi (shumë e pakujdesshme kam qenë për shëndetin tim), ose me shapka apo me çorape, kush e di sa herë ka ndodhur të m’i vendosë mbrapsht. Kur i kam thënë, përgjigjen e ka pasur në majë të gjuhës:
- Pune madhe, të shkon mbarë, të ka nana të mbarë vetë ty…
Mirë ato, po unë, a e dini ju, sa herë i kam veshur rrobat e mia së prapthi? Sa të duash. Le pastaj, se ç’kam një jelek, punuar me grep, që nuk e kuptoj se nga është e mbara dhe e mbrapta, ashtu siç nuk kuptoj , ndonjëherë, fjalët me ironi që dikush mundohet të m’i thotë për të më ngacmuar. (Ndoshta kjo, jo se nuk mund t’i kuptoj, sesa për të shmangur ligësinë me heshtje…) Këtë jelek, që thoni ju, më shumë mbrapsht e vesh sesa mbarë. Sa herë qesh ime bijë me mua. Edhe unë, si nëna ime, në majë të gjuhës përgjigjen, saqë, ajo më ndërpret: - E di, e di, të shkon mbarë…. Një ditë, prapë unë, mbrapsh jelekun. Asaj, seç i vajti mendja dhe më thotë me humor, që kish brenda një sarkazëm të trishtueshme: (ishin ditët e nxehta të zgjedhjeve…) - A t’u themi qeveritarëve tanë t’i veshin mbrapsht kostumet, mbase ecin mbarë punët e vendit… Vërtetë, si nuk më kishte shkuar në mendje. Po ku të le populli… . Ai i ka shumë të sakta proverbat dhe t’i sqaron me detaje. M’u kujtua se, kur doja të merrja një vizë për të dalë jashtë shtetit, vesha enkas kanatjeren mbrapsh…Nuk e mora. Edhe pse u luta se kisha gjashtë vjet pa e parë vajzën time në kontinentin tjetër…
Kur u ktheva në shtëpi, nëna ime e hëngri furtunën e para. –…Pale, i thashë, vesha dhe kanatjeren mbrapsh, edhe…Të gjitha të brendshmet…Ajo, përsëri u mundua të më qetësojë. Nuk thotë populli, kur i vesh vetë. Vetëm atëherë, kur i vesh padashje, pa dije…Pastaj u inatosa me popullin...
Po kaq inat më vjen edhe tani, që edhe po të veshin qeveritarët, kostumet mbrapsht, asgjë nuk do të ndryshojë… Po sikur te harrojnë dhe te veshin diçka mbrapsht pa dije? Megjithëse, nuk ma merr mendja, janë shumë të kujdesshëm në paraqitjen e jashtme…
U pa kjo punë. Mbrapsh që mbrapsh do të shkojnë punët tona atje lart. Eh, Kombi im jetim!

ISHULLI I (TE PA) FATIT
-tregim i jetuar

Herë më dukej si sy i stërmadh që sheh gjithë botën dhe kripet nga loti i saj, herë-herë si varka e Noes, mbushur me emigrantë, mbledhur nga shumë shtete e kontinente… As sy as varkë nuk është, veçse një ishull magjik, që, për fat të mirë apo të keq, është pika e fatit ose e të pafatit. Ishull, ku stinët mund t’i quash: para-verë, verë, mes-verë, pas- verë…Gjithnjë notohet në brigjet e tij. Çdoherë këndohet, dashurohet… Pemën e çuditshme me emrin Hurmë, për herë të parë, nga larg, shumë larg, e solli Odiseja… Edhe pse lindur në të njëjtin Glob dhe ngrohur nga i njëjti diell, me mijëra njerëz vijnë si turistë, që në orët e para të rrezeve të para të stinës së parë. Me mijëra të tjerë, dora-dhëmbas, pa ditur e padashur t’ia dinë për bukurinë e tij, i sjell dallga e fatit… Këtë ishull gjithë-stinëveruar, as në ëndërr, as në hartë nuk e kisha parë e njohur… Po ja, ndodhi ashtu, siç mund t’i ketë ndodhur shumëkujt…Zëri i çakejve mitologjikë, më kish dëbuar nga vatra ime dhe zëri i sirenave homerike më bëri të ndaloj atje…

* * *
Asnjëherë në jetën time nuk kisha shkundur ullinj. Vetëm i kisha parë e ngrënë. Në fëmijëri i haja si qershi, falë vendlindjes që rrethohej me kurora ullishtash.( Sa qejf i kisha!)…
Kur u martova, ime vjehrë, më mësoi se haheshin 1 me 4, domethënë, 1 ulli me katër kafshata bukë…. Më pas, i blija rrallë dhe i nxirrja, kur papritur, më vinin njerëz nga larg’ për hallin e tyre…. Dhe ja, erdhi dita të rishohë ullishta të pafundme, me drurë të vegjël e të mëdhenj, të rinj e të moçëm, me kokrra jeshile, vishnje, të zeza e forma nga më të ndryshmet që përdoreshin për vaj, për t’u mbushur, stafidhe e ç’nuk tjetër…
Gjithë qejf u nisa për në punë. Ishte dita e parë, pas dy muajve që më kishin cikur këmbët në atë tokë të begatë. Dy muaj që natë e ditë lëpija cepave të buzëve, lotët e jetës sime. Por nuk e kam fjalën këtu(eh!). Tjetër gjë dua të tregoj. Mbaruam së shkunduri rreshtin e parë të një korafi (kështu quhen ullishtat atje). Ndërkohë që burrat dhe djemtë mblidhnin thasët për t’i çuar në zetor, unë kontrolloja edhe njëherë pemët. Edhe pse me syza +4 e gjysmë, edhe pse xhamat e tyre bëheshin thuajse të padukshme, ullinjtë i shihja për bukuri. Zgjat dorën e këput, zgjat duart e mblidh, mbush grushtet e hidh në qese plastmasi…Nuk e di ku e gjeja atë fuqi, të vrapoja nga njëra pemë te tjetra dhe metër pas metri, jashtë rrjetave apo palecave të shtruara, ku ndonjë kokërr ulliri kish fluturuar, më shumë se duhej, gjatë shkundjes, si për t’i shpëtuar fatit të mbylljes në thes dhe shtrydhjes nëpër gurët dhe metalet e fabrikës…Më shumë gëzohesha kur mbushja një qese, se një thes që peshonte mbi 50 kg. Ngazëllehesha. Nuk më ishin dukur aq të ndritshëm dhe aq të vërtetë, as kur i haja 1 kokërr me 4 kafshata …Ndoshta, ngaqë kripa ua kishte rrëmbyer tinëzisht e dalëngadalë shkëlqimin e cipës, ndoshta, ngaqë nuk isha lodhur për t’i pasur pranë gojës…; ndoshta, ngaqë nuk i shihja sendet deri në detajin e tyre frymor, në lidhje me njerëzit…
Mblidh e fut në qese, mbush qese e hidh në thes… Ishte çlodhja ime pas shkundjes me stekën - krehër nëpër krelat e ullinjta…Vetëm unë, ndoshta, mund ta ndjeja dhe ta kuptoja këtë lloj kënaqësie çmendurore. Askush nuk e dinte që shkruaja poezi dhe çfarë pune bëja në vendin tim…Dhe askush s’kish si ta kuptonte që për të mundur lodhjen, poezinë e kisha futur brenda çdo kokrre ulliri fluturak, njësoj sikur të isha unë ajo që fluturoja në drejtim të padukshëm e të çuditshëm…
Nuk më zgjati shumë gëzimi (Ç’gëzim i mjerë!) Papritur, më pa pronari, një plak i mençur dhe i urtë, që asnjë detaj i imët nuk i ndryshonte nga “Hedhësi i farës” së Onufrit. Mimi, më i moshuari djalë i Ishullit, më i besuari i të ikurve nga vendi i tyre - Ishull, nëpër kontinentet dhe shtetet e Botës, kryente shërbimet e korafëve të tyre.. Oh, sa mall kam për të! Të gjithë shqiptarët i mblidhte në “organikën’ e tij.. Të gjithë i fshihte kur fshinte fshesa e politikës. Pra, ky plak-djali, apo djalë-thinjuri, m’i pa grushtet plot me ullinj dhe përnjëherë më “urdhëroi”: - Hidhi! Hidhi Irini! (Kështu më thirri që ditën e parë. Në gjuhën e tij do të thotë Paqe.) Nuk po e kuptoja, ose, pse ta fsheh, e kuptova fare mirë).
- Do të hanë edhe zogjtë…!
Gjynah, i thashë, janë kaq shumë…Gati një thes nga çdo dy – tre pemë…Dhe ndërkohë po më hapeshim gishtërinjtë, që, për t’i mbajtur shtrënguar, kisha ushtruar aq forcë fizike, sa mund të kisha thërrmuar një copë shkëmbi.
- T’i mbledhim, është gjynah…!
Nuk bëra zë.
Vërtetë, mbi majat e pemëve, zogjtë çukitnin dhe cicëronin…
Në mbrëmje, në dhomëzën time me qira, ku valëzat e detit arrinin thuajse në shtratin tim, bashkë me familjen, vazhdonim të hanim - një kokërr me katër kafshata bukë…
Oh, uri e trashëguar!…

POEZI PER VENDLINDJEN



ILIRIANA SULKUQI
Poezi për vendlindjen time
Elbasan
Nën Galaktikën
ku sot frymohem,
ylli i parë më flet në shqip…
Mos është
vetë Afërdita,
a Yllësi e emrit tim?!

Metaforë dashurie
-Kushtim Atdhelindjes,
në emër të të gjithë atyre
që kanë ikur …-
“Bëhu e bukur!
E bukur të më vish!”
Mesazh pa frymë,
Urdhër me fjalë…
“Në orën fiks
të jesh aty,
ku belbëzuam
të parën vlagë!…”
“Mesazh i dashur,
nga ai çast,
kaluan vite
mbi dallgë e flakë…
Dhe u shëmtova,
s’di se si (!?)…
Ndoshta një natë,
kur s’kishte dritë…
Kërkova hua pak “Bukuri”,
Të “bukurat”
qeshën pas syrit tim…
Si të të vij,
kur s’mund të shoh?
Si do më marrësh,
kur s’ngrihem dot!?…”
………..
“Do të rrëmbej
mbi rê a nën dhè!
Mbi drithma nate,
SHPIRT do të derdh!”
……………
Mesazh i lashtë,
ëndërr në zgjim,
Shëmtuar nga Bota
BUKURISHT - të vij!

Ku të fshihem…?
(Duke dëgjuar një lajm
nga vendi im : “S’ka vend në varreza…”-
…Dhe pashë një ëndërr-
kurrë kaq të trembur…:
Një karvan lotësh
M’rrëkenin mbi prehër…)
….
Ku të fshihem,
Ku të shkoj?
Zot, a s’është Toka një Tokë?
Ku ta preh trupin tim?
S’kam as varr, as shtëpi…
Po kam puthur gur e lis,
Kam ngrënë bar që fëmijë…
Po jam rrit nga dashuritë…
Po kam qarë pleq e të rinj…
U kam bjellë trëndafilë…
Po jam vrarë, jam përkëdhelur,
Jam rrëfyer si askund tjetër…
Po kam fjalë e gjysma fjale -
Ca në letra, ca nën kalldrrëme,
Ca më tunden vjeshtë më vjeshtë -
Ndër ullinj, ndër fruta zemre…
Ku të fshihem?…
Ku të shkoj?…
Një grusht dhè
Po qaj me lot!

Shtëpitë tona…

(kushtim miqve dhe kolegëve të mi në mërgim)
Shtëpia ime me qera
Ka vetëm kukulla me gjuhë të huaj…
…Edhe ca lule nderë e tharë
që loti ynë i përvuan…

Shtëpia ime me qera –

Këmbadoraz në dhè të huaj,
Pret paranë nga unë të marrë..-
Vdes veten…Si do ta paguaj?!…
Shtëpia ime, kudo qofsh,
Mbi Diell a nën Hënë,
Bëmu një vatër nënkrese, moj,
T’paguaj dhe pa ngrënë!
Shtëpizë, ëndërr që më ftohesh,
Jepmë zë, paç Hirin tënd!
Shetita pash më pash dhe Ferrin
Por prushin tënd s’ma dogji dot!

Më zuri nata në vendlindje…

Më zu nata në vendlindje
dhe trokita te një portë:
“Tak, tak, taak…,
jam Mama Dhia…
Më ka sjellë Poezia…
M’u betua se ka ftohtë
dhe m’u lut, me pikë të shpirtit
ta dërgoj ku ndjehet ngrohtë…”
-Kush, moj, kush, Dashuria-?!-
pyet zëri që e njihja…
-S’e mban mend si më ke thanë?
“Ndaj me ty Namazgjanë...
Dhe Shkumbinin, përngjatë Krastës…
Pa u zverdh Gjethja e Rrapit,
Të jap prikë Malin e Vashës…
Pa t’u tharë lot’i mallit –
Ta ringjall edhe “Jaranin”,
Ujë, për buzët që t’u thanë,
Ke në Çesmat e Kalasë…
Tak-tak –tak…
Tak-tak taaak…
Po s’më njohe,
T’plas në Prag!”

Kreshendo
1.
Në çapitjet e mia fëmijërore,
të parin vizatova yllin.
Në dimër-një lule dëbore…
Në përsiatje, Hënën, Diellin…
në metamorfozën vajzërore,
“Bëra zap” Rozafën legjendë…
ndaj ag putha Çehovin…
në mesditë-dashurinë prej gënjeshtre…
Në natën e parë nuse-vajzë,
rrëmbeva kurora lavdie,
me emra fëmijësh trashëgimtarë,
mbiemër- nga prejardhja ime…
2.
Në rrugëzën e fundit drejt ikjes,
kur brymë mbi lule do të bjerë…,
kur Hëna të kaçet ngrënë nga yjet,
kur natën dikush do ta çjerrë,
do të lutem!
Do të lutem për të fundit herë:
për lulet çelura gonxhe;
për Hënën të plotë a të ngrënë,
për natën që ëndrrat rrëfen,
për ditën me smog a me diell…
për foshnjat që qajnë në lindje…
për nënat që fishken nga dhimbjet…
për vajzat, që flirt bëjnë me vete,
për meshkujt që s’dinë ku venë,
për burrat që dehin burrërinë;
për djemtë që kërkojnë dashurinë…
për këngët që ngrinë nëpër djepe…
për botën që digjet nga ethet,
do të LUTEM!...

“Këshillat e nënës sime”

Këshilla e parë:

Nëse dikush…
Nëse dikush
si njerkë shterpë),
të shpon me gjilpëra
në membranën e shpirtit
dhe, nga vajzë nëne
bëhesh Kumuri,
mos vajto
mbi çatitë e botës,
të ndjellësh zi!
Këshilla e dytë:
9 trëndafila…
Kur të shohësh në ëndërr
një mik a mike
që dorën drejt teje zgjat…
Pa larë sytë,
bija ime,
nga lulet,
nëntë trëndafila
mbështilli me mall…
Më pas,
një nga një
e ditë për çdo ditë,
deri në ditën e nëntë ,
miqtë do t’i kesh pranë zemrës
miqtë do t’i kesh përballë…
Këshilla e tretë:
Mos e shiko peshoren…
Kur të blesh diçka me masë,
mos e shih peshoren me sy!…
Kujtdo që gram-ët t’i “han”,
bollëk ju bëftë në shpirt!
Këshilla e katërt:
Edhe Dielli hije le…
a. …edhe Dielli hije le…
b. Mos vrapo kur fryn erë…
c. Fshihe lotin nën qepallë…
d. Duaje mikun sa është gjallë…
Këshilla e pestë:
Tri fjalë – një magji…
Tri fjalë,
thënë njëra pas tjetrës,
ose me të shkruar,
ose vesh më vesh,
janë magji e zezë, bija ime,
të vrasin
pa të thënë: mirë-mëngjes…

Tri fjalë,
si tri rrufè,
njëra pas tjetrës
dhe pemën e moçme
e bëjnë èshkë.
…megjithatë, megjithatë,
me urrejtjen,
asnjëherë mike mos u bëj.
Brooklyn, fundprill, 2007

Letër nënës me internet…(!)
ilirianasulkuqi@yahoo.com
24 maj 2007
(Duke rilexuar poezinë: “Letër Nënës”, të Eseninit, shqipëruar nga J. Bllaci)
E dashur nëna ime,
E dhembshura pa fjalë,
ëndërr përtej ëndrrës,
mall më shumë se mall.
Nënë, e shtrenjta ime,
Kërrusur pas një shalli,
tjerrur e përtjerrur
si dhuratë prej malli…
Mos ma merr me vete
shallin e lotuar…
të vij vetë moj zemër,
mbi ujëra notuar…
Mos ma merr me vete
shallin kripë-grisur,
bëhem Beb’-legjende
që rilind papritur…
Veç nga mitra jote,
Nëna ime-nënë,
do më ishte fat,
t’lindja dhe një herë.
Nënë, e urta nënë,
emër si një Zot,
mbi qerpikun tënd
qahet Koha Jonë.
Lot ilirianë…
Më bëhet loti drithërimë,
Nga gjuha ime –në shqipërim…
Herë pikon buzë Shkumbinit,
herë më shkruhet tej durimit…
Herë te maja e Tomorrit,
Pak më afër-mes Devollit…
Loti im më ka ca teka:
Rrjedh aty ku i pëlqeka!

Histori Dashurie
-nga stërgjyshja tek unë-
Dy fëmijë linda
nga pakditët – grua…
Nëna ime – dashurisht
më lindi mua…
me gjyshe lindi time më
nga dashuria…
Stërgjyshja u lind e dashuruar…
Dikur…
Dikur, ende pa njohur shkronjen “A”,
Kukulla që lozja, ishte e imja...
E imja, macja që më rrinte pranë
Dhe zjarri bubulak te vatra…
Të mijat – lodrat në kopësht.
Përparësja e bardhë - me emrin tim.
E imja, teta edukatorja…,
Rrugëza që më çonte në shtëpi…
Dhe shtëpia e bardhë – e imja…
Me hurma, portokalla, limona…
Të mijtë - mami dhe babi,
Të mijat ç’ka prekja e shihja…
Mandej, i gjithë Elbasani-
Namazgja, ullishta, vreshta;
Shkumbin, Zaranikë e Kala,
Trashëgim nga dhjetëra stërgjyshera…
Mandej Tirana, Korça…
Të miat u bënë, të miat…;
Dete, lumenj, qiell-tokë,
Sa ka kufij Shqipëria…
……………………
Kur isha e vogël, e vogël…,
Vërtetë ish’ e imja gjithëçka…
Tani, në larg-ikje, kuptoj
Se s’ështe veç e imja çdo gjë…
Përshembëll, qyteti i lindjes,
S’më paska veç mua bijë…
Nga dita ne ditë Tiranës…
Dhe ajrin s’ia lenë të lirë…
Vendin, gjithë bota ma paska
Sa zor, për mua të ketë pjesë…
Fëmijët e shpirtit t’i marrka
As kohë, për t’i puthur s’të le…
…………………
Kur isha e vogël –
… e imja…,…të miat…
Tani, as vetja –
e imja s’ështe më…

Triptikë poetike
-babait, në përvjetorin e përjetësisë,
i cili më mësoi se miqësia jeton më gjatë se dashuria.-
1. Oda-oda, 12-të oda…
(gjëegjëzë)
Sa portokalle më paske,
Moj pemë e tim ati,
Ku pikon malli
Si vesë mëngjesi…!
2. Trëndafilat
Dymbëdhjetë stinë,
më paskan trëndafilat,
mbjellë nga kopshtari i breznive…
Mbi mermerin e peshtaftë,
buqetë pas buqete
ia vendos,
për ringjallje…

3. Eh, sa vite!

Eh, sa vite , paskan shkuar!
Nga sapo – nënë,
jam bërë gjyshe..
Mos vdiqe dje
dhe sot u linde?(!)
Apo nga malli ,
prapë më rilinde?...

Kam lënë…
Kam lënë një pemë të pa mbjellë,
te ulliri, aty, pranë babait…
Kam frikë, a do të ketë aq vend,
sa rrënjët t’i shtrijë gjerë e gjatë?!…
Kam lënë një varg të pa mbjellë,
atje, te rrënja e Fjalës…
Trembem, mos vallë s’më zë
e më shemb kështjellën e MËMËS…

Trokit e zgjo…
Kur jemi larg kufijve të Atdheut themi:
jam shqiptar. Kur jemi brenda kufijve
themi emrin e qytetit, ku kemi lindur.
Dhe kur jemi në vendlindje,
trokasim së pari në pragun e shtëpisë sonë…
Trokit e zgjo,
trokit e zgjo!
Përpara portëzës së nënës…
A ka njeri që më dëgjon,
a ka njeri t’ma ngrohë zemrën?
Trokit e zgjo,
trokit e zgjo!
Ulur te pragu, si pranë Zotit…
një heshtje malli më drithëron,
më përvëlon një zjarr prej loti…
I mora rrugët e mërgimit
me pesë plagë nga bisturia…
m’u bënë njëmijë kur u ktheva
sa s’kish as Gjergj Elez Alia…
...
Vendlindja ime,
jepmë pak ujë
të laj sytë e lot-zuar…
Një grusht dritë nga çdo shtëpi,
të ndriçoj varret e harruar!...
Trokit e zgjo,
trokit e zgjo!
(Sikur ta bëje dot!),
të hapen gjithë portat e shtëpive,
të mblidhen bijtë tok!
Vendlindja ime,
o mall me plagë,
ç’ma hijeshove vajzërinë,
më bëre nuse…më bëre nënë
dhe shpirtit tim i dhe magjinë.

Portë-madhe-hapur,
o alfabet i jetës sime,
ç’m’i mbush plot sytë e zbrazur!...

Vendlindja ime…
Elbasan, 14 mars, 2000
Elegji për qytetin e lindjes
Ç’m’u bëre ti qyteti im,
ti i kalldrëmti, gur më gur?!
Të kam ninullë e përmallim,
qortim të kam, porsi dikur…
Myzyr e ofshe, njësh të tretur,
në violinë me dhembshuri...
Shaminë e Nepit tonë të vdekur
qëndisja unë me dashuri…
Ç’m’i bëre dyert e një fisi
pa fè kristiano-myslimane?!...
Ne jemi rrënjët e një lisi
nuk jemi tym në një mejhane...
Ç’m’i bëre djemtë me vatra nënash,
ata që dogjën dashurinë?
Ku ri-mërgon kjo klithmë gjëmash,
në ç’pikë të globit zien rakinë?!
Pa dil në shesh të Bezistanit,
aty ku ora kohën mat,
më jep të pi ballë-kazani
ose plumb-omë që me natë...
“Stilistja” e këmbëve të mia…

Nëna ime,
stilistja 16-vjeçare,
diplomuar si e parë në Milano,
ua nxori “në shesh” milanezëve
hiret prej nëne…
si ndëshkim
prej “ferexhesë”-ë nga vinte…
Kur më lindi mua,
ma qëndisi jetën
me rroba kukullash,
me “shalë-ka” jashtë”
e rripa mbi gjysmën e trupit…
Nga viti në vit
ma ulte një gisht
palën e fundit…
Derisa sot,
m’u bënë pantallona
deri në grykë të shpirtit…
Fryn kjo erë e Krastës

Erë e Krastës,
erë, moj erë…
Ti, aromë e qytet-lindjes,
në ta mbyllsha gjoksin tim,
fshikma, fshihma vajzërinë…
Më përplasesh në fytyrë
e më kthen në nuse mali!...
Erë e marrë,
moj frymë njeriu,
moj, më ço edhe nga varri!...
* * *
Në Elbasan,
marsi:
lagur,
i zbehtë…
Një ballakume në mes,
sy Pranvere e mërguar…

Vendlindje,
unë dhe ti-
pijmë dashuri
te njera –tjetra.
Unë dhe ti,
Kaq larg nga e vërteta...
Isuf Myzyrit
Ti i këndove dashurisë

Kur dridhej gjethja
e Bezistanit...
Unë e vrava atë,
kur u fsheh
te cepi i Hënëzës...
Në litarin e Rrapit -
Dashuria ende
varur...

Shtëpitë tona…

(kushtim miqve dhe kolegëve të mi në mërgim)

Shtëpia ime me qera
Ka vetëm kukulla me gjuhë të huaj…
…Edhe ca lule nderë e tharë
që loti ynë i përvuan…

Shtëpia ime me qera –
Këmbadoraz në dhè të huaj,
Pret paranë nga unë të marrë..-
Vdes veten…Si do ta paguaj?!…
Shtëpia ime, kudo qofsh,
Mbi Diell a nën Hënë,
Bëmu një vatër nënkrese, moj,
T’paguaj dhe pa ngrënë!
Shtëpizë, ëndërr që më ftohesh,
Jepmë zë, paç Hirin tënd!
Shetita pash më pash dhe Ferrin
Por prushin tënd s’ma dogji dot!

Vetëm për një kthim…

Vetëm për një kthim do të jetoj,
për pak smog nga qyteti im…
për një nënë që ëndrrën belbëzon…
për një varr që prehet në vetmi…
për një lule që ka zënë të thahet.
për një zog që dimri po e ngrin…
për një gjuhëz lëçitur që foshnje.
për një lot tretur nën qerpik …
Vetëm për një kthim do të jetoj!…
vetëm për një muzg…
për një agim…
Nga njëri djep te tjetri…
Djep prej druri më përkundi
Me ni-na-na-Lis prej lisi
Eh, më vonë . . .Më tundi-shkundi,
tundje-shkundje krejt prej fisi . . .
Dhe në paça lënë mëkate
m’u rrëfefshi ju për mua!
Ju dashtë fati përmbi fate

supe-dhimbjet jua kam hua . . .
Dhe sërish në djep prej druri . . .
djep prej lisi, djep prej fisi,
Pa na-ni, pa tundje-shkundje
ma vini në gjumë gjumin . . .

Me sopranon TEUTA KOCO



ILIRIANA SULKUQI
Brooklyn NY -2006

MIDIS DY EPOKAVA – MIDIS DY KONTINENTEVE

“Princesha” e re shqiptare, Sopranoja Teuta KOÇO, mbesa e Tefta Tashko KOÇOs, kurorëzohet në Carnegie Hall- New York.Nëpër ëndrra…Shumë çifte, të paktën, në vendin tim, traditërisht, kanë ëndërruar që fëmija i parë i tyre të ishte djalë.Por, një kandidat për baba, edhe pse disi “i vonuar” në martesë, ëndërronte dhe lutej që fëmija i parë i tij, të ishte vajzë. Këtë e dinim të gjithë ne, të njohur e miq, që kuptonim përse-në e kësaj dëshire legjitime…Dhe ndodhi, ndoshta nga lutjet, të lindë Teuta. Dhe, ndoshta nga ëndrra dhe dëshira për të ringjallur një mit, lindi Teuta. Dhe ndodhi - nga ëndrra dhe dashuria , Teuta të ringjallë mitin…***Më parë se të flasim për “Princeshën “shqiptare le të themi dy fjalë për ”Carnegie Hall”. Jo për të bërë thjesht historikun e tij, por për të treguar se në cilën majë të Globit , u kurorëzua “princesha” jonë.Carnegie Hall është pjesë e ëndrrave dhe e realitetit më domethënës të artistëve më të njohur botërorë: autorë, muzikantë, këngëtarë, balerinë, shkencëtarë, politikanë …,që prej mëse dhjetë dekadave. Carnegie Hall është mishërimi i aspiratave të të gjithë atyre që janë përpjekur të ruajnë kulturën muzikore, për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm..Si çdo gjë madhështore në botë edhe Carnegie Hall, ka historinë e tij, po aq interesante e madhështore.Historia e Carnegie Hall filloi në det, në pranverë të vitit 1887. Në një anije nga New Yorku në London, udhëtonin milioneri industrialist me të shoqen, të sapo martuar., për të bërë muajin e mjaltit në Skoci. Ishte 52-vjeçari Andrew Carnegie. E shoqja, 32-vjeçarja Louise Whitfield, soprano, e apasionuar çmendurisht pas muzikës.. Gjithashtu, krejt rastësisht udhëtonte edhe dirigjuesi 25-vjeçar Walter Damrosch që ishte njëkohësisht edhe drejtor muzikor i Shoqërisë Simfonike të New Yorkut dhe Shoqërisë Oratoria po të këtij qyteti të madh… Çifti i ri dhe dirigjenti, akoma më i ri, u miqësuan shpejt gjatë udhëtimit, miqësi që do të forcohej dhe do të kishte jetëgjatësi…Çifti e ftoi dirigjentin në Skoci dhe atje, në një vend që quhet Kilgraston, lindi idea për Carnegie Hall. Damrosch gjithmonë kishte ëndërruar për të patur një koncert – Hall të shkallës botërore. Në fund të verës së po atij viti, Andrew Carnegie pranon të ndihmojë Walter Damrosch që ta bëjë ëndrrën e tij realitet, për të ndërtuar një holl kolosal që do të ishte qendra kryesore në New York dhe më vonë në botë.Në pranverën e vitit 1891, Carnegie Hall, hapi siparin e lavdisë së tij, me një festival 5-ditor. Çaikovskit i takoi nderi i podiumit në një nga këto ditë. Paraqitja e tij, u hapi rrugën muzikantëve klasikë të ardhshëm, për të cilët Hall u kthye në një qendër të rëndësishme në Amerikë. Kështu, Carnegie Hall u bë urë kalimi midis vlerave të individëve apo grupeve dhe famës që mori çdokush që hipi në skenat e tij. Gustav Mehler, Liza Minnelli, Herbert von Karajan, Walter Damrosch, Dvorak, Arturo Toskanini, Enrico Caruzo, Luçiano Pavaroti, Plaçido Domingo, Maria Callas, Renata Tebaldi, Frenk Sinatra, Bob Dylan, Elton John, Tina Turner, The Rolling Stones, The Doors, Bitellsat…e dhjetra, dhjetra të tjerë, kanë bërë të dridhen muret nga duartokitjet, duke e bërë Carnegie Hall të magjishëm dhe duke marrë prej saj famë botërore.Ky kult arti u bë një falëtore demokratike që u hapi dyert të gjithëve, pa dallime kombesh e racash. Ai mirëpriti Marian Anderson, së cilës diku, ia mbyllën derën për shkak të racës së saj. Në podjumet dhe skenat e kësaj “shtëpie’’ të stërmadhe janë ngjitur oratorë për çeshtje të ndryshme ekonomike, politike, shoqërore e shkencore, si Margaret Langer, Winston Churchill, Jeanette Rankin, Jack London, Mark Twen…etj,Pikërisht këtu, më 1prill 1934, Albert Ajnshtajn, ka marrë çmimin e tij të madh.Sot, publiku i mbarë botës e di se, kur përmendet “Carnegie Hall”, nënkuptohet “Qendra më prestigjioze botërore e artit dhe e kulturës”Në rradhën e njerëzve të nderuar dhe me fat është edhe shqiptarja Teuta Koço, e cila me recitalin e saj në Carnnegie Hall, vuri firmën dhe i shtoi historikut të këtij Hall-I, histori dhe prestigj shqiptar.Si erdhi Teuta në Carngie Hall ?Sopranoja e re me traditë të herëshme muzikore, mbesa e Tefta Tashko Koços, vajza e dirigjentit të shquar Eno Koço dhe e violinistes- mësuese Rajmonda Koço. Nga fëmijëria e saj në Shqipëri , zëri i saj kapërcen shtete dhe oshëtin nëpër auditore e skena të Anglisë dhe Francës…Trajtë moderne e një tradite të kultivuar. E ardhmja e saj, paksa e vendosur që në lindje, fillon të marrë trajtë ekskluzive, kur ajo vendosi vetë për atë, edhe pse akoma nuk ishte në moshën e vendimeve.”… Ishte fati im që të këndoj, duke patur parasysh traditën muzikore në familjen time, por në të njëjtën kohë, ishte edhe zgjedhje e imja. Një kompleks ose bashkim gjërash, diçka e trashëguar dhe diçka e krijuar nga unë vetë…” – shprehet ajo kur e pyet kushdo.Pas një konkursi në Manchester, fiton çmimin e dytë, në Amerikë, ku të ardhurat e çmimit duhej t’i shpennzonte në një shtet jashtë Anglisë…Pas shumë diskutimeve dhe mendimeve të muzikanto-familiarëve, ajo vendosi të marrë pjesë në Konkursin Ndërkombëtar të Këngëtarëve Operistikë, në New York, ku doli në finale, duke marrë çmim të dytë. Pjesë e çmimit ishte një recital në Weill Recital Room, në Carnegie Hall. Recitalin e ndan me fituesen e çmimit të parë Helena Janzèn nga Suedia. Gjatë përgatitjes së recitalit në Amerikë, të gjithë e njohën si shqiptare dhe i gjithë publiciteti, në mediat e ndryshme është bërë për sopranon shqiptare Teuta Koço.Emocionet e përbashkëta të recitalitNë hyrje të Weill Recital Hall, grupe – grupe, apo çifte- çifte, njiheshin apo nuk njiheshin, afroheshin e përshëndesnin, sapo dëgjonin të flitej shqip. Shumica, ardhur gati një orë përpara, për të siguruar biletë, të tjerë – duke mbajtur frymën. Ditë e prem te, ditë pune dhe shumëkujt i është dashur të udhëtojë nga qytete të jera si Bronx, Brooklyn, New Jersey, Queens… Mos harrojmë se Carnegie Hall ndodhet në veri të Manhatenit, pranë parkut të madh kombëtar. Njohim e takojmë personalitete të njohura të kulturës shqiptare, itelektualë, por edhe të profesineve të ndryshme. Naum Priftin familiarisht, Xhulieta dhe Pëllumb Kulla, Dr.Anna Kohen, e cila, të nesërmen, do ta kishte mysafiren speciale në “shtëpinë” e saj që quhet ndryshe “Organizata e grave Shqiptare Amerikane” , Nadire Daja, Agathi dhe Ylli Luka, Drita Shkurti (Bishka ), gazetarja bukuroshe Liljana Qose…Për herë të parë, në këtë qendër të artit botëror, thyhet një rregull klasik. Kanë kaluar disa minuta nga ora 20.oo, megjithatatë dera vazhdon të jetë e hapur. Personeli, po kuptonte se kishte të bënte me një ngjarje të veçantë.E veçantë ishte, sigurisht. Për ne shqitarët, që gëzimet dhe lumturitë i kemi me pikatore, ky recital vërtetë ishte i veçantë.Nga njera anë, dëshira për të parë një artiste shqiptare. Nga ana tjetër, fakti që ishte mbesa e Tefta Tashko Koços, e bënte më legjitime “të veçantën”.Këto fakte shoqëroheshin edhe me pyetjet që secili bënte brenda vetes, apo me bisedat në telefon dhe mjedise takimi. Teuta Koço u bë fjala e ditës, gati për një muaj, kur mediat shqiptare, sidomos gazeta “Illyria”, bënë të ditur këtë ngjarje. Shqiptarët i ngacmoi kërshëria dhe shqetësimi njëherësh:”A do të ishte Teuta – një Tefta Tashko Koço?E pra , çasti për të hequr mjegullën e dyshimit erdhi.Tashmë dera u mbyll dhe në sallë nuk kish vend as për ndonjë që mund ta kishe me vete në mendje…Weill Recial Room - e thjeshtë dhe madhështore deri në solemnitet.Një piano priste pianistin, spektatorët – sopranon.Brenda pak sekondave më vijnë para syve të mendjes sekuenca nga filmi “Koncert në vitin ‘36”. Karrocë e përbaltur…Kohë e ngrirë… Njerëz të varfër e hyjnorë… Një piano herë mbi karro e herë mbi shpina shpirtrash …Dy bukuroshe, sopranoja Tefta Tashko Koço dhe pianistja Lola Gjoka …Koncert. Koncert në kohë të vështirë, në ditë të vështira .Pëpëlis sytë para një tjetër realiteti. Gjithçka përsëritet. Në kohë e vendndodhje të tjera.Tefta Tashko Koço - 17 vjeç, shkon me studime në Francë. Teuta Koço, studion në Francë. Madje fejohet me një francez.(ku ta dijmë që edhe Tefta ka lënë peng një dashuri prej Zotit-art?)1931. Tefta Tashko Koço , në Francë, fiton çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtarë të këngëtarëve lirikë.( Nga 127 kanditatë fituan të drejtën e pranimit 17, nga këta emri i Teftës radhitet e para). Kthehet në Shqipëri, edhe pse ofertat për më tej, siguronin të ardhmen e një artisteje të rrallë e me përmasa botërore. Por Shteti i Ri Shqiptar i viteve ’30 kishte nevojë për ajkën e artistëve që kishin studiuar në Konservatorët më në zë të Europës, të cilët do të përfaqësonin djepin e kultivuar të inteligjencës shqipare.Teuta , duke marrë me vete “djepin”që e përkundi, i tregon botës “Majën e Hekurave”, mbi të cilën kapërcyen paraardhësit e saj, për të kapur një tjetër majë - atë të Artit. 13 vjeç shkon në Angli ku studioi në Chetham’s School of Music. Në kolegjin e muzikës Royal Northern fiton një bursë për të vazhduar më tej. Nga viti në vit repertori i saj pasurohet me role kryesore operistike, nga autorë të mëdhenj si Moxart, Verdi, Rosini etj….…Një çast heshtje, as fryma nuk dëgjohet. Janë sekonda, ku shqiptohet : “ Teuta Koço from Albania…”. Pastaj duartrokitje, të zgjatura, të forta. Përsëri heshtje. Edhe në fytyrën e Teutës ravijëzohet një emocion befasues. Siç tha pas koncertit, nuk e priste të shihte aq njerës, të kishte aq shqiptarë, pasi programi i saj ishte i përcaktuar nga konkursi… Disi i vështirë për t’u kuptuar.Recitali përmbante muzikë kontemporane, pjesë nga kompozitorë Anglezë: William Walton, Nicolas Small ,Thomas Ades. Edhe pak muzikë Amerikane nga Bernstein.Shfaqja arriti kulmin, kur ajo vetë prezantoi dy pjesë bashkëkohore të autorëve shqiptarë : “Lundërtarët e vjetër” të Vaso Toles dhe “Qielli i Dallëndysheve” të Aleksandër Peçit. Interpretim me drithmë e drithërima. Salla elektrizohet. Lëvizjet, gjestet e mimika e fytyrës së saj, si e një aktoreje me përvojë, bënë që edhe të huajt të kuptonin shqip, por edhe të gjithë ta preknin, ndjenin e shijonin programin e saj edhe pse me pjesë, deri diku, të panjohura për publikun. Salla në këmbë… Nderim për atë që të magjeps me zërin e saj. Nderim për atë që nderon gjuhën e saj. Nderim për artisten shqiptare që solli një pjesë Shqipërie në Carnegie Hall.Teuta. Ajo, vajza e Eno dhe Rajmonda Koços; ajo, mbesa e Tefta Tashko Koços, nuk bëri vetëm Teftën. Më shumë. Atë që quhet –Vazhdimësi…Buqeta me lule, thirrje të gëzueshme:”Bravooo…Të lumtë!” Një vajzë shqiptare, Honela Kumi, i hedh krahëve një shall të madh, të kuq, me dy shqiponja, me mbishkrimin - ALBANIA . Përlotje e duartrokitje pambarim. Teuta përulet në gjunjë, puth shqiponjën, puth me dorë publikun. Duke valëvitur atë pjesëz Flamuri, largohet dalëngadalë, me kokën pas, si për t’u zgjuar nga ëndrra…Shfaqja vazhdon . Tashmë, jo në skenë. Aty, në bar-kafe Hall, ku shqiptarët prisnin “Princeshën “ e tyre, për ta përqafuar , uruar e puthur, për ta prekun e ndjerë nga afër, si për t’i thënë vetes se çfarë panë e dëgjuan nuk ishte rrëfenjë.Teuta – Teftë apo Tefta – Teutë? Midis ëndrrës dhe realitetit, realitetit dhe ëndrrës apo midis dy ëndrrave sëbashku? Se ç’ka diçka që i ndan, se ç’ka një magji që i bashkon. Atëhere, le të rrijnë të dyja mbi majat e tyre, gjyshe e mbesë, me emëruesin e përbashkët: - Artiste Shqiptare…Shtrak- shtruk e shtruk e shtrak aparatet fotografikë, për të fiksuar një kujtim të bukur, aty në Qendrën Botërore të Artit, aty, nëCarnegie Hall, ku u firmos edhe pak histori nga kultura shqiptare…Në fund. Përsëri jashtë, përpara hyrjes kryesore, aty ku u grumbulluam për t’u futur në koncert, përqafimi e kurorëzimi i suksesit i takoi Dashurisë. Teuta dhe i fejuari i saj nga Franca, na dhanë mundësinë të fotografonim përqafimin e tyre dashuror.
Suksese Teuta dhe mirupafshim së shpejti në filmin “Flauti Magjik”!

Poetja e lotit, me moshë prej ëndrre

Libër i ri i poetes Iliriana Sulkuqi

Dy libra në një:
Libri i Parë:
Poezi nga autorja & Poezi-kushtim për poeten (238 fq.)
Libri i Dytë: Iliriana dhe poezia

(Nëpër faqet e shtypit dhe internetit: 55 autorë me: shkrime kritike, ese, letra, mesazhe... 144 fq.)
Çmimi: 1000 lekë / 10 €
Shtëpia Botuese “SNAJ”, në botim të parë me 500 kopje. Nëntor 2007


Nga salla e promovimit në studion e Radio Tiranës ... Dhe në ditën e fundit të Panairit të 10-të, në një nga mjediset e Qendrës Kombëtare të Kulturës në Tiranë, u organizua promovimi i librit “Poezi” të Iliriana Sulkuqit. Edhe pse në një kohë të “nxituar”, nga shtypshkronja tek promovimi, që e arriti, miku i poetëve, Abaz Veizi, u gjendën në sallë, njerëz me Emër të Përveçëm. Mund të thuhet se të gjithë ishin krijues dhe miq të Poetes Iliriana, miq të Fjalës, miq të penës e të jetës ushtarake...
1. Poeti i madh Dritëro Agolli, ishte i pranishëm me përshëndetjen e vet për poeten, edhe pse nuk mund të vinte pas një operacioni “të lehtë” në sy. Në pamumundësi e ftoi poeten në shtëpinë e vetë.
2. Artistja e Popullit: Margarita Xhepa, që ka qenë e pranishme në gjithë promovimet e librave të Ilirianës, nuk e harronte dot “zanatin” e Fjalës së Bukur, recitoi poezinë “Të vi sonte apo...”. Por tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve edhe fjala e saj: “Kjo grua e vogël ka një zemër të madhe, ka një zë të bukur poetik. Poezia e saj udhëhiqet nga mendimi, nga emocioni dhe brenda shpirtit të saj ka ca llambushka me një dritë të bukur jeshile, një dritë-shprese, se ajo i do njerëzit, e do jetën”...
3. Artistja e Popullit, Tinka Kurti, aty në rradhën e parë, mediton dhe pëshpërit vargjet e Ilirianës që i janë bërë pjesë e kujtesës së pashuar: “....................”
4. Krisulla Prifti (Kaçi) shoqja më e ngushtë e Poetes (kush nuk donte ta kishte shoqe Krisullën-siç thotë Iliriana), me emocionet e viteve shfleton ato faqe-portreti të Ilirianës që, vetë autorja i fsheh në poezitë e saj: Iliriana është njeri i veçantë. E njoh qysh kur ishte vajzë, që bënte poezi shumë të bukura dhe bënte stërvitje shumë të bukura. Ilirianën e njoh edhe kur ishte nënë dhe rriti dy fëmijë të mrekullueshëm, pa iu ndarë poezisë... E njoh edhe tashti-gjyshe, aq të përkushtuar, që vetëm ajo ngjet me veten... Ilirianën e njoh edhe në momente shumë të vështira të jetës, kur i afrohej vdekja dhe ajo e mposhte. Shkonte në spital, operohej dhe sa delte nga spitali ishte po ajo grua e fortë, ajo grua nikoqire, që bënte dhjetë bakllavatë për gjithë natën, për gjithë fqinjët... dhe në mëngjes përsëri do shkruante poezitë e saj aq të bukura... Kjo është Iliriana që sot na solli librin e ri poetik.
5. Poetja, studiuesja dhe përkthyesja Klara Kodra, me atë zërin e dridhur elegant tha: “... Poezia e Ilirianës është e sinqertë dhe e mençur; të kënaq kur e lexon dhe ndjehesh e sigurtë kur e përkthen...”
6. Poeti, Sadik Bejko, pasi foli për lirizmin e poezisë të Ilirianës tha: “Lirika poetike ka portretin e natyrës dhe bukurinë e natyrës... ka portretin e kohës që jeton poetja dhe e kohës që do vijë... Poezia e Ilirianës lëviz befasishëm dhe gjendet aty ku s’e pret dhe ku e do lexuesi...”.
7. Poeti-gazetar, Apostol Duka, ndër të tjera tha: “Iliriana është poete e të papriturave...”
8. Poeti-gazetar, Hysni Milloshi: “Poezia e Ilirianës është e ndjeshme, nga më të ndjerat poete dhe ka ecur përpara, nga njëri libër tek tjetri... është poete e të papriturave, siç e tha dhe Apostoli...
9. Artistja e Merituar, Ema Qazimi, i jep pasion fjalës dhe zërit të saj: “Kanë ardhur të gjithë ata që e duan Ilirianën se ajo di t’i fitojë njerëzit dhe di t’i mbajë. Është një magnet Iliriana, ka energji shumë pozitive dhe di të mbajë ekuilibrin e t’i shpërndajë mirë energjitë... Jo të gjithë e kanë këtë aftësi e këtë shpirt të bukur... Një koncert të tërë dua t’i dhuroj Ilirianës! Me këngë zemre, me këngë shpirti”... (dhe këndon “Gjethen e dafinës e këputi”)
10. Poeti dhe gazetari Demir Gjergji tha: “Iliriana, në një tryezë të pasur aristokrate, nuk ha se do të jetë e uritur... Iliriana, nga një vend që e do shumë, ikën sepse do të ndjejë mall... Iliriana dashuron se do të vuaj... Iliriana edhe në buzë të vdekjes, nuk vdes se do të qeshë me të madhe..”. Dhe lexon poezinë “Këshillat e nënës sime”:
....Tri fjalë,
thënë njëra pas tjetrës,
ose me të shkruar,
ose vesh më vesh,
janë magji e zezë, bija ime,
të vrasin
pa të thënë: mirë-mëngjes…

Tri fjalë,
si tri rrufé,
njëra pas tjetrës
dhe pemën e moçme
e bëjnë éshkë.

…megjithatë, megjithatë,
me urrejtjen,
asnjëherë mike mos u bëj.
11. Poetja dhe gazetaria e re, Eva Lena nuk e ndau dot fjalën nga loti: “ Unë e kam një nënë që më ka lindur, por Ilrianën e kam Nënë Shpirtërore...jetoj me poezinë e saj, mësoj nga shpirti i saj...” dhe e përqafoi e lotuar...
12. Agim Pepa-poet, përkthyes: Foli për mendimin poetik të Iliriana Sulkuqit, për filozofinë dhe mesazhet që ato japin tek lexuesi...
13. Gazetari, Dilaver Baxhaku, foli për raportet poezi-jetë: “Kur lexon poezitë e Ilirianës njihesh me portretin e saj dhe portretin e kohës ku jetojmë...”.
14. Regjisori, Esat Teliti, solli kujtime nga filmi për Artisten e Popullit Tinka Kurti, ku fjala harmonizohej bukur me poezinë e Iliriana Sulkuqit... dhe këtu nuk ka nevoje të zgjedhësh, po recitoj njërën nga poezitë e librit...
15. Poetja Lida Rapo, kolegia e viteve ushtarake, solli mbresat e krijimtarisë qysh nga rrethi letrar i shkollës...
16. Ilir Mborja-Piktor e kritik, i ardhur nga Elbasani, duke përshëndetur tha: “E dija që do të kishe kaq miq... pa le sikur të mund të vinin gjithë miqtë e tu nga Elbasani, nuk do t’i nxinte kjo sallë kinemaje...”
17. Gëzim Llojdia-arkeolog-poet, i ardhur nga Vlora për të përshëndetur poeten. “Unë nuk e njoh Ilirianën, por njoh poezinë e saj, aq sa kam lexuar në internet. Dhe po lexove poezinë e Ilirianës nuk mund të thuash se je larg portretit të poetes...”.
18. Kastriot Hamzallari-ish studenti i Poetes: “Unë vi këtu me respektin e pedagoges, që nuk e ndaj dot nga poezia e saj....”
19. Agron Kruti-mjeshtër i fotografisë, që e ndoqi veprimtarinë e librit gjatë gjithë ditëve, veç fotografive nuk ndenji pa përshëndetur “Poeten ushtarake, që e kam fotografuar edhe në stërvitje dhe mes studentëve të saj”...
20. Operatori, Ilia Terpini (Artist i Merituar), që filmoi veprimtarinë, tha: “Kjo ditë i shtohet arkivës sime që kam për poeten Iliriana Sulkuqi”...
21. Maksim Zotaj-Poet, studiues-fotoreporter: Mori një herë autografin nga dora e Poetes pastaj përshëndeti me të veçantën e tij...
22. Buqeta me lule që i dhuroi Poetes, mikja e ardhur nga Zvicra, Miradije Maliqi, ishte për të patur zili edhe në dasmat e artistëve të Hollivudit: “Është, për Ty, nga gjithë miqtë tanë poetë që ndodhen në Zvicër...”. Vetëm këto fjalë e “përkthenin” atë buqetë!
Tek urimet për poeten u bashkuan edhe poetët e gazetarët: Petraq Risto, Feruze Bajo, Kujtim Boriçi, Ilia Dede, Vladimir Golemi (Jani), Agim Bajrami, Luan Jaupi, Skënder Jaçe etj... Kolegët e saj ushtarakë: Xhevair Baxhia, e deri te Katjusha e viteve të rinisë... Gazetaria-poete: Valdete Antoni, fjalën e la për ta thënë në Emisionin e Radio Tiranës: “Udhëtim për te vetja”, ku mbi një orë e gjysmë bisedoi me poeten që: “Vjen nga Përtej Oqeani me mallin për vendin dhe mallin për njerëzit. Këtë e thotë bukur poezia e saj... Iliriana dhe Poezia kanë të njëjtën moshë: “Moshë prej Ëndrre”.
Dhe Kryefjala është Nëna tek poezitë e Ilirianës. Nëna stiliste e shpirtit, stiliste e dashurisë, siç ishte dhe “stilistja” e bukurisë femërore...
Një jetë, me jetën dhe vendlindjen brenda, në një emision radioje, në një promovim libri, edhe në një libër me 400 faqe, edhe në 12 libra të autores... nuk mund të mblidhet, por me Poetët ndodh Çudia: “Të vdiskam m’u dashkan tri jetë...” thotë poetja. Mirë e ka, Tri Jetë = me një Vdekje. E, kush mund t’i masë jetët e poetit?! ***
Dhe Iliriana, recitoi, përshëndeti, përqafoi, falënderoi: “Vetëm dashuria që është një magji dhe miqësia që është një mrekulli, ju mblodhi ju sot pranë meje, si në një ëndërr... Sot ndjeva se miqësia i ka rrënjët aq të thella dhe është aq e vërtetë sa nuk të le të shkosh as në buzë të greminës, as në buzë të harrimit... Unë gjithmonë ju dëgjoj me dashuri, Këtu ishim të gjithë pa ngjyra partiake, të gjithë te “Sofra poetike”, ku poetët dinë të duan, të dashurojnë, të falin, të qajnë e të gëzojnë... ja kush janë miqtë e mi poetë, artistë, miq të njeriut e të letërsisë... “Ç’u shemb shëmtie e ngrehin poetët” thotë poeti i madh Azem Shkreli...
Dhe Iliriana u shkruan miqve të vetë poetë: “Psherëtimat e kohës,lotojnë mbi vargun tuaj...” Pastaj gjithë të pranishmit morën me autograf librin “Poezi” duke i uruar poetes shëndet e krijimtari të mbarë! Nga Bar-Restaurant “Manhaten” te“ Grand Kafe De Paris” dhe... nga Shkëmbi i Kavajës, në Elbasanin e lindjes dhe në Gjakovë e Tetovë... Sa u ndodh në Tiranë, Iliriana, mbeti mes shoqeve e shokëve... Telefoni kishte adresat: “Në “Manhaten”... “Te Kafe Parisi”... Aty u hëngrën dreka e u pinë kafe (cigaria nuk lejohej me ligj). Për miqtë e vet Iliriana shtroi dhe një drekë mirësie... Aty ishte Miradija e ardhur nga Zvicra, miqtë nga Durrësi, Dilaver Baxhaku, aktoret e shquara Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti, çifti artist Vitore dhe Skënder Sallaku, djaloshi pasionant i librit, me një bibliotekë të pasur, Artur Jaupaj, që ishte dhe kamerier i “ dë Paris-it”, artisti i fotografisë Agron Kruti, nipi i poetit Ali Asllani, ing. Ardian Asllani; miqtë nga Kosova e Maqedonia, ku poetja ka qenë në çdo qytet, pranë gëzimeve e tragjedive, ku luftohej e mësohej, ku mbulohej vdekja e lindëte një fëmijë me emër shqiptar.
Të ftuar nga Miradija, te “Shkëmbi i Kavajës”, pallati pranë detit, na shoqëroi dhe “Moxarti” me verë franceze...
Në Elbasan, aty tek “Gjiri i nënës”, e para që e lexon Ilirianën, ishin dhe shoqet e shokët e saj: Milianov Kallupi. Astrit Bishqemi, Hyjni Ceka, Ilir Mborja (ardhur nga Athina), Mariana Hushi, Lida Laze, Kujtim Agalliu, Mihal Disha, Dhimo Tarusha, at Jovan Gica, Ferit Lamaj, Nexhip Bashllari, Xhemal Lufta(ish mesuesi I i vizatimit në tetëvjeçare që e ndjek në çdo promovim e veprimtari),Petrit Molla (pronari i nje kafeneje ku shpesh krijuesit e Elbasanit mblidhen si ne shtëpinë e tyre), aktori Ilir Borodani,...aktoria Qamuran(Lana) Çala...Ishin edhe të mërguarit poetë të pranishëm në biseda e trokitje gotash, si Nexhip Ejupi, shoku i klasës dhe i bankës nga klasa e parë fillore deri në maturë, që edhe pse larg, shumë larg, diku në Miçigan,... edhe Julia Gjika (Naçi), për të cilën Iliriana asnjëherë nuk harroi ta përmendë e të flasë për krijimtarinë e saj dhe të vajzës së saj Ani, apo për miket dhe miqtë e saj krijues në Amerikë, Francë, Itali, Kosovë si: Albana M. Lifschin, Mirela Bogdani, Merita Bajraktari McCormack, Elinda Marku, Aida Dismondy, Rajmonda Moisiu, Drenushe Zajmi, Medije Vraniqi, Landa Prifti Pëllumb Kulla, Kolec Traboini, Simbad Detari(Vasil Qesari), Faruk Myrtaj e Vaid Hyzoti, mikun e ngushtë të poetëve dhe shkrimtarëve-Dalip Greca, Llazar Vero (këtu ndalej gjatë e fliste për “Bijtë e Shqipes”)....
Ishte dhe Varri i Babait, Krasta (ngjet me poetët) që sillte erë e shi, .... ishte shpirti i poezisë së poetes Iliriana Sulkuqi. Kudo me miq, që dinë të japin mirësi dhe që poetja i merr me vete në lëvizjet e saj nga njëra anë e globit në tjetrën... Dhe, kudo, për çudi, harronte librin e saj të ri “Poezi”. Në çantën ngjyrë reje mbante Revistën “Pelegrin” 8 & 9... Kështu ndodh me njerëzit si Iliriana Sulkuqi!...
Më gjeni një titull

pa fjalën zjarr
pa fjalën akull,
pa fjalën vdekje,
pa uri pa étje…

pa zë të mekur…
pa pikën e lotit,
pa emrin e Zotit,

pa emrin tim
pa emrin tuaj…

pa ngjyra muzgu
pa plor prej hëne
pa diell të djegur
pa mllef, pa hakmarrje,
pa fjalë përralle
pa ëndrra prej nate
pa dallgë e stuhi
pa puthje prej vlage
pa valëza, pa breg
pa mbërritje, pa shteg…

Më gjeni një titull
pa emër shpendi
pa emër ylli
pa emër mali
pa emër ishulli
as oqeani…

pa rrahja zemre
pa ankthe malli…

pa vjeshtë të artë
pa dimër, pa ngricë
pa stinë të pjalmtë
pa verë t’lakuriqtë…
Më gjeni një titull
pa pentagram,
ku notat lozin
me shpirtrat tanë!

Shtator, 2007

POETJA E LOTIT

Nga Nase Jani

Poetja Iliriana e pasuron krijimtarinë e saj edhe me librin e ri “POEZI”. Janë dy libra në një: Libri i parë përmbledh poezi, kryesisht nga frymëzimet e përtej-oqeanit, kur Poetja i afrohet dhe i largohet dashurive, dhe Libri i Dytë “Iliriana dhe poezia” që plotëson portretin e autores me ese, shkrime kritike, letra elektronike nga miqtë e shokët e saj, etj. Sikur t’i mbledhësh të gjitha, mund të bëhen disa vëllime voluminozë, se Poetja nuk është “vetëm” dhe s’ka qenë askurrë e tillë. Vetë poezia e saj e ka bërë me miq, që dinë: të mendojnë bukur, të ndjejnë bukur e të shkruajnë bukur... Vetë poezia e saj i ka dhenë shumë lexues që, edhe pse nuk janë “profesionistë” në fushën e letrave, e njohin poezinë e Ilirianës pa e lexuar emrin e saj në krye të librit...
Duke “ecur” nga faqja në faqe, nga poezia në poezi, nga njëra fjalë tek tjetra, krijova një bindje emocionale se poezia e Iliriana Sulkuqit portretizon aq bukur “tërmetet” e shpirtit të Njeriut, sa ndjen sikur poezia nuk është vetëm poezi, por është edhe diçka e “paemër”, që njeriu, edhe pse nuk e njeh, e ka të domosdoshme...
Mendimi i zgjedhur i njerëzve të letrave, i njerëzve të kulturës e artit dhe dashamirëve të letërsisë, që nga Dritëro Agolli, Pëllumb Kulla, Anna Kohen, Peter Prifti, Anton Çefa, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Klara Kodra, Perikli Jorgoni, Lirim Deda, Julia Gjika (Naçi), Sokol Jakova, Kolec Traboini, Vasil Qesari, Lambert Savigneux, Kristo Tumanidhi, Milianov Kallupi, Farruk Myrtaj, Pirro Kuqi, Demir Gjergji, Nexhip Ejupi, Rozi Theohari, Eglantina Kume, Ema Qazimi, Thanas Tane, Dalip Greca, Odise Goro, Sotir Lashova, Rami Kamberi, Aleko Likaj, Alban Ruli, Agim Pepa, Vaid Hyzori, Miradije Maliqi, Merita Bajraktari-McCormack, Kozeta Zavalani, Medije Vraniqi, Albana Mëlyshi Lifshin, Gëzim Llojdia, Ilia Vasili, Klajd Kapinova, Honela Kumi, Elmira Mujo, Eleonora Gjoka, Aida Dismondy, Dhurata Agalliu, Dallëndyshe Kacabani, Aida Bode, Llazar Vero, Argentina Tanushi, Donika Timko, Arlinda Camaj, Raimonda Moisiu ... për Ilirianën-Poete dhe Ilirianën-Njeri, më kanë bërë që të ndjej paaftësinë time për të thënë diçka të re... Por, me përgjegjësinë e botuesit dhe detyrimin poetik ndaj shoqes sime ushtarake, do të gjej dhe unë “një stol bosh” për të zënë vend pranë “sofrës poetike” të autores... Për lotin që del nga shpirti i njeriut, nga dhimbja dhe gëzimi, kanë shkruar, qysh kur është shpikur poezia dhe do të shkruhet sa të ketë poetë dhe poezi: domethënë sa të ketë jetë njerëzore... Poezia lind nga dhimbja, siç dhe gëzimi, rrënjët tek dhimbja i ka. Të dish ta mbjellësh poezinë dhe ta rritësh, brenda vetes: këtu nis e vërteta krijuese. Dhe kur bëhet art me fjalën, që del nga shpirti, i je afruar suksesit. Poetja Iliriana, në të shumtat e poezive, merr portretin e poezive të saj. Ajo “fshihet” bukur brenda “lotit” sa nuk e sheh dot pa i lexuar e rilexuar poezitë... Se poezia është aq shpirtërore sa “lotin” e ka në çdo varg, në çdo strofë, në çdo poezi... “Poezitë e lotit”, nuk do të thotë të jenë qaramane, me “oh-e” e “ahe”. Loti është i bukur kur nuk duket, kur fshihet i tretur brenda fjalës poetike. Loti kërkon bukuri, fshehtësi, delikatesë, që të shndërrohet në poezi... Kërkon mendim se ndryshe del nga funksioni “lot-poeti” dhe “lot-shpirti”. Jeta e Poetes, me thellësi dhe maja, i ka dhenë më tepër favor që loti të jetë i tillë: poetik dhe shpirtëror... Diçka duhet t’i fshehësh ditës, çastit, vetes, që të shkruash poezi. Kush nuk di ta bëjë këtë fshehje (dhe kush nuk do ta bëjë), vargëzon jashtë poezisë. Është pak të them se poetja Iliriana Sulkuqi, gjithë situatat e jetës i kapërcen... dhe i kapërcen pa tjetër, me “poezinë e lotit”. Nuk kemi thënë asgjë për poeten po harruam këtë të vërtetë që është kryefjalë e jetës së saj.
Por si ndodh kjo?
Kot pyesim. Ky është sekreti i shpirtit të Ilirianës, si çdo poet që ka sekretet e poezisë së vet. Ne shohim dhe njohim “burimin”, nga del uji i kulluar... E pimë me etje pa ditur se nga kalojnë udhët e atij uji të kulluar... Orgjinën ia dimë ama, është ujë-bore, ujë-mali, është “pikë-loti”, ku ne vëmë pëllëmbën e dorës së majtë dhe pastaj buzët; ku zogjtë njomin krahët dhe luajnë lojën e zogjve; ku dhe zhapiku i gjelbër e nepërka, rrëshqasin drejt burimit dhe harrojnë orgjinën e tyre...
Kështu ndodh me burimet-poetikë...
Në gjithë “stinët e jetës” Iliriana i ka ushqyer burimet e lotit me rininë e vet, (sa pak rini!), me gëzimin(sa pak gëzim!), me dashuri, (sa shumë dashuri!), me dhimbje (pse kaq shumë dhimbje?!), me mëmësi (atë e ndjejnë jo vetëm dy fëmijët e saj), me nënësi (sa e përkushtuar gjyshe-Lili për mbesën dhe dy nipërit deri në këta vite-jete!)... Por çfarë moshe ka poetja? Kot pyesim! Asnjëherë s’e dimë dhe s’kemi për ta mësuar, se nuk njihet mosha e poetit. Poetët nuk janë të atij “fisi” me ata që e fshehin jetën se s’kanë bërë gjë me vitet e saj... Poetët nuk kanë moshë se “kanë lindur para Adamit, dhe vdesin në lotin e fluturës, dhe treten në botën e së padukurës...”, siç kam shkruar, dikur, në një poezi. Nuk e dinë as vetë se ç’moshë jetojnë. Jetojnë moshën kalendarike dhe moshën e shpirtit, ose moshën poetike. Poetët dalin nga mosha kalendarike dhe jetojnë moshën e shpirtit... Është e vërtetë kjo. Graviteti i poezisë i prish kalendarët.
Kështu ndodh!
Poeti Richard Eberhart, që jetoi 101 vjet (5 prill 1904-12 qershor 2005) ishte i ri kur vdiq. Qeshte, shkruante poezi, bënte shëtitje, bisedonte me miq, (dhe jo vetëm kaq)... se jetonte moshën e shpirtit, me të fshehtat dhe bukuritë e saj. Edhe Lasgush Poradeci, edhe Ali Asllani, ... luanin me moshën-poetike, duke e injoruar, deri në harrim, moshën e kalendarëve dhe të “kartave të kokës”, siç quhej dokumenti personal i njeriut shqiptar.
Kështu ndodh.
Ndodh që brenda një jave, mosha të lëvizë me dekada... Edhe brenda javës: të hënën je 30 vjeç, të martën 25, të shtunën 60... Dhe, në gjithë këtë lojë-moshe që luhet, çuditshëm, tek poeti, mosha e fëmijërisë është më e lakmueshmja.
Edhe pse autore e dymbëdhjetë librave, edhe pse nënë dhe gjyshe, poetja jonë, Iliriana, preferon këtë moshë, të paplakur kurrë... Edhe unë, siç e kanë uruar miqtë e saj, i uroj poetes që të jetojë sa më gjatë në moshën-poetike për të na dhenë më të bukurën e “lotit” të saj “Poezi”!... “Kur t’i mbaroj të gjitha këngët dhe të më shuhet frymëzimi,më rrahjet, s’dua t’ja ndjej zemrës, dhe po të jem, s’jam unë, ta dini!” Këta vargje nuk i kam shkruar vetëm për vete...

Athinë, nëntor 2007